Investimet kapitale në RMV kërkojnë koncept të ri

    Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se investimet kapitale që diktojnë edhe dinamikën dhe lëvizjen e ekonomisë së shtetit, por edhe rritjen ekonomike deri në fundin e muajit nëntor të vitit të kaluar, kanë arritur nivelin prej 59.53 për qind të mjeteve të planifikuara për shpenzime kapitale. Njëherësh sipas Ministrisë së Financave deri në fund të muajit dhjetor ato kanë arritur 80 për qind të realizimit të planit. Gjithashtu në periudhën janar-qershor janë realizuar vetëm një e katërta apo 26 për qind e mjeteve të planifikuara për ndërtimin e rrugëve, shkollave, kanalizimit dhe ujësjellësit, infrastrukturën energjetike dhe komunale, dhe projekteve të ngjashme kapitale, si dhe për investime kapitale për përmirësimin e kushteve të sistemit të shëndetësisë, arsimit dhe sistemit social, të bujqësisë, kulturës, sportit, mbrojtës së mjedisit jetësor dhe gjyqësorit. Viteve të kaluara mjetet që nuk realizoheshin nga investimet kapitale ri orientoheshin për nevojat të tjera.

    Gjithashtu, nuk ishte vetëm pandemia shkak për realizimin e dobët të shpenzimeve kapitel që edhe më parë vështirë kanë arritur realizimin prej 80 për qind, pas shkurtimeve me rishikimet buxhetore. Njëherësh në periudhën e kaluar, investimet kapitale janë realizuar prej 200 deri 300 milionë euro, edhe pse paraprakisht ato janë planifikuar me shumë më të mëdha. Në vitin 2020 ishin parashikuar 386 milionë euro për investime kapitale që me rishqyrtimin e buxhetit janë shkurtuar në 319 milionë euro, ndërsa deri në fund të vitit janë realizuar 262 milionë euro. Në vitin 2019 ishin planifikuar 422 milionë euro investime kapitale, ndërsa deri në fund të vitit u realizuan 290 milionë euro. Në vitin 2018 гnga 391 milionë euro të planifikuara u realizuan gjysma e tyre.

    Njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se shteti duhet të orientojë investimet kapitale në bazë të një strategjie afatgjate të zhvillimit ekonomik, apo ndaj një koncepti të caktuar të zhvillimit ekonomik, që nënkupton se ato nuk duhet të kufizohen vetëm në projekte një vjeçare, por në disa projekte shumëvjeçare, që do të sjellin përfitime sa më të mëdha për qytetarët dhe biznesin. Eksperti ekonomik Arben Halili thotë për gazetën KOHA, se realizimi i investimeve kapitale në bazë të planifikimeve buxhetore kërkon një përgatitje apo strategji për implementimin e tyre.

    “Kjo do të thotë se realizimi i tyre nuk do të ndryshojë nga viti në vit, për shkak se realizimi i një projekti kapital kërkon së paku dy apo tre vite, në mos edhe më shumë kohë. Pra, duhet një strategji e qartë që do të identifikojë prioritetet për zhvillim ekonomik të vendit dhe në bazë të saj të kryhet edhe planifikimi i projekteve apo apo nënprojekteve”,thekson Halili. Sipas tij, gjatë planifikimit të investimeve kapitale duhet marrë në konsideratë edhe interesin strategjik të qytetarëve apo zhvillimin e barabartë të rajoneve, ku përmes investimeve në barabarësinë e këtyre rajoneve në aspektin e infrastrukturës duhet të sigurohet rrugë më cilësore, të sigurohet furnizim i pandërprerë me rrymë e kështu me radhë. “Njëherësh duke marrë në konsideratë edhe trendet e fundit në energjetikë, ku nevojitet që të përfaqësohen edhe rajonet për investime kapitale në aspektin e shfrytëzimit të diellit apo të ndërtimit të centraleve fotovoltaike që më vonë do të ulë problemin e sigurimit të energjisë elektrike. Kjo do të ishte edhe një bazë e shëndoshë për investime kapitale”, shton më tej Halili.

    Në ndërkohë, për të avancuar realizimin e investimeve kapitale, në Buxhetin për vitin 2021 është parashikuar edhe mekanizmi funksional për përmirësimin e realizimin, apo për orientimin e mjeteve ndaj projekteve me realizim më të madh. Apo me fjalë të tjera, krijohet mekanizmi për “ndëshkim dhe shpërblim” të shfrytëzuesve të buxhetit përmes rishpërndarjes së mjeteve buxhetore gjatë vitit buxhetor, në nivel tremujor – nga ata me realizim të dobët tek ata me realizim më të lartë të shpenzimeve kapitale.

    Ministri i Financave Fatmir Besimi, thotë se në vitin 2021 realizimi i investimeve kapitale është në nivel prej 23.4 miliardë denarëve që paraqet realizim prej 79 për qind në raport me mjetet e planifikuara. Ai shton se është e rëndësishme se investimet e realizuara në vitin 2021 janë në nivelin më të lartë në vlerë absolute. “Kjo jep optimizëm për realizimin e projekteve të mëdha kapitale të planifikuara në Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike për periudhën 2022-2026, por edhe realizimin e investimeve të planifikuara kapitale në vitin 2022 të cilat janë në nivelin më të lartë historik deri më tani me pjesëmarrje prej 14 për qind në shpenzimet e përgjithshme”, shton më tej Besimi. Sipas tij, shpenzimet kapitale këtë vit janë projektuar në vlerë prej 38.2 miliardë denarë dhe janë për 28.3 për qind më shumë krahasuar me vitin 2021. Parashikohen investime të mëdha publike në sferën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, digjitalizimit, energjetikës si dhe zhvillimit të gjelbër. Ndër projektet më të rëndësishëm janë ndërtimi i autostradës së Korridorit 8 , ndërtimi dhe rehabilitimi i infrastrukturës hekurudhore të Korridorit 8 dhe Korridorit 10, si dhe infrastrukturës së gazsjellësit në magjistralet Shkup-Tetovë, Gostivar-Kërçovë, Shën Nikollë-Veles, si dhe gazsjellësit interkonektiv me Republikën e Greqisë e të tjera.

    INVESTIMET KAPITALE DHE REALIZIMI SIPAS VITEVE

    2008: 78.05 për qind
    2009: 69.69 për qind
    2010: 86.65 për qind
    2011: 84.37 për qind
    2012: 87.50 për qind
    2013: 82.42 për qind
    2014: 83.58 për qind
    2015: 83.96 për qind
    2016: 76.01 për qind
    2017: 83.6 për qind
    2018: 65.6 për qind
    2019: 78 për qind
    2020: 81 për qind
    2021: 79 për qind

    Lajmi Paraprak

    Raporti i John Hopkins dhe Wilson Center: Shpërbërja e Jugosllavisë përmbyllet aty ku filloi – në Kosovë

    Lajmi i rradhës

    Deri kur Shkëndija dhe Renova do t’i luajnë ndeshjet ndërkombëtare jashtë Tetovës?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë