Lista e zezë që zbardh të korruptuarit në RMV!

    Departamenti Amerikan i Shtetit e ka futur në listën e zezë ish-zëvendëskryeministrin për Çështjet Ekonomike, Koço Angjushev, për përfshirjen e tij në korrupsion të konsiderueshëm.

    “Gjatë kohës që ishte zëvendëskryeministër, Angjushev shpërdoroi pozitën e tij zyrtare në favor të interesave të tij private të biznesit, duke minuar besimin e publikut në Maqedoni në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike”, thuhet në deklaratën zyrtare nga Departamenti i Shtetit. Ky emërtim, siç theksohet nga Departamenti i Shtetit, konfirmon angazhimin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe zvogëlon aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të qytetarëve. Departamenti i Shtetit gjithashtu, duke i cilësuar ata si përgjithësisht të papërshtatshëm, i ka ndaluar edhe gruas së Angjushev, Elizabetës dhe fëmijëve të tij, Angel dhe Ognen, të hyjnë në ShBA.

    ANGJUSHEV MOHON AKUZAT!

    Pas shpalljes së vendimit nga ana e Departamentit të SHBA-së, ka folur publikisht edhe ish-zëvendëskryeministri Angjushev, i cili mohoi të gjitha dyshimet e shprehura nga Departamenti i Shtetit dhe njoftoi se do ta apelojë vendimin, duke theksuar se ka kompani edhe në SHBA dhe është tatimpagues amerikan. “I mohoj me forcë të gjitha dyshimet e shprehura në dokumentin e publikuar nga Departamenti i i Shtetit dhe dua të njoftoj se do të ankohem për vendimin dhe do të përdor të gjitha mjetet juridike të përcaktuara në vetë dokumentin në drejtim të tërheqjes së këtij vendimi, të cilin unë e konsiderojnë të panevojshme në kuadër të përpjekjeve të miqve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ta luftuar korrupsionin”, ka thënë Angjushev.

    Gjatë mandatit të tij në Qeverinë e Maqedonisë nga viti 2017 deri në vitin 2020, siç thotë Angjushev, ai ka punuar me respekt të plotë të të gjitha ligjeve dhe dispozitave kushtetuese të shtetit dhe në interes të ekonomisë së vendit dhe të parimeve demokratike mbi të cilat mbështetet vendi ynë. “Katër vite pas tërheqjes sime nga Qeveria, nuk ka pasur asnjë proces gjyqësor për asnjë segment të punës sime, për arsye se nuk ka bazë për këtë”, theksoi Angjushev.

    Pas shpalljes së emrit të ri në listën e zezë amerikane, foli edhe ambasadorja e SHBA-së në vend, Angela Aggeler, e cila tha se lufta kundër korrupsionit do të jetë pa kompromis, pavarësisht pozicionit, përcaktimit politik apo kohës kur është kryer abuzimi nga një person i caktuar. “Do të pasojnë më shumë emërime, por fakti është se përpjekjet dhe sanksionet tona nuk mund të rregullojnë epideminë e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Në fund të fundit, u takon zyrtarëve dhe qytetarëve të këtij vendi që të kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshim”, shkroi Ageler në rrjetin social X (ish-Twitter).

    Një nga instrumentet për luftë efektive kundër korrupsionit është e ashtuquajtura Lista e zezë amerikane. Ajo është në fakt një mjet sanksionesh që synon individë apo kompani të mbuluara nga ligji Magnitski, i miratuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara, për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut apo sjelljeve korruptive. Ky ligj ka fuqi ekstraterritoriale për autoritetet amerikane. Ligji nënkupton zbatimin e sanksioneve ndaj bartësve të proceseve kriminale dhe korruptive që prekin interesat amerikane. Procedura e këtij ligji është jashtëzakonisht komplekse dhe përfshin tre ministritë e Shteteve të Bashkuara: Sekretariatin e Drejtësisë, Departamentin e Shtetit dhe Ministrinë e Financave.

    Procedura sipas këtij ligji nënshkruhet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe më pas fillojnë procedurat e autoriteteve kompetente amerikane. Sanksionet që do të përcaktohen janë për personat e përfshirë në korrupsion dhe krim, ngrirje të aseteve të tyre në kompani ku qytetarët dhe kompanitë amerikane kanë aksionet e tyre apo ndonjë ndikim tjetër. Kjo do të thotë se kompanive që kanë bashkëpunim me kapitalin e dyshuar, të përfituar nga korrupsioni apo krimi u dërgohet një njoftim dhe u kërkohet të ndërpresin bashkëpunimin me pronarët e këtyre fondeve. Ndryshe, për ta kryhet një procedurë përmes autoriteteve të Ministrisë së Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara. Ndër ata që dinë, zbatimi i ligjit Magnitsky quhet – ngufatje e heshtur.

