Çmimet botërore të ushqimeve u rritën fuqishëm në shtator, me ritmin më të shpejtë që nga marsi i vitit 2022, apo në një vit e gjysmë të kaluar njoftoi javën e kaluar Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë. Indeksi botëror i çmimeve të ushqimeve për muajin shtator është 124.4 pikë, që paraqet një rritje prej tre për qind krahasuar me gushtin, sipas të dhënave zyrtare. Kjo në fakt paraqet shtrenjtimin më të madh të ushqimit në nivel mujor që nga muaji mars 2023, tregojnë llogaritë e FAO. Ky rezultati është pasojë e rritjes së indeksit në të gjitha kategoritë, pasi u shënua rritje e njëkohshme e çmimit të sheqerit, vajrave bimore, drithërave, produkteve të qumështit dhe mishit.
Çmimet e sheqerit u rritën më së shumti në shtator, deri në 10.4 për qind në krahasim me gushtin, duke reflektuar parashikime më të këqija për korrjen e kallamsheqerit në Brazil dhe frikën se vendimi i Indisë për të hequr kufizimet në përdorimin e kallam sheqerit në prodhimin e etanolit mund të reduktojë ndjeshëm furnizimin. Rritje të ndjeshme është edhe çmimi i vajrave vegjetale, me 4.6 për qind krahasuar me muajin gusht. Çmimet e vajit të palmës u mbështetën nga prodhimi i dobët i papritur dhe parashikimet e pafavorshme për prodhuesit kryesorë në Azinë Juglindore. Sipas FAO, çmimi i vajit të lulediellit është rritur pak për shkak të uljes së prodhimit të farave të lulediellit.
Vlera e indeksit të çmimeve të drithit në shtator ishte në nivelin 113.5 pikë, që është tre për qind më shumë se në muajin gusht, veçanërisht për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në disa vende që janë eksportuesit kryesorë të drithërave.
Vlera e indeksit të çmimit të sheqerit u rrit 10.4 për qind në 125.7 pikë në muaj, kryesisht për shkak të motit të thatë dhe zjarreve në fund të gushtit në Brazil, që dëmtuan të korrat e kallam sheqerit. Indeksi i çmimeve të qumështit dhe produkteve të qumështit u rrit me 3.8 për qind nga gushti, duke reflektuar kërkesën e fortë për qumështin pluhur të plotë dhe të skremuar, gjalpin dhe djathin.
Drithërat gjithashtu u rritën ndjeshëm në çmim, me tre për qind në krahasim me gushtin, për shkak të reshjeve jashtëzakonisht të forta në BE dhe Kanada, të cilat ngritën çmimet e grurit dhe misrit. Çmimet e mishit u rritën më lehtë, me vetëm 0.4 për qind, pasi çmimet e qëndrueshme të mishit të viçit dhe derrit dhe rënia e çmimeve të mishit të deles zbutën rritjen e çmimeve të mishit të shpendëve. Nga ana tjetër, kostoja e ushqimit për një familje në Maqedoni përbën së paku 35 për qind të buxhetit të familjes, ndërsa në vendet perëndimore shuma që ndahet është rreth 14 për qind, tregojnë të dhënat krahasuese të statistikave evropiane dhe vendore. Kjo tregon edhe rënien e ndjeshme të standardit edhe ashtu të ulët të jetesës së qytetarëve.
Statistikat tregojnë se familjet në Gjermani harxhojnë në mesatare 14.6 për qind apo 417 euro për ushqim pije dhe duhan, për dallim prej Maqedonisë ku sipas shportës sindikale të vlefshme 61.199 denarë bile 36.5 për qind apo 22,317 denarë supozohet të harxhohen për ushqim dhe pije.
Sociologët thonë se fakti që qytetarët e Maqedonisë shpenzojnë bile një të tretën e të ardhurave të tyre mujore për ushqim, është pasqyrim i standardit të ulët dhe presionit të qytetarit në vend për të mbijetuar deri në pagën e ardhshme. Ekonomistët thonë se çmimet e larta të ushqimeve godasin sidomos shtresat e varfëra të popullatës , ndërsa një goditje shtesë për standardin është edhe inflacioni jo i vogël në vitet e kaluara. Për më tepër edhe çmimet e ushqimeve në Maqedoninë e Veriut që në vitin 2023 ishin 68 për qind të mesatares së BE-së, akoma janë mjaft të shtrenjta për popullatën ku shumica pranojnë paga mujore larges mesatares prej 40.961 denarë apo afër 700 euro.
Statistika evropiane tregon se ushqimi më i lirë ishte në Turqi, me 36 për qind nën mesataren e BE-së. Sa për ilustrim, polakët paguanin për ushqim dhe pije 225 për qind më pak se mesatarja e BE-së, bullgarët 11.7 për qind më pak se mesatarja dhe rumunët kishin ushqimin më të lirë në BE vitin e kaluar me çmime në 73.5 për qind të mesatares së BE-së.
Fondi i zvogëluar i kafshëve, pak fermerë të rinj si dhe plakja e tyre, betonizimi i tokave punuese, kostoja e shtrenjtë e prodhimit që shpesh nuk shpaguan prodhimin bujqësor e blegtoral , problemet për çdo vit me shitjen e sigurt të prodhimeve bujqësore vlerësohen të jenë disa nga shkaqet e importit të madh të produkteve ushqimore dhe bujqësore.
Ekspertët thonë se përderisa Maqedonia e Veriut është e varur nga importi i produkteve dhe prodhimi vendor është në rënie, vështirë se do të ketë ndryshime të trendeve të tilla. Ne importojmë gjithnjë e më shumë, dhe prodhojmë gjithnjë e më pak për konsum të gjerë. Duhet të ndryshojmë mendësi, duhet të ndryshojmë strategjinë që do të mbështesë prodhimin vendas, që sigurisht duhet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve. Nëse vazhdojmë të jemi të varur nga importi, çmimet do të jenë më të larta, theksojnë ekspertët bujqësor. /Koha/