Ministria e Administratës Publike, tanimë pesë muaj komunikon me publikun vetëm në gjuhën maqedonase, duke shmangur detyrimin ligjor për t’i informuar qytetarët shqiptarë në gjuhën e tyre amë.
Ueb-faqja e kësaj ministrie, e cila është e përbashkët me Ministrinë e Trasnformimit Digjital, gjatë kësaj periudhe shqipen e ka përdorur vetëm njëherë, edhe atë për një ngjarje që nuk ka kurrfarë lidhje me fushëveprimin e këtyre dy ministrive.
Pra siç mund të shihet, është publikuar një njoftim për shënimin e 23 vjetorit të vdekjes tragjike të dhjetë pjesëtarëve të përbërjes rezervë të Armatës.
Ministri i Administratës, Goran Minçev sot tha se janë duke përgatitur ueb-faqe të re, e cila do të jetë edhe në shqip.
“Ne momentalisht e shfrytëzojmë të vjetrin e MSHIA-së, i cili është ashtu siç është dhe shpresoj që në të ardhmen shpejtë do të vijmë ueb i cili do të jetë në… Do të jetë edhe në shqip? Po po, gjithsesi”, tha Goran Minçev, ministër i Administratës Publike.
Për atë se sa e respekton ligjin e gjuhëve, Minçev u lavdërua se mbishkrimin në kabinetin e tij, e ka edhe në shqip.
“Nëse mund të hetoni ose nëse vini në kabinetin tim këtu keni edhe në shqip edhe në maqedonisht, titulli i ministrisë”, u shpreh Minçev.
Megjithatë, kjo nuk është asgjë më shumë përveç zbatim i një pjese të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Por, Ligji për Përdorimin Gjuhëve, parasheh që përpos mbishkrimeve dhe tabelave, institucionet edhe të komunikojnë në shqip. Por, ministri, ka një interpretim kreativ për këtë çështje.
“Kumtesa do t’i dërgojmë në gjuhën maqedonase, ai që do të kërkojë për nevojat e tyre do të përkthehen edhe në gjuhën shqipe”, theksoi Goran Minçev, ministër i Administratës Publike.
Pra, ndonëse paragrafi 3 i nenit 2 të Ligjit të Gjuhëve është decid se komunikimi duhet të bëhet përveç maqedonishtes edhe në shqip, ministri e interpreton zbatimin e gjuhës shqipe në përmasa të dëshirave dhe nevojave./ Alsat/