“Unë mendoj që z.Grubi është i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm, nuk ka nevojë ta largojë partia, z.Grubi sigurisht që do të tërhiqet vetë nga të gjitha funksionet e partisë”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pas vendimit të fundit të Departamentit të Shtetit Amerikan, për futje në listën e zezë të Artan Grubit, Ahmeti tha se nuk kontestojnë vendimet e DASh.
“Nuk i kontestojmë vendimet e Departamentit të shtetit, z. Grubi e ka të drejtën e animimit, të bëjë procesin në drejtim të fakteve, sepse kjo e drejtë i njihet z. Grubit në vendimin e Departamentit të Shtetit dhe z Grubi nuk do as të dëmtojë subjektin e vet, familjen e vet, BDI-në, deri në momentin që ky proces të ketë epilog”, deklaroi Ahmeti.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese sot mbajti seancën e 32-të ku ndër pikat e rendit të ditës ishin iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lidhje me Dekretin për shpalljen e tij, Ligjit në tërësi, si dhe 25 neneve veçmas të ligjit. Gjykata Kushtetuese vendosi të ketë seancë përgatitore, në të cilën, ekspertë profesorë, por edhe parti politike, të marrin pjesë në debat, ku gjithkush do t’i paraqiste argumentet e tij në lidhje me kontestimin e Ligjit për Gjuhët.