Çmimet nuk janë ulur, madje disa produkte ushqimore janë shtrenjtuar

    Qeveria po analizon nëse do të ndihmojë kompanitë nga sektori ushqimor, për uljen e doganës për blerjen e lëndëve të para nga jashtë vendit. Kërkesat e kompanive po shqyrtohen dhe shumë shpejt do të dalin me zgjidhje konkrete, thonë për Alsat, nga Qeveria, përcjell Nistori.

    “Ne kemi dialog të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit dhe të gjitha çështjet e hapura i zgjidhim përmes një procesi gjithëpërfshirës. Në fillim të këtij viti kemi miratuar edhe amendamentet ligjore që hoqën ose i ulën doganat për mbi 250 mallra industriale”, thonë nga Qeveria.

    Kompanitë konkretisht nga industria e mishit pohojnë se do të mund të ulin çmimet e produkteve të tyre vetëm nëse do të heqin shpenzimet doganore për lëndët e para që i blejnë për prodhimin e tyre. Me këtë kosto, ankohen se nuk janë konkurrues me produktet nga jashtë që shiten në tregjet vendore. Me rrymën e lirë biznesmenët thonë se do të mund t’i ulin produktet vetëm deri në 5%, ndonëse përllogaritjet e qeverisë ishin që çmimet do të ulen për të paktën 10%. Por as ky reduktim prej 5% i paralajmëruar nga industria e mishit nuk ndodhi.

    Masa për energji më të lirë elektrike prej 80 euro për megavat orë ka qenë në dispozicion për rreth 1000 kompani nga sektori i ushqimit. Për të aplikuan rreth 250 kompani, por sipas autoriteteve është detyrim edhe ata të ulin çmimet nga 10 deri në 15 për qind sepse kanë pasur mundësi të aplikojnë, por nuk e kanë shfrytëzuar.

    Qytetarët ankohen se ende nuk ka korrigjim të çmimeve të produkteve ushqimore, edhe pse rryma është më e lirë. Konfirmim për atë se jeta në Maqedoni bëhet gjithnjë e më  e shtrenjtë janë edhe të dhënat nga raporti i Entit Shtetëror për Statistika, të cilat tregojnë se kostoja e jetesës në periudhën nëntor të vitit të kaluar dhe muajin e njëjtë të këtij viti është rritur për 19,5 për qind. Vetëm shpenzimet për ushqim janë rritur me mbi 30 për qind. Ndër to, çmim më i lartë është vërejtur te buka, mbi 40 për qind, qumështi, djathi dhe vezët shiten më shtrenjtë me gati 40 për qind, mishi është më i shtrenjtë për gati 30 për qind. Rritje serioze ka edhe te çmimet e perimeve dhe frutave, ëmbëlsirat, pijet e ngrohta dhe pijet joalkoolike.

    Lajmi Paraprak

    BE: Maqedonia e Veriut ka bërë kufizime të paarsyetuara tregtare

    Lajmi i rradhës

    Dikur dëgjohej zhurma e fëmijëve, tashmë rrugët e fshatit Cërni Vërv janë boshatisur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë