Banorët e Nerovës e nisën ndërtimin e shkollës me vetëfinancim, komuna e mban peng përfundimin me procedura urbanistike

    Përfundimi i objektit shkollor në Norovë, përmirësimi i kushteve në institucionet arsimore dhe sfidat me të cilat përballen nxënësit ishin ndër temat kryesore të takimit të zhvilluar në Komunën e Krushevës, ndërmjet kryetarit Niko Çoneski dhe përfaqësuesve të sektorit të arsimit, përcjell Nistori.

    Gjatë vizitës së realizuar sot në Komunën e Krushevës, është diskutuar për gjendjen e objekteve shkollore, politikat arsimore në nivel lokal dhe nevojën për investime në përmirësimin e kushteve të mësimdhënies.

    Vëmendje e veçantë i është kushtuar shkollës në vendbanimin Norovë, ndërtimi i së cilës ka nisur falë iniciativës së banorëve dhe mbështetjes financiare të donatorëve, por që ende nuk ka përfunduar.

    Sipas informacioneve të përcjella gjatë takimit, kryetari i Komunës së Krushevës, Niko Çoneski, ka bërë të ditur se procedurat urbanistike për vendbanimin Norovë ndodhen në fazën përfundimtare. Finalizimi i tyre pritet të krijojë kushtet për përgatitjen e dokumentacionit projektues dhe vazhdimin e punimeve në objektin shkollor.

    “Kryetari Çoneski na informoi se procedurat për urbanizimin e vendbanimit Norovë janë në fazën përfundimtare. Përfundimi i tyre do të mundësojë përgatitjen e dokumentacionit projektues dhe vazhdimin e punimeve për përfundimin e objektit shkollor”, thuhet në njoftimin për vizitën.

    Pas takimit në komunë, delegacioni, i shoqëruar nga kryetari Çoneski, ka vizituar objektet shkollore në Norovë, Aldancë dhe Vërbovec, për t’u njohur nga afër me gjendjen infrastrukturore dhe nevojat e institucioneve arsimore në këto vendbanime.

    Nga takimi është theksuar rëndësia e bashkëpunimit institucional ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe pushtetit lokal, me qëllim adresimin e problemeve ekzistuese dhe krijimin e kushteve më të përshtatshme për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor.

    “Angazhimi ynë i përbashkët do të jetë që, përmes bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe pushtetit lokal, të punojmë drejt zgjidhjes së problemeve ekzistuese dhe krijimit të kushteve sa më të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor”, theksohet më tej në njoftim.

    Në përfundim, është ritheksuar se përmirësimi i infrastrukturës shkollore dhe sigurimi i kushteve të përshtatshme për nxënësit mbeten prioritete që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm institucional.

    “Çdo nxënës meriton kushte të përshtatshme për të mësuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tij. Për këtë qëllim, do të vazhdojmë të jemi pranë shkollave dhe nxënësve, duke i trajtuar me përkushtim nevojat dhe sfidat e tyre”, thuhet në fund të njoftimit.

    Megjithatë, në njoftim nuk është përcaktuar një afat konkret për rifillimin e punimeve dhe përfundimin e objektit shkollor në Norovë, ndërsa realizimi i projektit mbetet i lidhur me përmbylljen e procedurave urbanistike dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm.

    Lajmi Paraprak

    Komuna e Tetovës i çon borxhlinjtë në përmbarues

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë