Nga akademi ranë në shoqatë – VLEN zyrtarisht do ta mbështesë financimin e Shoqatën e Akademikëve Shqiptarë

    Katër krerë komunash të udhëhequra nga kuadro të koalicionit VLEN ranë dakord që të bashkëfinancojnë projektet e akademikëve shqiptar, si dhe të bëjnë pagesën e qerasë së lokalit ku është e vendosur Shoqata e Akademikëve shqiptarë për shkencë dhe kulturë.

    Kjo marrëveshje u arrit sot pas takimit që kryetarët e komunave të Tetovës, Gostivarit, Zhelinës e Çairit, zhvilluan bashkë me përfaqësuesit e Akademisë Shqiptare për shkencë, art e kulturë.

    “U dakodruam për udhëtimin e këtij  projekti të rëndësishëm në të gjitha fushat, si të organizimit akademik, formalo-juridik por edhe të përkrahjes financiare që fillimisht do të nis si përkrahje nga katër komunat. Pra, edhe një herë ne si katër komuna të udhëhequra nga kryetarë shqiptarë, shprehim përkrahjen e parezervë për këtë projekt të rëndësishëm kombëtar dhe tregojmë përkushtimin tonë që në të ardhmen deri në institucionalizimin e kësaj ideje të jemi pranë këtij projekti të rëndësishëm kombëtar”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

    “Ne me kryetarët e komunave nuk kemi asgjë tjetër përveç se zhvillojmë dialogun shoqëror, e që ka të bëj me atë se gjithë segmentet e shoqërisë të sensibilizohen dhe të na shohin neve si miq të shoqërisë dhe të shkencës”, u shpreh Hasan Jashari, Drejtues i Shoqatës së Akademikëve Shqiptarë.

    Jashari tha se bashkë me përfaqësuesit e koalicionit VLEN, po punohet edhe në drejtim të zgjidhjes ligjore të kësaj nisme, gjë që mbështetet edhe nga krerët e VLEN-it.

    “Propozimi që është dhënë për zgjidhje ligjore të kësaj ideje do të analizohet brenda koalicionit VLEN dhe nëse do ketë nevojë do organizojmë edhe një debat publik me prezencë të deputeteve të koalicionit por edhe deputetëve të tjerë të parlamentit. Në mënyrë paralele po punojmë edhe me partnerin tonë të qeverisë që sa më shpejtë dhe sa më mirë ky projekt të gjej zgjidhje ligjore. Për momentin bëhet fjalë për një organizim që më mirë është gjetur brenda ligjeve aktuale, por në të ardhmen si VLEN do angazhohemi që ky projekt të ketë edhe zgjidhje ligjore”, theksoi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

    Sipas pjesëtarëve, nevoja për një Akademi Shqiptare vjen si pasojë e refuzimit të shkencëtarëve shqiptarë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, ku ka vetëm një akademik shqiptar.

    Akademia tashmë ka nisur përpilimin e projekteve të para shkencore, ndërsa hulumtimi i parë, do të jetë hulumtimi që ka të bëj me testet PISA dhe faktin që nxënësit shqiptarë në Maqedoni janë treguar më të dobët nga bashkëmoshatarët e tyre të komunitetit maqedonas. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Pse fëmijët shfaqin agresivitet dhe si mund të ndihmohen të përballojnë emocionet e tyre?

    Lajmi i rradhës

    Shqipëria hap kapitullin e parë për BE – Pushteti e opozita në RMV me akuza se kush ka faj që vendi ngeci në integrim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë