Dhuna mes nxënësve në shkolla rritet, sidomos në klasat më të ulta, ndërsa angazhimi i shërbimeve pedagogjike mbetet në nivele shumë të dobëta. Të dhënat e publikuara nga Avokati i Popullit me rastin e 20 Nëntorit – Ditës Botërore të Fëmijëve tregojnë se pavarësisht nga fushatat sensibilizuese situata vjen duke u përkeqësuar. Është ky shkaku që këtë vit promovojnë Avokati i Popullit në kuadër të projektit “Përkrahja e BE-së për sundimin e ligjit”, financuar nga Bashkimi Evropian, kanë promovuar videon “Të ndërpresim ciklin e dhunës mes bashkëmoshatarëve”, që shënon fillimin e fushatës për ndërgjegjësimin për promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna e bashkëmoshatarëve, shkruan Koha.
Vaska Bajramovska-Mustafa, këshilltare shtetërore e Avokatit të Popullit është e shqetësuar, sidomos me shtimin e rasteve kur dhuna ndodh në klasat e dyta e të tretat, që tregon seriozitetin e problemit.
“Situata momentale nëpër shkolla është alarmante. Duhet të investohet shumë, si në aspektin financiar, ashtu edhe kadrovik. Ekipim, edukim i shërbimeve profesionale për të dalluar dhunën, por edhe për të marrë masa. Kjo sepse për fat të keq, besimi i prindërve, apo edhe i nxënësve tek shërbimet profesionale të shkollës është shumë i ulët. Madje në rastet kur duhet të denoncojnë çfarëdolloj forme të cenimit të të drejtave, apo edhe dhunës, i drejtohen kujdestarit të klasës”, thotë ajo.
Kjo fushatë do të vizitojë të gjitha shkollat si një mision i rëndësishëm për t’i dhënë fund dhunës së bashkëmoshatarëve dhe për të krijuar komunitete të sigurta dhe mbështetëse, me theksin tek edukimi dhe bashkëpunimi mes prindërve, mësuesve dhe drejtorëve të shkollave që është kyç.
“Të dhënat tregojnë se situata është përkeqësuar nga vjet. Numri i ankesave është sërish rreth tridhjetë, kryesisht për dhunë fizike, por vizitat tona në shkolla tregojnë se, për fat të keq, ne ende nuk i njohim forma të tjera të dhunës. Nëse vitin e kaluar në kuadër të këtij projekti realizonin aktivitete se deri ku ishim me njohjen e dhunës dhe llojet e saj, apo sa fëmijët i dinë të drejtat e tyre, këtë vit kaluam në aspektin tjetër të tregojmë se çfarë është e gabuar dhe t’i apelojmë institucioneve që duhet të krijojmë një ambient jo vetëm mbështetës për nxënësit, por edhe të gatshëm që të sanksionojë veprimet e dhunshme “, ka thënë Bajramovska-Mustafa.
Projekti “Përkrahja e BE-së për sundimin e ligjit” ka për qëllim forcimin e sundimit të ligjit, krijuar për të mbështetur institucionet përkatëse. Financohet plotësisht nga Bashkimi Evropian, dhe zbatohet nga Ludwig Boltzmann Gesellschaft – Instituti për të Drejtat Themelore dhe të Njeriut (LBI-GMR), Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Sllovenisë (MPB), Ministria e Drejtësisë dhe Administratës Publike të Republikës së Kroacisë (MPJA) dhe Qendrës për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (CILC). Kohëzgjatja e projektit është 42 muaj, me një buxhet prej 10.25 milionë euro.