    Me fjalë të tjera, vendosja e ish-zëvendëskryeministrit për Çështjet Ekonomike Koço Angjushev në listën e zezë amerikane, fjalë për fjalë do të thotë ndalim i të gjitha bizneseve të tij jashtë vendit, por edhe punë problematike brenda nëse materiali repro sigurohet nga jashtë nga kompani që tani nuk do të duan të bashkëpunojnë me persona që e gjetën veten në listën e zezë të SHBA-së. Eksporti është gjithashtu problematik dhe pothuajse i pamundur.

    NATO-ja para më pak se katër muajsh e regjistroi fabrikën e Velesit “Brako” si furnizues potencial për nevojat e saj, me çka për herë të parë u hap mundësia që fabrika maqedonase të hyjë në garën për shitjen e produkteve të Maqedonisë në aleancën ushtarake. Duke pasur parasysh faktin se kryetar i bordit drejtues në këtë kompani është pikërisht Koço Angjushev, kjo me gjasë do të reflektohet në vendimet e Aleancës për të mos shfrytëzuar shërbimet e kësaj kompanie maqedonase dhe për të kërkuar furnizime nga kompani të tjera nga vende të tjera.

    Angjushev bëri të ditur se do ta ankimojë këtë vendim, por sërish ankesa duhet t’i drejtohet strukturave që kanë marrë një vendim të tillë, para së gjithash Ministrisë së Drejtësisë të ShBA-së, Ministrisë së Financave, si dhe Departamentit të Shtetit. Janë autoritetet që vendosën në bazë të ligjit Magnitsky, që fusin Angjushevin në listën e zezë dhe faktet për proceset i mbledhin nga autoritetet shtetërore në të cilat zbatojnë ekstraterritorialitetin dhe nga të dhënat e mbledhura nga DKP-të e tyre, si dhe organet e dy ministrive të tjera të cilët janë të ngarkuar të veprojnë me këtë ligj.

    LISTA E ZEZË E AMERIKËS PO BËHET GJITHNJË E MË E GJATË

    Lista e zezë amerikane për qytetarët nga Maqedonia po bëhet gjithnjë e më e gjatë, gjë që tregon qartë se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të ndihmuar vendin në përballjen me korrupsionin. Ish-zëvendëskryeministri Angjushev, është i fundit në këtë listë, pasi më pak se një muaj më parë, Sergej Samsonenko dhe bashkëshortja e tij Irina, si dhe Ratka Kunovska-Kamçeva, nëna e Jordan Orce Kamçevit, përfunduan në listën e zezë amerikane. Më herët në këtë listë ishte edhe Orce Kamçev. Para tij në qershor të këtij viti, autoritetet amerikane vendosën në listë kryetarin e Strugës Ramiz Merko, së bashku me gruan e tij Shpresën dhe tre fëmijët e tyre. Atyre i’u ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara, sepse Departamenti i Shtetit deklaroi se kishte prova të forta se kryetari i Komunës së Strugës ishte i përfshirë në korrupsion të madh, përvetësoi para dhe ndërhyri në procese gjyqësore dhe të tjera publike, duke dëmtuar proceset demokratike në vend. Emri i Ramiz Merkos, i cili për mandatin e tretë menaxhon Komunën e Strugës, u lidh me shumë afera dhe akuza për korrupsion, por asnjëra prej tyre nuk mori konkluzion gjyqësor.

    Familjet e ish-kryeministrit Nikola Gruevski dhe kushëririt të tij të parë dhe ish-shefit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK) Sasho Mijalkov, janë gjithashtu në listën e zezë nga prilli i vitit 2022. Ata janë shënjestëruar nga autoritetet amerikane për korrupsion dhe minim të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike. Paraprakisht, të padëshirueshëm për SHBA-në ishin bërë edhe ish-ministri i Brendshëm Lube Boshkovski dhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi. Ndërkaq, këtë vit në listën e zezë amerikane ishte edhe kompania nga Maqedonia “Sajtroks”, sepse ajo mori pjesë në tregtimin e të dhënave kibernetike të marra nga spyware, duke rrezikuar në këtë mënyrë privatësinë dhe sigurinë e qytetarëve dhe kompanive. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët në RMV më shumë u besojnë hoxhollarëve, sesa politikanëve (Tabela)

    Lajmi i rradhës

    SISTEMI NË AGONI | Vrasjet që tronditën rajonin!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë