Deponia Drislla vazhdon të jetë makth për banorët e zonës së Karshiakës në Shkup. Aty dërgohen mbetje nga amvisëritë, por edhe mbetje medicinale nga spitalet.
“Banorët e fshatit Batincë vazhdojnë të përballen me ajrin e ndotur përshkak të deponisë Drislla e cila ndodhet shumë afër fshatit. Në këtë deponi sillen mbeturina nga i gjithë Shkupi dhe fshatërat përreth. Ndërsa deponia siç thonë banorët, nuk i plotëson as kushtet elementare europiane për të funksionuar si e tillë”.
Deponia Drislla ka kapacitet që të djegë vetëm 30% të mbeturinave, dhe atë me furrën pa filtra, gjë që shkakton shpërndarjen e tymit në gjithë zonën përreth. Kjo sipas banorëve, është shkaktar për rritjen e vdekjeve nga problemet me mushkërritë, shumë prej tyre fëmijë dhe të rinjë.
“Kemi këtu dokumente nga furra si është dukur më herët. Shpresojmë që kjo furrë do të ndërrohet, do të vendoset furrë e re me filtra që të mundet ky popull këtu të thithë ajër të pastër. Ne kërkojmë deponi evropiane me reciklim. Njerëzit në Batincë, Sopishtë dhe Draçevë të mund të thithin ajr të pastër. Ne kërkojmë atë që na takon me kushtetutë, të kemi ajër të pastër”, tha Senih Brahovic – Shoqata “Vakat”.
Siç sqaroi Brahoviç, uji nga mbetjet medicinale pas djegies, përfundojnë në lumin “Marko” që kalon përmes Batincës. Për këtë vitin e kaluar, N.P “Drislla” u gjobit me 120 mijë euro, ndërsa drejtori i atëhershëm me 6 mijë euro. Para dy muajve përsëri është marrë mostër nga lumi, dhe përsëri është ngritur kallëzim penal.
“Inspektorët tanë kanë marrë mostër dhe janë dorëzuar në laboratori të akredituar e cila kryen inspektimet. Ka tejkalim dhe për të njëjtën Drislla ka vendim për kallëzim penal në Gjykatë. Dënimet janë shumë të larta, me ligjin e ri ka dënime nga 120 mijë deri në 180 mijë euro, madje deri në 200 mijë. Sa do të jetë dënimi varet nga Gjykata, nuk varet prej neve”, u shpreh Ivana Ginovska – Inspektorati i Ambientit Jetësor.
Ministri i Ambientit Jetësor, Izet Mexhiti, duke u njohur nga afër me problematikën, si masë paraprake premtoi vendosjen e një gardhi që të mos hyjnë kafshët dhe t’i bartin mbeturinat jashtë, ndërsa më vonë vendosjen e një furre të re moderne për shkatërrimin e mbetjeve medicinale dhe stacionin filtrues afër lumit Marko.
“Kemi konstatuar se lejen e integruar që e ka dhënë ministria, konkretisht drejtoria, deri në vitin 2025 dhe 2026, duhet të merren masa dhe investime konkrete. E para, duhet Drislla të rrethohet, ka qenë në të kaluarën por përsëri duhet të rrethohet reptësisht që të mos ketë qarkullim të kafshëve dhe të njerëzve, sidomos prezenca e qenëve është e rrezikshme”, deklaroi Izet Mexhiti – Ministër i Ambientit Jetësor.
Banorët e Batincës dhe fshatrave përreth, vitin e kaluar protestuan para deponisë duke kërkuar vendosjen e filtrave në incenerator sepse siç thonin, në atë furrë digjen edhe pjesë të trupit të njerëzve, të cilat u amputohen në spitale, por edhe foshnje të cilat vdesin gjatë lindjes. Siç dëshmonin, ka ndodhur që ato pjesë të amptuara të tërhiqen edhe jashtë deponisë nga qentë endacak. /Alsat/