Muajin e kaluar, Shqipëria u shkëput nga Maqedonia e Veriut, e cila mbetet e bllokuar në rrugën e saj të anëtarësimit për shkak të vetos së Bullgarisë. Vendimi u kritikua nga analistë. Ndërkaq Shqipëria edhe zyrtarisht hapi negociatat me Bashkimin Europian në kuadër të konferencës së dytë ndërqeveritare që po zhvillohet në Luksemburg. Kjo ngjarje përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit në BE. Gjatë konferencës, u diskutuan prioritetet e reformave, si dhe sfidat që duhen përballuar për të avancuar në këtë rrugë. Pritet që të ketë angazhime për të forcuar sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa përfaqësuesit e BE-së do të shprehin mbështetje për përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim.
Kjo konferencë do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për Klasterin 1, ku përfshihen disa kapitujt në fushat të ndryshme. Grup-kapitulli i parë është një ndër më të rëndësishmit, pasi prek fusha thelbësore, siç janë drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik apo reforma e administratës publike. Ky grup-kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Konkretisht, kapitujt për: Funksionimi i institucioneve demokratike! Reforma e administratës publike! Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore! Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria! Kriteret ekonomike!. Kapitulli 5 – Prokurimi publik! Kapitulli 18 – Statistikat! Kapitulli 32 – Kontrolli financiar.
Kapitujt negociues ndahen në 6 grupime tematike: Bazat; tregu i brendshëm; konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; agjenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; burimet, bujqësia dhe kohezioni dhe marrëdhëniet e jashtme. Ky shihet dhe si një moment i rëndësishëm i Shqipërisë në hapjen e negociatave me BE-në.
Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2009 dhe në të njëjtin vit paraqiti një kërkesë për anëtarësim në BE. Konferenca e parë ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit u zhvillua në korrik 2022. Progresi i Shqipërisë deri më tani ka qenë i lidhur me përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së. Vendet e Unionit e braktisën këtë praktikë në shtator, në mënyrë që Shqipëria të jetë vendi i parë kandidat për anëtarësim që hap negociatat sipas një metodologjie të modifikuar të zgjerimit, njoftoi presidenca hungareze e BE-së. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje veçanërisht problematike për Shqipërinë.
Nga Luksemburgu, në prag të mbajtjes së takimit të Këshillit të Bashkimit Europian, kryeministri Edi Rama e cilësoi si një ditë të mirë dhe emocionuese për Shqipërinë, e cila hap sot negociatat me unionin për një grup kapitujsh të rëndësishëm. Teksa u angazhua se Shqipëria do të jetë gati për t’u anëtarësuar në BE brenda 2030, kreu i qeverisë u shpreh mes të tjerash se lufta në Ukrainë zgjoi dhe më skeptikun në vendet e unionit se procesi i zgjerimit duke përfshirë dhe vendet e Ballkanit e bën unionin edhe më të fortë.
“Është mënyra më e mirë për të nisur ditën dhe pavarësisht motit gri të Luksemburgut jemi entuziastë që më se fundi që nisim pjesën më të vështirë të punës çka nënkupton hapjen e grupkapitujve të themelorëve që do të na bëjnë të ecim për përpara dhe do të përmbyllin brenda afatit tonë ambicioz këtë proces të negociatave dhe do ta bëjmë Shqipërinë që të ulet si e barabartë në tryezën e BE. Jemi të përkushtuar ndaj BE që nga dita e parë që i ikëm Diktaturës. Pavarësisht situatës apo niveleve të ndryshme të vëmendjes, ne nuk kemi hequr dorë. Për ne BE është i vetmi vend ku duam të jemi. I vetmi vend që duam të lemë brezat e ardhshëm. Ky është një moment i veçantë falë dhe Putin, i cili zgjoi më skeptikun që pa që Ballkani është i nevojshëm për një Evropë më të fortë. Do të bëjmë më të mirën që kjo dritare mundësie të mos mbyllet pa ne. Kemi një mal me detyra shtëpie, por jemi në ngjitje e sipër me vullnet dhe nuk kemi dyshim që do të arrijmë atë që duhet. Do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Europian brenda 2030”, tha Rama.
Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE u mbajt më 19 korrik 2022, datë që shënoi një moment historik për vendin tonë: Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Hapja e negociatave për Shqipërinë, erdhi 8 vite pas marrjes së statusit të vendit kandidat. Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi kandidatit për në BE në qershor 2014. BE mbajti Konferencën e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik 2022. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, vlerësoi dje se Shqipëria ndodhet në orët e fundit të çeljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Duke folur në samitin e Grave të Diasporës në Tiranë, Hasani vuri në dukje se falë përpjekjeve, Shqipëria ka hedhur hapa konkretë përpara, të matshëm dhe realë, në rrugëtimin si një vend me institucione të konsoliduara demokratike, progresi i të cilit njihet dhe pranohet edhe prej miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Kështu – shtoi ai – kemi mbërritur në orët e fundit për çeljen e negociatave me Komisionin Europian për kapitujt e parë për anëtarësimin e vendit tonë në BE, një hap më tej i njohjes së seriozitetit të reformave dhe angazhimeve tona për këtë proces jetik të Shqipërisë dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë dhe falë jush këto realitete po bëhen gjithnjë e më të prekshme”.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në fjalën e tij gjatë Samitit të V të Gruas Shqiptare të Diasporës, vuri theksin te rëndësia e pjesëmarrjes së grave të diasporës në procesin zgjedhor të ardhshëm. “Një lajm i mirë është që në zgjedhjet e pranverës së ardhshme, vota e anëtarëve të Diasporës do të garantohet nga vendi i tyre pritës, duke bërë të mundur një të drejtë kushtetuese, por edhe një kërkesë të vazhdueshme nga diaspora jonë. Vota e diasporës është një moment historik dhe një ‘borxh’, që u kthehet shqiptarëve që jetojnë jashtë”, u shpreh ministri Hasani. Ai foli për rëndësinë e krijimit të Regjistrit të Diasporës së Kualifikuar dhe zbatimi i programeve kombëtare dhe atyre të përbashkëta me institucione ndërkombëtare.
Ndërkaq, në margjinat e ditës së parë të të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit” që po zhvillohet në Republikën Federale të Gjermanisë, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski theksoi përshtypjet e takime të shumta me politikanët pjesëmarrës në aktivitet, njoftojnë nga shtypi i Qeverisë. Ai e vlerësoi takimin me kancelarin gjerman Olaf Scholz si shumë produktiv dhe konfirmoi se Gjermania mbetet mbështetësja jonë e fortë dhe aktive. “Mesazhi që më ka mbërritur këtu në Berlin është se Gjermania mbetet mbështetës, aleat dhe partner i fuqishëm ynë në procesin e integrimeve evropiane”, tha Mickoski për “RTVM”, i cili shtoi se të njëjtën mbështetje e kanë riafirmuar edhe liderët e tjerë të qeverive dhe liderët politikë pjesëmarrës në proces.
Mickoski nga Berlini tregoi se para të pranishmëve i ka prezantuar edhe prioritetet e qeverisë.
“Ky ishte një rast i mirë për të prezantuar planet tona në aspektin ekonomik dhe në ambicien tonë për të qenë një udhëkryq në Ballkan, në kuptimin e të qenit një udhëkryq i flukseve energjetike, infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturës hekurudhore, sepse si natyrshëm ashtu edhe Gjeografikisht jemi ai kryqëzim i 2 korridoreve të rëndësishme evropiane, Korridorit 8 dhe Korridorit 10”, tha Mickoski. /Koha/