Stoltenberg: “Nuk do të lejojmë të na shantazhojë Rusia”

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bën thirrje partnerëve të aleancës për më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore ai e konsideron të vogël.

    Jens Stoltenberg referoi në kuadër të aktivitetit organizuar në Forumin e Berlinit për Politikën e Jashtme nga fondacioni Körber: Janë kohë dramatike, për Europën, për NATO-n, për Gjermaninë. Lufta në Ukrainë po përshkallëzohet nga sulmet ajrore ruse ndaj qyteteve dhe nga kërcënimet e mëtejshme nukleare të Moskës.

    Megjithatë Stoltenberg është i sigurt: “Putin nuk do t’ia dalë” të thyejë vullnetin luftarak të popullit ukrainas. Me ndihmën e mbështetjes ushtarake perëndimore është bërë e mundur të neutralizohen shumë raketa dhe dronë rusë. Stoltenberg vlerëson veçanërisht sistemet e mbrojtjes nga ajri të dërguara nga Gjermania.

    Belgien NATO Generalsekretär Jens Stoltenberg beim NATO Verteidigungsministertreffen

    Me ndihmën nga jashtë është bërë e mundur të ndalet depërtimi rus ndaj Kievit, Rusia asnjëherë nuk ka arritur të ketë epërsinë ajrore të shpresuar mbi Ukrainë dhe në territore në lindje e në jug kanë qenë të mundura rimarrjet e kontrollit nga Ukraina.

    Kreu i NATO-s u kërkon aleatëve të rezistojnë: Vendet anëtare duhet “të japin mbështetje sa të jetë e nevojshme dhe për aq kohë sa ajo të jetë e nevojshme”. Kjo të kujton fjalët e ish-presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, i cili në kohën e krizës së borxheve shtetërore më 2012 premtoi “të mbështesë me gjithçka është e nevojshme” (“whatever it takes”).

    Kontributi ushtarak gjerman është kritikuar si i pamjaftueshëm. Qeveria ukrainase dëshiron kryesisht tanket luftarake gjermane të tipit Leopard 2, gjë që deri tani qeveria gjermane e refuzon. Stoltenberg iu shmang pyetjes, nëse tani Gjermania duhet të furnizojë Ukrainën me tanket Leopard 2, por theksoi, duke iu drejtuar NATO-s në përgjithësi: “Ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë.” E kjo jo vetëm duke furnizuar më shumë por edhe “duke rritur prodhimin, për të plotësuar arsenalet tona”. Aftësia vetiake e mbrojtjes nuk duhet lënë pasdore.

    “Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet”

    Presidenti i Rusisë Putin vazhdimisht ka kërcënuar me përdorimin e armëve bërthamore. Së fundi pas pseudo-referednumeve edhe territoret e aneksuara ukrainase, sipas tij, ndodhen nën mbrojtjen nukleare. Disa vëzhgues besojnë, se Putin i gjendur në situatë të vështirë mund të përdorë armët taktike atomike. Lidhur me këtë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s përpiqet të qetësojë disi: Po vështrohen me shumë saktësi të gjitha lëvizjet ushtarake. “Rreziku i një përdorimi të armëve bërthamore kundër Ukrainës është i ulët.” Por NATO është “e përgatitur për të gjitha eventualitetet”.

    Ai i paralajmëron rusët me “konseguenca serioze” pa i precizuar se cilat mund të jenë ato, në rast se do të përdorin armë bërthamore dhe shton: “Një luftë atomike nuk mund të fitohet.”

    Stoletenberg i kushton veçanërisht rëndësi mesazhit si ndaj Putinit, ndaj Ukrainës dhe aleatëve në NATO: “Ne nuk do të lejojmë të frikësohemi ose të shantazhohemi prej Rusisë.” Me kërcënime Putin do vetëm të arrijë, që të ndalet mbështetja për Ukrainën. “Nëse ne e bëjmë këtë, presidenti Putin do të fitojë në Ukrainë. Nëse ai fiton, ky do të ishte një mesazh i rrezikshëm ndaj të gjithë udhëheqësve autoritarë, se ata, nëse përdorin makinerinë brutale ushtarake dhe shkelin të drejtën ndërkombëtare i arrijnë qëllimet e tyre.”

    Në këtë kontekst Stoltenberg bën dallimin mes një përdorimi të mundshëm rus të armëve atomike në Ukrainë dhe një sulmi – nuklear ose konvencional – ndaj një vendi anëtar të NATO-s. Nëse sulmohet një vend anëtar i NATO-s, në Moskë nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim: Kjo “do të aktivizonte nenin 5, klauzolën e mbrojtjes kolektive”. Ndaj edhe në lindje të NATO-s është përforcuar prania e trupave dhe ato janë vendosur në gatishmëri alarmi. “Ne nuk e bëjmë këtë për të provokuar një konflikt, por për të parandaluar një konflikt.”

    Ushtarë të Bundeswehr-it (Ushtria e Gjermanisë) në kuadër të NATO-s mbërrijnë (04.09.2022) në portin Klaipeda në Lituani

    Mësime për qendrimin ndaj Kinës

    Nëse Ukraina sot do të ishte në NATO, detyrimi për mbrojtje kolektive do të ishte i vlefshëm qysh tani. Disa besojnë, se anëtarësimi do ta kishte penguar sulmin rus; ndërsa të tjerë, kryesisht Europa perëndimore, janë të kënaqur, që NATO nuk është involvuar automatikisht në konflikt. Presidenti ukrainas Zelenskyj kërkon tani anëtarësimin me procedurë të përshpejtuar.

    Stoltenberg shprehet: “Porta e NATO-s mbetet e hapur. Një ditë Ukraina do të jetë anëtare.” Rusia nuk ka të drejtë të bashkëvendosë. Kjo është vetëm një çështje e të gjithë anëtarëve të NATO-s dhe vet Ukrainës. Por për momentin nuk është kjo çështja, tani duhet të përqendrohemi, “që Ukraina të fitojë luftën”.

    Stoltenberg nxjerr mësime nga lufta në Ukrainë lidhur me qendrimin ndaj një Kine që paraqitet gjithnjë e më agresive. Duke iu referuar një invazioni të mundshëm në Tajvan, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s thotë: “Asnjëherë nuk mund të pranohet, kur një vend përpiqet, të marrë territor nga një vend tjetër.” Kina duhet “të paktën ta dënojë” luftën kundër Ukrainës.

    Duhet të zhduket Putini, në mënyrë që të ketë një zgjidhje në këtë luftë? Kësaj pyetjeje Stoltenberg i shmanget. NATO do të reagojë ndaj aksioneve ruse, pavarësisht se kush qeveris atje. Megjithatë ai jep një përgjigje indirekte, dhe ajo u referohet atyre që besojnë se Ukraina duhet të bëjë kompromise, për të pasur paqe: “Putin e ka nisur luftën.” E nuk duhet të harrojmë: “Nëse presidenti Putin ndërpret luftimet ruse, ka paqe. Nëse Ukraina nuk pushon së luftuari, ajo nuk do të ekzistojë si shtet i pavarur.” /DW/

    Lajmi Paraprak

    Presidenti gjerman Steinmeier paralajmëron kundër librave “të gënjeshtërt”

    Lajmi i rradhës

    Gjermanët nuk duan të udhëheqin ushtarakisht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë