Buxhete qesharake për festivalet shqiptare, ankohen organizatorët

    Përgjysmohet buxheti për festivalet shqiptare, organizatorët ankohen për lobim kundër tyre në institucionet shtetërore

    Gazetar
    Bashkim Iljazi

    Edhe përkundër vështirësive financiare, gjegjësisht përgjysmimit të buxhetit, edhe këtë vit u realizua edicioni i shtatë i festivalit të xhazit, në të cilin tre natë radhazi u mbajtën koncerte të muzikës xhaz, me artisët më të njohur të këtij zhanri.

    Organizatorët e këtij festivali ankohen për përgjysmim të buxhetit të festivalit, ndërsa thonë se kanë dhënë maksimumin që të ofrojnë koncerte cilësore për publikun, shkruan Nistori.

    Lejla Halimi Lumani theksoi se buxheti për këtë vit është shkurtuar për gati 60 përqind në krahasim me vitin e kaluar dhe se ende nuk e dijnë arsyen për këtë.

    “Këtë e vit e patëm edicionin e shtatë të Jazz Festival Tetova, i cili përfshiu tre natë koncertale, brenda të cilit patëm mundësinë të shohim tre bende cilësore të xhazit. Jemi munduar të bëjmë përzgjedhje laramane të programit, duke ofruar bende nga Maqedonia dhe Shqipëria”.

    “Do të kisha pasur dëshirë ta falënderoj Ministrinë e Kulturës për mbështetjen këtë vit, por duhet ta theksoj se mbështetja ka qenë dyfish më pak se sa edicioin e fundit. Ende nuk e dijmë arsyen se përse gati për 60 përqind është shkurtuar buxheti. Si duket kemi dëshirë për të shkurtuar këmbët një pune e cila po rritet dhe nuk kemi ende përgjigje se përse na është shkurtuar buxheti”, tha Lejla Halimi Lumani.

    Edhe drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit (TIFF), Sabedin Selmani, tha se i ka shqetësuar shkurtimi i buxhetit të festivalit për këtë vit, krahas asaj se festivali vazhdimisht është rritur.

    “Ajo që për ne është nder është puna jonë dhe dëshira e publikut, si dhe rritja e këtij festivali. Ndërsa ajo që na shqetëson është se ashtu si rritet ky festival, dikush lobon që të shkurtohet buxheti. Ministria e Kulturës nuk e ka përkrahur këtë festival, por Agjencia e Filmit, megjithëse ka ndikim edhe nga njerëzit që kanë qenë të punësuar atje. Ky festival prej në fillim është munduar për të ndërtuar urë lidhëse në rrjetin artistik. Dhe ne nuk i ndryshojmë qëllimet tona. Festivali fillon me një film, por kemi shumë kategori”, tha Selmani për Nistorin.

    Nga ana tjetër edhe drejtori i Teatrit të Tetovës Abdulla Osmani, tha se buxhetin që për këtë vit e ka pasur Teatri i Tetovës, nuk mund të krahasohet as me buxhetin e një shfaqje në të kaluarën.

    “Për teatrin e Tetovës këtë vit kemi 2.900.000 denarë që nuk krahasohet ndoshta me buxhetin e një shfaqje para disa vitesh. Festivali për këtë vit ka 600 mijë denarë. Sa i përket kësaj shume, ne duhej të sakrifikonim atë pjesë që është më e shenjtë që është garues. Dhe për fat të keq këtë vit festivali është vetëm revial. Dhe prandaj për shumë trupa të teatrove nuk ka interes të shfaqen nëpër festivalet reviale”.

    “Gjithashtu ka qenë buxheti i ulur për harxhimet materiale. Dhe ne në këto kushte duhej të përzgjidhnim të vazhdonim me një lloj programi tjetër, apo ta kthenim komplet programin. Bisedova me bashkëpunëtorët dhe arritëm në përfundimin që ta përmbyllim programin me këto kushte që i kemi”, tha Osmani.

    Ndryshe, nata e parë e festivalit të xhazit u mbajt në hapësirat e Europe House, në të cilën performoi bendi nga Shqipëria “AJS Quartet”, të cilët për herë të parë kënduan albumin e tyre.

    Natën e dytë u mbajt më 24 shtator, në të cilën performuan është Dorjan dhe Dobrilla. Ata performuan vokal me instrumentin oriental të Udit, të cilët bënë kombinim muzikës tradicionale maqedonase në kombinim me instrumentin e Udit.

    Ndërsa nata përmbyllëse më 25 shtator, iu kushtua Sasho Popovskit, në të cilën po ashtu performuan muzikantë profesionist të xhazit, të cilët janë profesorë në Universitetin e Shtipit dhe janë shumë aktiv në skenën botërore. Ata promovuan albumin e tyre Steps. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Pse rrushi i Bojanës nuk bëhet verë?! (Video)

    Lajmi i rradhës

    A është kolagjeni vërtetë burimi i rinisë së përherëshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë