
Gazetar: Bashkim Iljazi
Mali Sharr njihet për bukuritë mbresëlënëse që ka, natyrën shumë frymëzuese dhe bjeshkët piktoreske. Një prej vendeve më atraktive në Malin Sharr, është edhe Leshnica, me ujëvarat e saj.
Nistori ka vizituar këtë atraksion turistik, ku kemi shkrepur fotografi mahnitëse në të cilat shihet ndërthurja e ngjyrave të stinës së vjeshtës. Leshnica viteve të fundit është vërshuar nga turistët vendorë dhe të huaj, si dhe është bërë destinacion mjaft i preferuar i atyre që parapëlqejnë turizmin malor.

Leshnica ndodhet mbi fshatin Bozovcë të Komunës së Tetovës, ndërsa është vend i qasshëm edhe me makina edhe në këmbë. Për të shijuar në maksimum bukuritë e shkëmbinjve të mëdhenj dhe maleve të dendura, preferohet që kjo rutë të bëhet në këmbë.
Pas përhapjes së turizmit në këtë zonë, mjaft i dëshiruar është bërë edhe kalërimi, si dhe çiklizmi, sporte të cilat bëhet nga turistët të apasionuar pas natyrës, e të cilët i hasëm gjatë vizitës tonë në Leshnicë.

Rruga drejt Leshnicës është e mbushur me lumenj të shumtë, si dhe pushimore të cilët janë ndërtuar nga njerëz të vullnetit të mirë. Ecja deri në Leshnicë, prej në fshatin Bozovcë është rreth tre orë, ndërsa Leshnica gjendet në lartësi mbidetare prej 1450m.


Ky shteg ndahet në dy pjesë: – pjesa e parë është e që lidh fshatin e Bozovcës me Leshnicën nëpërmjet kullotave të fshatit dhe një mali të dendur, pasi të filloj zbritja shtegu depërton në një pyll ahu e më pas e gjithë pamja hapet në një kënd prej 360 shkallë dhe sheh një perspektivë piktoreske të rrethuar me shkëmbinjtë e shumë majave të cilat janë mbi 2000m+ të larta, e cila e bën këtë zonë si një amfiteatër natyror mu në zemër të Sharrit.

Pjesa e dytë fillon nga Leshnica dhe përfundon në njërën prej ujëvarave të Leshnicës e cila është larg vetëm 30 minuta. Të dhëna për këtë ujëvarë nuk ka shumë, por ajo është bërë destinacion mjaft i preferuar i turistëve.


Leshnica vizitohet në gjitha stinët, por sezoni i vjeshtës është favorit i turistëve, që përshtat vendin pikërisht me stinën më të bukur të ecjeve malore që në këtë rast e bën atë më të veçantë për ta vizituar.

Ndryshe, pas shpalljes së Malit Sharr për park kombëtar, është ndaluar lëvizja me motoçikleta në disa pjesë të Leshnicës, me të cilën synohet mbrojtja e këtij margaritari turistik. /Nistori/




