Kasparov: bisedimet me Putinin janë të kota, lufta është “baza ideologjike” e pushtetit të tij

    Ish-kampioni i botës në shah, Garry Kasparov, ka thënë se përpjekjet e vazhdueshme për të zhvilluar bisedime për paqe me presidentin rus, Vladimir Putin, janë të pakuptimta, pasi udhëheqësi i Kremlinit nuk e ka ndër mend ta ndalë luftën pothuajse pesëvjeçare kundër Ukrainës.

    Në një intervistë për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë (REL), Kasparov tha se përpjekjet ndërkombëtare duhet të përqendrohen për ta ndihmuar Ukrainën që ta fitojë këtë luftë. Sipas tij, kjo mund të çojë në rënien e Putinit dhe të krijojë një mundësi të re për demokracinë në Rusi.

    “Është ndryshe nëse bisedimet kanë mundësi ta zgjidhin një problem përmes lëshimeve të ndërsjella. Planet e Putinit nuk kanë ndryshuar. Ai ia ka vënë vetes si synim ta zhdukë Ukrainën si shtet të pavarur dhe nuk ka hequr dorë nga ky synim”, tha Kasparov.

    Në mbështetje të Ukrainës

    Pas tërheqjes nga shahu, Kasparov u bë një nga figurat e njohura të opozitës ruse, para se të largohej në mërgim më 2013. Ai jeton në Shtetet e Bashkuara dhe aktualisht drejton Forumin për Rusinë e Lirë, të cilin e themeloi më 2016. Kasparov ka thënë se së fundmi autoritetet amerikane e kanë paralajmëruar për një komplot të Kremlinit për ta vrarë.

    Duke folur për REL-in në Varshavë, më 11 tetor, Kasparov tha se forcat politike ruse në mërgim duhet të përqendrohen tërësisht në mbështetjen e Ukrainës që ta fitojë luftën. Për këtë qëllim, organizata që ai drejton ka mbledhur rreth 15 milionë dollarë për projekte të ndryshme në Ukrainë.

    “Ne kemi kontakte të drejtpërdrejta me Legjionin e Rusisë së Lirë dhe Korpusin Vullnetar Rus (RDK)”, tha ai, duke iu referuar dy grupeve të armatosura ruse që kanë luftuar në krah të Ukrainës. “Ne mbledhim fonde për këtë qëllim”.

    Kasparov vuri në pah gjithashtu punën e tij për të lobuar në Kongresin amerikan në mbështetje të kauzave ukrainase. Ai tha se në një rast, grupi i tij kishte arritur t’i bindte 15 republikanë ta ndryshonin votën e tyre. Ky pretendim nuk u verifikua në mënyrë të pavarur.

    Përveç kundërshtimit të Putinit, ai njihet edhe për kritikat e tij të vazhdueshme ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, përfshirë përpjekjet e këtij të fundit për të krijuar marrëdhënie më të ngushta me Putinin. Kasparov e kritikoi ashpër marrëveshjen e njoftuar së fundmi nga Trumpi për blerjen e naftës dizel nga Rusia.

    “Ai vazhdon të veprojë në interes të Putinit. Deklaratat e tij të fundit përbëjnë shkeljen më flagrante të ligjeve amerikane, përfshirë legjislacionin për sanksionet, të cilin Trumpi e ka nënshkruar vetë”, tha Kasparov.

    “Përpjekja e tij për t’i bërë presion Ukrainës më duket e lidhur me pozitën e tij të dëshpëruar, tri javë para zgjedhjeve afatmesme”.

    Trumpi ka thënë se marrëveshja për blerjen e naftës dizel ruse do të ndihmojë në lehtësimin e situatës në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare. Mungesa e naftës dizel, e shkaktuar nga konflikti me Iranin dhe e përkeqësuar nga sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës, ka çuar në rritjen e çmimeve.

    “Ulja e çmimeve për amerikanët, veçanërisht për fermerët tanë të mëdhenj, blegtorët dhe shoferët e kamionëve, është prioriteti im më i madh”, shkroi Trumpi në rrjetet sociale më 9 tetor.

    Marrëveshja për naftën dizel është kundërshtuar nga të dyja partitë në Kongresin amerikan.

    Demokratët dhe ish-zyrtarët kanë përmendur gjithashtu ligjin e vitit 2022 për t’i dhënë fund importit të naftës ruse, i cili ndalon importimin e naftës ruse në Shtetet e Bashkuara, përveç nëse presidenti vërteton se Rusia i ka përmbushur disa kushte të përcaktuara. Këto përfshijnë tërheqjen nga Ukraina, njohjen e sovranitetit ukrainas dhe mosparaqitjen e kërcënimit ndaj NATO-s.

    Synimi për rrëzimin e Putinit

    Kasparov iu bashkua shqetësimeve të shprehura së fundmi nga zyrtarë të lartë të vendeve evropiane anëtare të NATO-s se Rusia mund të jetë duke përgatitur një formë të përshkallëzimit të agresionit kundër aleancës.

    Këto shqetësime vijnë në një kohë kur, sipas vlerësimeve, Rusia po zhvillon një fushatë hibride ose një luftë në hije, e cila përfshin depërtime të dronëve në hapësirat e vendeve të tjera, sabotime dhe përpjekje për atentate.

    Kremlini ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në incidentet për të cilat zyrtarët perëndimorë e kanë fajësuar.

    Kasparov tha gjithashtu se Putini është plotësisht i vendosur ta vazhdojë luftën kundër Ukrainës, duke e përshkruar atë si “bazën ideologjike të pushtetit të Putinit”. Sipas tij, kjo pasqyrohet në përmasat e buxhetit ushtarak rus dhe në propagandën zyrtare.

    “Ose Ukraina do të thyhet nga sulmet kundër popullsisë së saj civile, ose do të qëndrojë e fortë dhe, në atë rast, regjimi [rus] do të shembet”, tha ai.

    “Kjo nuk do të thotë se nesër gjithçka do të jetë mirë në Rusi. Por rënia e një regjimi gjithmonë krijon një dritare mundësie”.

    Kasparov shtoi se lufta i ka dhënë “gjak të freskët” strukturës së pushtetit të Putinit. Si shembull, ai përmendi hyrjen e fundit të veteranëve të luftës në Dumën Shtetërore, dhomën e ulët të Parlamentit rus.

    Sipas tij, qindra ose mijëra veteranë të tjerë mund të jenë përfshirë në degë të tjera të hierarkisë shtetërore.

    Megjithatë, sondazhet e opinionit të këtij viti kanë treguar rënie të mbështetjes për Putinin, ndërsa lufta vazhdon, numri i të vrarëve rritet dhe Ukraina shton sulmet ndaj rafinerive të naftës, depove dhe qendrave të të dhënave në Rusi. Këto sulme kanë ndikuar edhe në jetën e përditshme të qytetarëve rusë.

    Kasparov tha se humbja e Rusisë në Ukrainë do ta ndryshonte rrënjësisht atmosferën në shoqërinë ruse.

    “Madje, besoj se shumica dërrmuese [e rusëve] mund të jetë e gatshme ta pranojë demokracinë dhe sundimin e ligjit”, tha Kasparov.

    “Më duket se dështimi në luftë do t’i detyrojë njerëzit, në mënyrë të pashmangshme, të mendojnë për alternativa më të mira”. REL

    Lajmi Paraprak

    Receta ballkanike e pushtetit jetëgjatë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë