A do të përfundojë lufta në Ukrainë në vitin 2024?

    Konfirmimi i Vladimir Putinit se ai do të kandidojë sërish për president në vitin 2024 ishte i parashikueshëm, por a mund të ketë ndonjë surprizë vitin e ardhshëm në luftën që ai filloi në Ukrainë?

    Rusët shkojnë në votime nga 15 marsi, më pak se një muaj pasi agresioni në shkallë të gjerë shënon përvjetorin e tij të dytë.

    Të dyja palët duken të “lodhura” ndaj një konflikti të gjatë, me numrin e lartë të viktimave, humbjet e pajisjeve dhe dëmet ekonomike që nga fillimi i 24 shkurtit 2022.

    Por Putin dhe homologu i tij ukrainas, Volodymr Zelensky ruajnë synimet maksimaliste që përjashtojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës menjëherë dhe ekspertët i kanë thënë Newsweek se luftimet ka të ngjarë të vazhdojnë deri në vitin 2025.

    Megjithatë, nuk mund të përjashtohen “faktorë të jashtëm”, siç ishte sfidimi i autoritetit të Putinit nga shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, vdekja e të cilit në një aksident aeroplani pasoi marrjen e objekteve ushtarake në Rostov-on-Don dhe një marshim drejt Moskës.

    Gjithashtu, Kremlini ka hedhur poshtë vazhdimisht zërat për shëndetin e Putinit.

    “E vetmja mënyrë se si mund të parashikoj që lufta në Ukrainë të përfundojë në vitin 2024 është nëse Vladimir Putin vdes”, ka thënë për Newsweek, Beth Knobel, profesoreshë e komunikimit dhe studimeve të medias në Universitetin Fordham dhe ish-shefi i zyrës së CBS News në Moskë.

    “Teorikisht është e mundur që Rusia të përfitojë nga një ndryshim në udhëheqje për të provuar të shpallë fitoren dhe thjesht të mbajë tokën që ka rrëmbyer që nga shkurti i vitit 2022”, mendon ajo.

    “Por edhe nëse Putin vdes, mendoj se ka vetëm një shans të vogël që Rusia të tërhiqet nga lufta, sepse ajo tashmë ka investuar kaq shumë nga imazhi i saj kombëtar për të fituar”.

    Ndryshe, një kundërofensivë e parashikuar gjerësisht e Ukrainës që filloi në qershor me qëllim rimarrjen e territorit të pushtuar nga Rusia, nuk ka bërë përparimin që aleatët e Kievit dëshironin.

    Vlerësimi i komandantit të përgjithshëm të Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi, se luftimet kishin hyrë në një “ngërç” u hodh poshtë nga Zelensky në mes të thashethemeve për një ndarje midis figurave më të shquara të vendit dhe raporteve për një riorganizim të lartë në Vitin e Ri.

    “Me kundërofensivën e ngecur, ka një pesimizëm të përhapur në lidhje me shanset e Ukrainës për të mposhtur Rusinë dhe për të rifituar territoret e pushtuara”, ka thënë për Newsweek, Peter Rutland, profesor i Studimeve Ruse, të Evropës Lindore dhe Euroaziatike në Universitetin Wesleyan, në Middletown, Connecticut.

    “Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ka gjasa të ketë bisedime serioze paqeje dhe një fund të mundshëm të luftës në vitin 2024”.

    “Qëllimet e Rusisë nuk kufizohen vetëm në mbajtjen e territoreve të pushtuara – ata duan të shohin një regjim politik që u përshtatet të instaluar në Kiev, dhe ata ende besojnë se kjo është e mundur. Së paku, Putini do të presë deri në zgjedhjet e nëntorit 2024, për të parë nëse Donald Trump kthehet”.

    Trump dhe Republikanët

    Kandidati kryesor republikan është shpallur nga propagandistët e Kremlinit si “banori” i favorizuar i Moskës në Shtëpinë e Bardhë.

    Trump e përshkroi Putinin si “shumë të zgjuar” pas agresionit në shkallë të plotë dhe ka hedhur poshtë vlerësimet e inteligjencës amerikane se Putini kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016.

    Newsweek vë në pah faktin se vizita e Volodymyr Zelensky në Uashington, DC, më 12 dhjetor, ishte “më e thjeshtë” se trajtimi në tapetin e kuq që ai mori më parë.

    Në vend të 61 miliardë dollarëve që kërkonte, ai mori një premtim të rinovuar nga presidenti Joe Biden dhe një pjesë të ndihmës ushtarake prej 200 milionë dollarësh për interceptorët e mbrojtjes ajrore, artilerinë dhe municionet.

    Por republikanët e Kongresit duan që ndihma e Ukrainës të lidhet me reformën gjithëpërfshirëse të imigracionit.

    Veç kësaj, lufta Izrael-Hamas që filloi më 7 tetor po konkurron gjithashtu për vëmendje.

    “Ndihma shtesë dhe dërgesat e armëve në Ukrainë do të ndërpriten me konfliktin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme dhe Shtetet e Bashkuara që do të hyjnë në një vit zgjedhor”, parashikon Isil Akbulut Gok, profesor i asociuar në “Department of Government at Sacred Heart University, Fairfield, Connecticut”.

    “Unë besoj se lufta mund të shtrihet edhe në vitin 2025 dhe mbështetja ndërkombëtare për të dyja palët do ta zgjasë luftën pasi as Ukraina dhe as Rusia nuk mund të arrijnë përparime të mëdha dhe të shpallin fitoren”, ka thënë Gok për Newsweek.

    Ndërsa Mert Kartal, një profesor i asociuar i qeverisë në Universitetin St. Lawrence, Canton, Nju Jork, beson se Biden mund të përpiqet të forcojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën në pranverën e vitit 2024, duke shfrytëzuar një fitore të Ukrainës si pjesë e fushatës së tij presidenciale.

    “Së paku, ai do të ndërmerrte hapat e nevojshëm për të parandaluar humbjen e Ukrainës përpara javës së parë të nëntorit 2024. Megjithatë, bindja e anëtarëve të Partisë Republikane, gjithnjë e më të dyshimtë për mundësinë e humbjes së Putinit, do të përbëjë një sfidë të rëndësishme”, tha ai për Newsweek.

    Por ndërsa ligjvënësit republikanë luftojnë për reformën e imigracionit, veçanërisht në kufirin jugor të SHBA-së, përpara mbështetjes financiare për Ukrainën, “nuk do të ishte e paarsyeshme të pritet që Biden, të paktën, të përpiqet të zgjasë konfliktin deri në vitin 2025”.

    Angazhimi i Putinit

    Në një pranim të rrallë të detajeve operacionale, Putin ka thënë se 617,000 trupa ishin në fushat e betejës në Ukrainë dhe qëllimet e “operacionit special ushtarak” mbeten të pandryshuara – domethënë “denazifikimi i Ukrainës, demilitarizimi i saj , statusi i saj neutral”.

    Një raport i inteligjencës amerikane zbuloi se Rusia kishte humbur 87 për qind të forcave të saj para pushtimit, ose 315,000 trupa – dhe me një mobilizim të ripërtërirë që pritet pas zgjedhjeve që tregon gatishmërinë e Putinit për të sakrifikuar popullin e tij, shkruan Newsweek, përcjell Telegrafi.

    Në dhjetor, ai miratoi shpenzimet që do të bëjnë që ushtria të marrë rreth 30 për qind të buxhetit total të Rusisë në vitin 2024.

    “Një zgjidhje e negociuar afatgjatë duket gjithashtu shumë e pamundur. Pasi ka shpenzuar kaq shumë gjak, thesar dhe prestigj në këtë luftë, Putini politikisht nuk mund të përballojë asgjë më pak se një fitore vendimtare”, parashikon Gregory Vitarbo, profesor i historisë në Meredith College, Raleigh, North Carolina.

    “Fatkeqësisht, ekziston një shans shumë real që lufta ruso-ukrainase të zgjasë përgjatë vitit 2024 dhe ndoshta edhe më tej”, tha ai.

    Mësimi i Nagorno-Karabakut

    Ndërkohë, Putini mund të shikojë në hapësirën post-sovjetike për një shembull “se si të luhet një lojë e gjatë”, tha David Rivera, asistent profesor në Kolegjin Hamilton, Clinton, Nju Jork.

    Në vjeshtë, forcat e Azerbajxhanit mundën trupat armene dhe rimorën rajonin e diskutueshëm të Nagorno Karabakut, tri dekada pasi Baku kishte pësuar një disfatë ushtarake ndaj Armenisë.

    “Në hijen e këtyre ngjarjeve të fundit që Putini i njeh dhe i kupton shumë mirë, pres që ai të vazhdojë përpjekjet e tij për të dëmtuar ekonominë e Ukrainës, për të shkatërruar infrastrukturën e saj dhe madje për të shpopulluar territorin e saj në mënyrë që ajo të mos jetë në gjendje të ndërtojë fuqinë e saj ushtarake – dhe më pas të shkojë me një kundërofensivë”, tha Rivera për Newsweek.

    “Nëse Vladimir Putin po nxjerr mësime nga konflikti dhjetëvjeçar armeno-azerbajxhanas mbi Nagorno-Karabakun, atëherë duhet të presim që lufta të vazhdojë e pandërprerë të paktën përgjatë vitit 2024”, shtoi ai.

    Arritjet e Ukrainës

    Mund të mos ketë pasur përparime të rrufeshme në vitin 2023, por Ukraina mund të tregojë disa përfitime këtë vit.

    Kievi ka rimarrë më shumë se gjysmën e tokës që Rusia kishte pushtuar që nga fillimi i luftës në shkurt 2022 dhe rrëmbeu titujt e lajmeve duke çliruar fshatra dhe qytete në jug dhe lindje.

    Dhe pavarësisht se kryeministri hungarez Viktor Orban, aleati më i afërt i Putinit në BE, vendosi veton ndaj një pakete mbështetjeje prej 55 miliardë dollarësh nga Brukseli për Kievin në mes të dhjetorit, mbështetja nga aleatët e tjerë evropianë ka qenë e fortë.

    “Unë nuk mendoj se njerëzit në SHBA duhet të supozojnë se përpjekjet e vazhdueshme të Ukrainës për të larguar rusët varen tërësisht nga veprimet e SHBA apo edhe të Evropës Perëndimore”, mendon Rachel Epstein, profesore e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikës Evropiane në Universitetin e Denverit.

    “Ndjenja ime është se edhe pa mbështetjen e jashtme, ukrainasit do të vazhdojnë të luftojnë”, tha ajo për Newsweek. “Ukraina mund të ndryshojë taktikat për t’u marrë me një rënie të ndihmës perëndimore, por unë nuk besoj se ata do të dorëzohen”.

    Ndryshe, Ukraina ndërpreu operacionet e Rusisë rreth Krimesë së pushtuar, duke dëmtuar radarët rusë, mbrojtjen ajrore dhe anijet në Detin e Zi. Trupat ukrainase kanë thyer gjithashtu mbrojtjen ruse në lumin Dnipro.

    E Mark Temnycky, një gazetar ukrainas-amerikan dhe anëtar jorezident në Qendrën Eurasia të Këshillit Atlantik tha se vonesat në vitin 2023 i lejuan Rusisë të forconte pozicionet në jug dhe lindje të Ukrainës, të rigrupohej dhe të ristrategjizohej.

    “Nëse rrethanat nuk ndryshojnë, nuk ka gjasa që lufta të përfundojë në vitin 2024”, tha ai për Newsweek. “Megjithë fitimet e ngadalta në vitin 2023, morali ukrainas mbetet i lartë. Shumica e vendit ende beson se do ta fitojnë luftën dhe nuk do të pranojnë asnjë rezultat tjetër përveç largimit total të forcave ruse nga tokat ukrainase”. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    “Rryma në veri do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të Kosovës”

    Lajmi i rradhës

    Dhjetë termet më të përdorura gjatë vitit 2023

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë