NJË E TRETA E MJEKËVE DREJT PENSIONIMIT!

    Plakja e popullsisë dhe mungesa e punonjësve shëndetësorë janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen institucionet shëndetësore. Sipas raportit “Shëndetësia në Shikim: Evropë 2024”, përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç do të rritet nga 21 për qind në vitin 2023 në pothuajse 30 për qind deri në vitin 2050. Raporti thekson se deri në 45 për qind e rasteve të demencës mund të parandalohen nëpërmjet parandalimit të faktorëve të rrezikut në kohë.

    Ndërkohë, më shumë se gjysma e popullsisë së moshuar vuajnë nga sëmundjet kronike, që rrit nevojën për kujdes afatgjatë. Në të njëjtën kohë, një e treta e mjekëve dhe një e katërta e infermierëve janë afër pensionimit, çka rrit mungesën e forcës punëtore në sektorin shëndetësor. Shkaqet kryesore për këtë janë plakja e popullsisë, mungesa e stafit shëndetësor, kushtet e vështira të punës dhe interesi i ulët për profesionet shëndetësore.

    “Mungesa e punonjësve shëndetësorë është një problem afatgjatë, i përkeqësuar nga pandemia e Kovidit. Në vitin 2022, BE-ja raportoi një mungesë prej 1.2 milionë të mjekëve, infermierëve dhe kujdestarëve për të moshuarit dhe kjo do të përkeqësohet edhe më tej për shkak të plakjes së popullsisë dhe interesit të ulët për profesionet shëndetësore”, thuhet në Raport.

    Në vendin tonë, ky problem është akoma më i thelluar, ku punonjësit shëndetësorë përballen me sfida të mëdha. Pavarësisht mungesës së kuadrit në spitale dhe ambulanca, një problem shqetësues është edhe kujdesi paliativ. Personat që kujdesen për të moshuarit zakonisht punojnë me turne prej 12 orësh ose 24 orësh, për një pagë minimale prej 22.600 denarësh.

    Siç shprehen ata, kjo jo vetëm që rrezikon shëndetin e tyre, por ndikon negativisht edhe në cilësinë e kujdesit që marrin të moshuarit. Infermieria Rr. A, e cila punon për më shumë se tetë vite, deklaroi për gazetën Koha se mungesa e punonjësve shëndetësorë dhe kushtet e vështira të punës, si orët e gjata dhe pagat e ulëta, po e bëjnë punën më të vështirë për të gjithë.

    “Si infermiere që punoj prej shumë vitesh, jam e thellë në shqetësim për situatën e shëndetësisë. Kjo situatë është përkeqësuar nga largimi i shumë kolegëve nga puna dhe pensionimi i mjekëve dhe infermierëve të moshuar, duke e bërë punën tonë edhe më të vështirë. Si infermiere që punoj me të moshuarit, kam parë në mënyrë të drejtpërdrejtë si këto kushte e përkeqësojnë shëndetin tim dhe, më keq akoma, e dëmtojnë cilësinë e jetës për pacientët që kujdesemi për ta”, theksoi infermieria, duke shtuar se kjo situatë kërkon veprime urgjente dhe politika të qëndrueshme që të mbështesin punonjësit shëndetësorë dhe të sigurojnë një sistem shëndetësor më të qëndrueshëm për të gjithë.

    Nga ana tjetër, problem shtesë është se një pjesë e madhe e të rinjve shmangin zgjedhjen e profesioneve shëndetësore, që do të thotë se ky problem do të vazhdojë të përkeqësohet.

    “Jam shumë i shqetësuar për të ardhmen e profesionit tonë, sepse po frikësohem se kush do të kujdeset për të moshuarit nëse vazhdon ky trend i uljes së numrit të studentëve të mjekësisë. Nëse askush nuk zgjedh këtë profesion, do të mbetemi pa staf shëndetësor dhe nuk do të ketë kush t’u ofrojë kujdes atyre që kanë më shumë nevojë. Ky është një problem serioz që kërkon veprime urgjente për të stimuluar interesin për profesione shëndetësore dhe për të siguruar që do të ketë mjaftueshëm njerëz që të vazhdojnë kujdesin për brezat që vijnë”, tha Ragmi Ebibi, infermier.

    Ndryshe, në Raport thuhet se vendet e Evropës Perëndimore, të cilat kanë të njëjtin problem, po angazhojnë punonjës shëndetësorë nga jashtë.

    “Për të zgjidhur mungesën urgjente të fuqisë punëtore vendase, vendet evropiane po mbështeten gjithnjë e më shumë në rekrutimin e punonjësve shëndetësorë nga jashtë. Fluksi i mjekëve nga jashtë u rrit me 17 për qind në 2022, ndërsa ai i infermierëve me 72 për qind. Në disa shtete, më shumë se 40 për qind e mjekëve dhe 50 për qind e infermierëve janë nga jashtë. Megjithatë, mbështetja e tepruar në punonjës të huaj mund të përkeqësojë mungesën e stafit në vendet e origjinës. Për të zgjidhur këtë krizë, përmirësimi i kushteve të punës dhe përdorimi i teknologjive të avancuara janë thelbësore për të rritur produktivitetin dhe për të përmirësuar kujdesin për pacientët”, thuhet në Raport.

    Lajmi Paraprak

    Erdogan bën thirrje për paqe – Siria i ka dhënë fund gjakut dhe lotëve, ata e meritojnë më shumë se çdokush tjetër

    Lajmi i rradhës

    Fukarallëk në Dibër, mbi 800 familje me ndihma sociale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë