Rinia me valixhe në dorë! E ardhmja kërkohet jashtë RMV

    Foto e licencuar nga Envato dhe e përpunuar nga Nistori

    Maqedonia e Veriut po zbrazet. Të rinjtë vazhdojnë të kërkojnë të ardhmen jashtë vendit Maqedonia e Veriut po përballet me një nga sfidat më serioze demografike, largimin e vazhdueshëm të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve që shohin më shumë mundësi për punësim, paga më të mira dhe jetë më të sigurt jashtë vendit. Emigrimi, papunësia, pasiguria ekonomike dhe mungesa e perspektivës po ngrenë shqetësime për të ardhmen e vendit, ndërsa largimi i fuqisë punëtore të kualifikuar rrezikon të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe në funksionimin e institucioneve.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, të përfshira në Vjetarin Statistikor të vitit 2025, gjatë vitit të kaluar – nga Maqedonia e Veriut emigruan 2377 persona. Në të njëjtën periudhë, në vend u regjistruan 3176 imigrantë, shumica prej tyre shtetas të huaj. Gjermania, Turqia, Zvicra, Italia dhe Sllovenia ishin ndër destinacionet kryesore të emigrantëve nga Maqedonia e Veriut. Megjithatë, këto shifra përfshijnë vetëm migrimin e regjistruar zyrtarisht dhe nuk e pasqyrojnë domosdoshmërisht përmasën e plotë të largimit të qytetarëve.

    Shqetësuese është edhe mosha e personave që largohen. Sipas një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar të publikuar vjet, të bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë dhe analizat përkatëse, rreth 260.606 shtetas të Maqedonisë së Veriut u regjistruan si jorezidentë në regjistrimin e popullsisë të vitit 2021. Raporti thekson se emigrimi është veçanërisht i theksuar te personat e moshës 20 deri në 30 vjeç, të cilët përbëjnë pothuajse gjysmën e emigrantëve të analizuar. Gjithashtu, 52 për qind e tyre kanë arsim të mesëm, ndërsa 20 për qind kanë arsim të lartë. Kjo tregon se vendi nuk po humb vetëm popullsi, por edhe një pjesë të rëndësishme të fuqisë së tij të ardhshme punëtore dhe profesionale.

    Të dhëna shqetësuese paraqet edhe analiza e UNICEF-it për situatën e fëmijëve dhe adoleshentëve në Maqedoninë e Veriut, e publikuar në vitin 2025. Sipas raportit, 62 për qind e të rinjve të anketuar shprehën gatishmëri për t’u larguar nga vendi nëse do t’u jepej mundësia. Ky tregues pasqyron përmasën e pakënaqësisë dhe të pasigurisë që ekziston te një pjesë e konsiderueshme e të rinjve për perspektivën e tyre në vend.  Arsyet që i shtyjnë të rinjtë të mendojnë për largimin janë të shumta. Pagat e ulëta, vështirësitë për të gjetur punë në profesionin për të cilin janë shkolluar, kontratat e pasigurta të punës dhe mundësitë e kufizuara për avancim profesional janë ndër faktorët kryesorë. Përveç aspektit ekonomik, rol të rëndësishëm luajnë edhe perceptimi për korrupsionin, mungesa e besimit në institucione dhe pakënaqësia me cilësinë e shërbimeve publike.

    Edhe Banka Botërore thotë se migrimi i personave në moshë pune dhe i individëve me nivele të ndryshme të kualifikimit paraqet rrezik për kapitalin njerëzor të Maqedonisë së Veriut. Në raport, BB thekson se mungesa e mundësive për punësim dhe dallimet në paga me vendet e Bashkimit Evropian janë ndër shtytësit kryesorë të emigrimit. Largimi i profesionistëve mund të krijojë vështirësi në sektorë që kanë nevojë për personel të kualifikuar, ndërsa bizneset vendore mund të përballen me mungesë punëtorësh dhe me vështirësi për të gjetur kuadro të reja.

    Pasojat e këtij fenomeni nuk kufizohen vetëm te tregu i punës. Largimi i të rinjve ndikon edhe në strukturën e popullsisë, duke përshpejtuar plakjen demografike dhe duke zvogëluar numrin e personave që mund të kontribuojnë në sistemin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Në afat të gjatë, kjo mund të shtojë presionin mbi sistemin pensional, të thellojë mungesën e fuqisë punëtore dhe të vështirësojë zhvillimin e komunave, veçanërisht atyre më të vogla.

    Po sipas këtij raporti, bazuar në regjistrimin e popullsisë të vitit 2021, vendi kishte rreth 1.83 milion banorë, ndërsa diaspora vlerësohet të përfshijë më shumë se 500.000 qytetarë.

    Këto të dhëna dëshmojnë për përmasën e sfidës demografike dhe rëndësinë e krijimit të kushteve që qytetarët të mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendlindje.  Përballë kësaj situate, krijimi i vendeve të qëndrueshme të punës, përmirësimi i pagave, lidhja më e mirë e arsimit me nevojat e tregut të punës dhe lufta kundër korrupsionit konsiderohen ndër masat që mund të ndihmojnë në frenimin e emigrimit. Po aq e rëndësishme është krijimi i një mjedisi ku të rinjtë të kenë mundësi të zhvillohen profesionalisht dhe të besojnë se puna dhe aftësitë e tyre mund të shpërblehen edhe brenda vendit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Magjistra pa punë, doktorë në pritje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë