Kush je ti që më ndalon të protestoj?!

    BESIM NDREGJONI

    Shqipëria, atdheu ynë, ndodhet në një gjendje politike të trazuar. Zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik dhe paqja sociale gjysmë e thyer në Shqipëri sot më frikësojnë!

    Për 140 ditë shqiptarët protestuan paqësisht. I treguan Europës se ne vuajtëm në diktaturë, por jemi qytetarë të denjë të Europës. E gjithë media ndërkombëtare i bëri jehonë protestës shqiptare, e etiketoi si një mbrojtëse të denjë të lirive dhe të drejtave të njeriut, si mbrojtëse të flaktë të mjedisit shqiptar, si një revolucion demokratik paqësor për zhvillimin e demokracisë.

    Pjesëmarrja e shqiptarëve ishte mbi 100.000 qytetarë, që e zbukuruan Tiranën përpara Europës. Europa e quajti shembull për shoqëritë europiane.

    Kryeministri Edi Rama e quajti protestë antiamerikane dhe anti-Trump! Një etiketim qesharak i një propagande komuniste globaliste.

    Kjo protestë me famë botërore e popullit tonë dhe e gjeneratës Z të rinisë shqiptare në Shqipëri u ndesh me përçmimin e Kryeministrit Rama dhe partisë së tij kriminale, duke e quajtur rininë e vendit të tij sorra, korba, iranianë, grekë, serbë, rusë, kinezë!

    Nuk u ndaluan shqiptarët në kërkim të lirisë së tyre as nga i nxehti i madh, as nga përçmimi i këtij Kryeministri vandal dhe partisë diktatoriale përçmuese, më të korruptuar në Europë.

    Protesta u nderua në Europë dhe u anatemua nga Edi Rama në Shqipëri.

    Erdhën studentët, të cilët, të mbushur me urrejtje ndaj qeverisë dhe sjelljes diktatoriale ndaj protestës paqësore katërmujore, filluan revoltën kundrejt një qeverie që drejtohet nga një pinjoll i Bllokut të diktatorit Enver Hoxha.

    “KM Edi Rama drejton një ndërmarrje kriminale që e ktheu Shqipërinë në qendrën europiane të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës”, dhe jo një qeveri demokratike. Ky njoftim erdhi nga shërbimet sekrete dhe ligjzbatuese të disa shteteve të Europës.

    Ka nëntë ditë që studentët e lirisë po ndeshen me dhunën e pushtetit të drejtuar nga Kryeministri i vendit. U thyen këmbët studentëve, i masakruan publikisht në bulevardin qendror të Tiranës. I mbytën me gaz lotsjellës. I rrahën me shkopinj gome para shqiptarëve gjimnazistët 15-vjeçarë, i qëlluan studentët me plumba gome.

    Ka katër ditë që del çdo mëngjes i vetëm dhe kërcënon studentët dhe familjarët e tyre me një gjuhë diktatoriale.

    Sot e dëgjova te Banka e Shtetit të kërcënonte si udhëheqësi i tij shpirtëror, diktatori Enver Hoxha.

    Ai iu drejtua sot shqiptarëve se do të dënojë studentët dhe familjet e tyre, sepse revoltohen kundër diktaturës së tij. Ai u deklaroi se do t’i ndalojë të udhëtojnë në Europë, të udhëtojnë me trena dhe se do të paguajnë dëmet e shkaktuara nga revolta ndaj pushtetit të tij kriminal.

    Këto ishin kërcënimet e këtij Kryeministri ndaj popullit të tij, sepse i kërkojnë dorëheqjen.

    Aq qesharak është bërë ky klloun i komunizmit, sa u drejtohet studentëve:

    “Hajde të dialogojmë!”

    Po cili Kryeministër në Europë i drejtohet popullit të tij, kur ky i kërkon dorëheqjen, duke i thënë: “Hajde të dialogojmë!”?

    Dhe jo më shumë se një muaj më parë, Kryeministri spanjoll dha dorëheqjen dhe nuk iu drejtua spanjollëve duke u thënë: “Hajde të dialogojmë!”

    Vetëm Rama kërkon dialog me protestuesit shqiptarë kur ata i kërkojnë dorëheqjen.

    Dhe kërcënimi më i madh i tij ishte se do t’i ndalojë protestat me ligj. Të gjitha mediat nuk e penalizuan për këtë deklaratë tronditëse diktatoriale që përdor ky biri i ekzekutorit të poetit Havzi Nela, ky përçmues, diktatori i dytë i popullit shqiptar pas Enver Hoxhës.

    Vetëm Shqipëria do të mbetet në Librin Gines, që ka Kryeministër një bir ekzekutori dhe që qeveriset nga një parti që ka kryer krime monstruoze ndaj shqiptarëve.

    Kur dëgjova deklaratat e këtij diktatori, vendosa t’i drejtohem publikisht si një aktivist i të drejtave dhe lirive të njeriut, si një qytetar i këtij vendi, të cilin pushkatimet, mbytjet në hetuesi dhe burgimet politike e kanë shoqëruar gjatë diktaturës komuniste.

    Si përfaqësues i të burgosurve dhe të përndjekurve politikë të Shqipërisë, në emër të antikomunistëve shqiptarë që e lanë Shqipërinë me gjak, po ju drejtohem:

    Kush je ti që më ndalon të drejtën të protestoj në vendin tim?!

    Kush je ti që dhunon studentët që kërkojnë demokraci dhe duan Shqipërinë, atdheun e tyre?!

    NE protestojmë për 6.000 shqiptarët e vrarë nga partia jote dje, ndërsa sot ti i përçmon dhe i lë pa varr!

    NE protestojmë për 40.000 shqiptarët që u dhunuan dhe bënë 917.000 vite burg politik nga partia jote, ndërsa ti u dhe pensione marramendëse xhelatëve që torturuan këta martirë të lirisë.

    NE protestojmë sepse ti po vret lirinë e shqiptarëve, që e fituan me gjak.

    NE protestojmë kundër mafies shtetërore që krijove ti, diktatori Kryeministër Edi Rama.

    NE protestojmë për të drejtat e antikomunistëve, që ti, bashkë me të korruptuarit e Europës, të cilët u blenë me paratë e korrupsionit dhe të drogës tënde, ua mohuat prej 36 vitesh të burgosurve dhe të përndjekurve politikë.

    NE protestojmë për pronën e shqiptarëve, që e grabite me anë të pushtetit tënd mafioz.

    NE protestojmë për fëmijët tanë, që i ke degdisur nëpër Europë.

    NE protestojmë kundër mafies që është instaluar në pushtet me ju, bijtë e kriminelëve të djeshëm!

    NE protestojmë kundër vjedhjeve të miliona e miliarda lekëve që ke vjedhur ti me qeverinë tënde gjatë 28 viteve në politikën shqiptare!

    NE protestojmë sepse ju keni vrarë të ardhmen e studentëve që kërkojnë të qëndrojnë në Shqipëri.

    NE protestojmë që ti dhe qeveria jote të jepni llogari para drejtësisë për korrupsionin që keni krijuar.

    NE protestojmë që fëmijët tanë të mos jenë skllevërit tuaj, si gjatë këtij tranzicioni.

    Morali dhe forca e studentëve për një Shqipëri demokratike do të fitojnë mbi pushtetin tënd kriminal.

    Kush je ti që më ndalon të protestoj?! Fundi yt është fitorja e demokracisë dhe lirisë mbi krimet e tua.

    Populli të urren si diktator. Diktaturat kanë fund të hidhur, Edi Rama!

    Ti dhe pushteti yt i korruptuar nuk mund ta ndaloni popullin shqiptar të protestojë për lirinë e tij!

    Ne mbrojmë LIRINË! Ju mbroni DIKTATURËN! Fundi yt është i turpshëm! Panorama

    Lajmi Paraprak

    “Qyteti i sigurt” / Nga Dibra në Ohër, drejtuesit e automjeteve bëhen më të kujdesshëm

    Lajme tjera

    Ky regjim duhet shembur

    DR.SC.LIDA SHOSHA SHËRIMI I NJË KOMBI NGA KANCERI Shpesh në gjuhën mjekësore, fjala kancer nënkupton një sëmundje të…
    Më tepër

    Anomia 2026

    BEN ANDONI Shoqëria shqiptare i kishte dhënë sinjalet prej kohësh të një tejlodhje të saj ndaj institucioneve, problemeve…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë