Për të satën herë demolohen ulëset publike në Tetovë

    Komuna e Tetovës ka alarmuar se ulëset që janë vendosur për qytetarët pranë lumit Shkumbin, janë dëmtuar dhe hedhur në lum. Krahas dëmtimit të ulëseve, po ashtu është ndotur edhe lumi Shkumbin, pavarësisht se kohëve të fundit i njëjti është pastruar disa herë, reagojnë nga Komuna e Tetovës.

    “Pamjet e fundit tregojnë një situatë të papranueshme për qytetin tonë. Ulëset që janë vendosur për qytetarët, me synim për të përmirësuar komoditetin dhe infrastrukturën publike, janë dëmtuar dhe hedhur në lum. Ky akt i papërgjegjshëm jo vetëm që ka shkatërruar pasuritë publike, por ka ndotur edhe shtratin e lumit, për të cilin ekipi ynë punoi me përkushtim për ta pastruar ditë më pare”, thonë nga Komuna e Tetovës.

    Edhe pse lumi Shkumbin herë pas herë pastrohet, qoftë nga autoritetet komunale qoftë nga iniciativa të qytetarëve, megjithatë mbetet problematike hedhja e mbeturinave.

    Qytetarë të pandërgjegjshëm apo kompani private jo rrallë herë mbeturinat i hedhin drejtpërdrejt në rrjedhën e lumit Shkumbin. Kjo krijon përshtypjen se shtrati i lumit Shkumbin nuk pastrohet dhe është deponi për mbeturina. Nga Komuna përmes një postimi në rrjetin social kanë bërë thirrje qytetarëve që të kujdesen për pronën publike, ndërsa kanë ftuar qytetarët që këto veprime të pahijshme dhe sjellje devijante ti denoncojnë.

    “U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të angazhohen në mbrojtje të hapësirave publike dhe të kujdesen për ambientin tonë të përbashkët. Ju ftojmë gjithashtu që, në rast se vini re persona të papërgjegjshëm që dëmtojnë pronën publike, të raportoni menjëherë pranë autoriteteve përkatëse. Vetëm bashkërisht mund të parandalojmë situata të tilla dhe të ruajmë qytetin tonë të pastër dhe të bukur”, apelojnë nga Komuna e Tetovës.

    Në një prononcim të mëhershëm, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka thënë se komuna punon vazhdimisht që të mirëmbahet rrjedha e lumit Shkumbin por duhet përkrahje edhe nga qytetarët.

    “Ne lusim qytetarët dhe ata që vizitojnë qytetin e Tetovës të ruajnë ambientin, të ruajnë hapësirat publike e kështu me radhë, sepse ne vetëm kështu mund të kemi një qytet të pastër dhe një qytet të cilin të gjithë e duam. Komuna me ndërmarrjet dhe inspektoratin komunal e bën punën e vet dhe bën të pamundurën për një qytet të pastër por sigurisht këtu na duhet bashkëpunimi me qytetarët, që bashkërisht të kemi një qytetet më të pastër”, tha Kasami.

    Tashmë në disa lokacione janë vendosur edhe kamera të sigurisë përmes të cilëve do të bëhet edhe identifikimi i atyre që hedhin mbeturina në lumin Shkumbin dhe jo vetëm. Inspektorët komunal do të jenë më shpesh në terren dhe do të punojnë për të gjetur personat që hedhin mbeturina dhe rastet e këtilla nuk do të tolerohen, njoftuan nga komuna e Tetovës. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    “Shumë më ka marrë malli” / Histori rrënqethëse prapa grilave në burgun e grave në Idrizovë

    Lajmi i rradhës

    Notë dysh për arsimin në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë