Formalizimi i punës në të zezë si pjesë e ekonomisë informale, në 15-20 vitet e kaluara ka pasur shumë pak sukses përmes masave të ndryshme. Mirëpo, duke qenë një fenomen dinamik që luhatet, ai për të gjithë qeveritë ka qenë një sfidë e vazhdueshme. Një nga idetë për legalizimin e punës në të zezë në Ligjin që mbeti në sirtar dhe nuk u miratua nga ish përbërja qeveritare ishte zgjidhja që do të zyrtarizojë edhe punën bujqësore si një nga format e punës sezonale, duke zbatuar një parim të ri të garantimit të sigurisë së punëtorit gjatë periudhës kur ai nuk do të angazhohet në mënyrë aktive në mënyrë që të paktën të ketë akses në ato të drejta themelore për sigurimet shëndetësore dhe sociale, shkruan gazeta KOHA.
Mbetej opsioni nëse kjo do të ishte një sistem kuponësh apo një subvencion i shtetit për punëdhënësit që të mund të paguajnë kontributet e punëtorëve të angazhuar sezonal përgjatë periudhës kur nuk janë të angazhuar. Njëri nga synimet ishte të mbështesë besnikërinë e punonjësve sezonal për t’u rikthyer tek i njëjti punëdhënës, ndërsa punëdhënësit nga sektori i bujqësisë apo nga sektori i ndërtimit për sezonin e ardhshëm, do t’i garantonte se do të kenë në dispozicion një fuqi punëtore me të cilën kanë bashkëpunuar më parë.
Në plan-programin e punës së Qeverisë 2024-2028, thuhet se Qeveria do të dixhitalizojë dhe thjeshtojë punën e firmave mikro dhe të vogla, si dhe paraqitjen e punonjësve të angazhuar për një periudhë më të shkurtër kohore dhe sezonale, sidomos në veprimtaritë e tregtisë së vogël, ndërtimtari dhe veprimtari të tjera shërbyese. Gjithashtu, do të rrisë edhe vetëdijen për përparësitë e formalizimit të bizneseve dhe paraqitjes së punonjësve për shkak të mbrojtjes më të madhe sociale dhe barabarsisë para ligjit. Aktualisht, ekzekutivi i ri po përgatit Ligjin e ri për marrëdhënie pune, i cili ndër të tjerash, synon formalizimin e të punësuarve në bujqësi, turizëm dhe hoteleri, si dhe njerëzve që janë të angazhuar për të ndihmuar në shtëpi apo kujdestareve të fëmijëve në shtëpi. Projektligji parashikon që punëdhënësi, personi fizik ose juridik, përveç detyrimeve që ka ndaj të punësuarit, do të jetë i detyruar të paguajë tatimin mbi të ardhurat personale, kontributin në sigurimin pensional dhe invalidor dhe kontribut shtesë në sigurimin e detyrueshëm shëndetësor në rast të lëndimit në punë dhe sëmundjes profesionale.
Nga Qendra për Kërkime dhe Politikëbërje thotë se nëse merret një zgjidhje ligjore për të luftuar punën e paligjshme, do të përfitojnë të tre palët si shteti, punonjësi dhe biznesi.
Kristijan Trajkovski nga kjo OJQ, thotë se me punën e paligjshme, humbet shteti sepse nuk merr fonde të reja ne buxhetin publik, gjithashtu edhe qytetarët që punojnë ilegalisht nuk marrin asnjë mbrojtje ligjore dhe sociale, ndërsa bizneset punojnë në kuadër të ekonomisë informale. Në Agjencinë e Punësimit janë mbi 100 mijë persona që figurojnë si të papunë, ku ekspertët vlerësojnë se të paktën – një e treta e tyre punojnë ilegalisht vetëm që të mos humbasin ndonjë përfitim që marrin nga shteti. Analizat e Institutit “Fajnens Think” udhëzojnë se puna e padeklaruar përbën rreth 21.1 për qind të kontributit të përgjithshëm të punës, më së shumti në industrinë përpunuese dhe në sektorin e ndërtimit.
Në industrinë e prodhimit, nënraportimi i pagave, i njohur si “pagë në zarf” është më i zakonshëm, ndërsa në ndërtim dhe tregti, punëtorët e padeklaruar janë më të zakonshëm. Punëtorët joformalë në Maqedoni përbëjnë 11.8 për qind të gjithsej të punësuarve, por gjysma e tyre janë të përqendruar në bujqësi, nga të cilat pjesa dominuese janë punëtorët e papaguar të familjes Dy sektorë të tjerë të rëndësishëm për punëtorët informal janë ndërtimi dhe tregtia. “Ata zakonisht punojnë në firma të vogla, duke funksionuar si persona të vetëpunësuar ose anëtarë të papaguar të familjes, që shpesh fitojnë nën pagën minimale”, tregon hulumtimi i “Fajnens Think”.
Ekonomia informale është e pranishme në të gjitha vendet, thuhet në analizën për uljen e ekonomisë informale në bujqësi të ndihmuar nga partnerë norvegjez dhe partnerë të tjerë si Qendra për Kërkime dhe Politikëbërje . Analiza tregon se niveli dhe format e tij janë të ndryshme dhe janë të lidhura me nivelin e zhvillimit të vetë vendit. Niveli i përfaqësimit të ekonomisë në hije është shumë e vështirë për t’u matur për shkak të vetë natyrës së saj. Megjithatë, janë zhvilluar disa metoda për vlerësimin e vëllimit të tij. Bëhet fjalë për metoda direkte që bazohen në të dhëna të drejtpërdrejta të mbledhura përmes anketave, vëzhgimeve dhe intervistave me operatorët ekonomikë, si dhe metodat indirekte përmes të cilave shkalla e ekonomisë gri matet me ndihmën e treguesve makroekonomikë, siç është raporti ndërmjet parave të gatshme dhe depozitave, hyrjeve fizike, etj.
Në përgjithësi, vendet me një nivel më të ulët zhvillimi kanë një ekonomi informale më të lartë, kryesisht për shkak të paaftësisë së sektorit formal për të krijuar vende pune të mjaftueshme. Por praktika në vendet e BE-së tregon gjithashtu se ekziston edhe sektori informal me nivel më të lartë zhvillimi. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia gri është mesatarisht në nivelin 35 për qind të PBB-së në ekonomitë e zhvilluara të ulëta dhe të mesme, në ndryshim nga 15 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto në ekonomitë e zhvilluara. Për shembull, vlerësimi i shkallës së përfaqësimit të ekonomisë gri në Austri është rreth 9%, në Gjermani 15%, në Greqi 26%, etj.
Sipas përllogaritjeve të fundit institucionale të Ministrisë së Ekonomisë, në vitin 2011, ekonomia informale përbënte rreth 30 për qind të PBB-së. Pjesë e empirike e studimeve tregon se shkalla e ekonomisë informale në Republikën e Maqedonisë së Veriut në periudha të caktuara kohore në të kaluarën arrinte nga 40 deri në 50 për qind të PBB-së. Në vendet e rajonit, ekonomia gri është rreth 30 për qind . Për shembull, në Kosovë rreth 39%, Shqipëria 28.3%, Mali i Zi 38%, Kroacia 35%, Serbia 34%, Bosnja dhe Hercegovina 34.4% . Me pak fjalë, nuk ka ekonomi ku nuk përfaqësohet ekonomia gri. Ka disa faktorë kyç që ndikojnë në përfaqësimin e tij, përkatësisht: shkalla e zhvillimit ekonomik të vendit, shkalla e dixhitalizimit, barra tatimore, detyrimet parafiskale, rregullimi i lartë i ekonomisë formale, veçanërisht tregu i punës, përdorimi i pagesës në kesh, niveli i korrupsionit, besimi në administratën shtetërore dhe morali tatimor. /Koha/