Zgjedhja e profesionit nuk është gjithmonë e lehtë për të rinjtë, veçanërisht në një kohë kur tregu i punës ndryshon me ritëm të shpejtë dhe kërkon njohuri e aftësi të reja. Përveç interesave personale, në këtë vendim ndikojnë edhe mundësitë për punësim dhe përgatitja që ofron sistemi arsimor. Pikërisht lidhjen mes të rinjve dhe botës së punës synon ta afrojë aktiviteti “Çka do të punoj?”, i organizuar nga Agjencia për Inovacion, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Sipërmarrje – INOVA, ku nxënësit e shkollave të mesme patën mundësi të dëgjojnë përvoja nga sipërmarrës, kompani dhe përfaqësues të fakulteteve.
Drejtoresha e INOVA-s, Daniella Dimovska, u bëri thirrje të rinjve të mos ndihen të detyruar ta dinë që tani se çfarë profesioni do të zgjedhin, por të jenë kureshtarë, të mësojnë dhe të zbulojnë aftësitë e tyre. Ajo theksoi se gabimet nuk duhet të jenë pengesë në këtë proces, ndërsa suksesi nuk lidhet vetëm me gjetjen e një vendi pune, por edhe me shfrytëzimin e talentit dhe njohurive për të krijuar vlerë për veten dhe shoqërinë.
Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se zhvillimi teknologjik, inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital krijojnë mundësi të reja, por njëkohësisht kërkojnë aftësi dhe kualifikime që arsimi duhet t’i përfshijë në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës. Sipas saj, Ministria po punon për modernizimin e programeve mësimore dhe krijimin e një sistemi funksional të këshillimit për karrierë, në mënyrë që nxënësit të identifikojnë potencialet e tyre dhe të marrin vendime të informuara për të ardhmen.
“Është mirë të kemi sa më shumë aktivitete që u hapin të rinjve dyert drejt së ardhmes. Ky është një prej tyre. Mirënjohje për ekipin e INOVA-s që u mundëson nxënësve të shkollave të mesme të takohen drejtpërdrejt me botën e inovacionit dhe sipërmarrjes, si dhe i nxit të zbulojnë interesat dhe talentet e tyre”, deklaroi Janevska.
Megjithatë, përshtatja e programeve mësimore me zhvillimet teknologjike nuk është e vetmja sfidë. Orientimi profesional kërkon më shumë sesa informimin e nxënësve për profesionet që ekzistojnë dhe aftësitë që kërkohen. Të rinjtë duhet të kenë mundësi të kuptojnë se cilat fusha u përshtaten interesave të tyre, por edhe nëse arsimimi që zgjedhin u ofron perspektivë reale punësimi. Në këtë pikë, rëndësi ka jo vetëm ajo që kërkon tregu, por edhe sa arrin sistemi arsimor t’i përgatisë nxënësit për këto kërkesa dhe t’i lidhë ata me mundësitë konkrete profesionale.
Në këtë drejtim, Janevska bëri të ditur se nga ky vit shkollor, mbi 10.800 nxënës të vitit të parë të arsimit të mesëm profesional ndjekin mësimin sipas programeve të modernizuara, të cilat përfshijnë kompetenca STEM, aftësi të gjelbra dhe digjitale. Për zbatimin e reformës janë trajnuar 569 mësimdhënës, ndërsa Ministria ka ndërmarrë edhe hapa për sistemimin e këshillimit për karrierë në shkolla, përmes regjistrave të koordinatorëve të orientimit profesional në shkollat fillore dhe këshilltarëve për karrierë në shkollat e mesme.
Ndryshe, mes programeve të modernizuara, këshillimit për karrierë dhe mundësive që ofron tregu i punës, zgjedhja e profesionit mbetet një nga vendimet që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e të rinjve. Ndërsa institucionet theksojnë reformat dhe përpjekjet për t’i përgatitur nxënësit për profesionet e së ardhmes, sfida qëndron te hendeku mes orientimit që marrin gjatë shkollimit dhe perspektivës që i pret pas përfundimit të tij. Kjo e bën pyetjen “Çka do të punoj?” më shumë sesa një dilemë të moshës shkollore, veçanërisht në një treg pune ku kërkesat profesionale janë në ndryshim të vazhdueshëm. /Koha/




