Paketat e Vitit të Ri, kujdes me afatet!

    Paketat e Vitit të Ri për fëmijë e të rritur – produktet që këtë periudhë tregtohen më së shumti. Blihen me pakicë, por edhe me shumicë nga kompani private dhe institucione shtetërore për punonjësit e tyre, apo edhe nga shkolla dhe kopshte për nxënësit dhe fëmijët. Por çfarë përmbajnë brenda dhe sa janë të sigurta? Kryesisht ëmbëlsira, çokollata, lodra, mjete shkollore…, produkte ushqimore të cilat duke qenë të mbyllura nuk i kanë të dallueshme afatet e përdorimit, kushtet e ruajtjes…, sidomos kur bëhet fjalë për paketa të kombinuara nga produkte të markave të ndryshme. Jo të gjitha janë të sigurta.

    Produkte me afat të kaluar kanë alarmuar konsumatorët. Është kjo arsyeja që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me hedhjen në treg të këtyre produkteve të festave të fundvitit ka filluar inspektimet tek operatorët e tregtimit.

    “Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullsisë më të re – fëmijëve, aksenti do të jetë tek paketat e vitit të ri dhe siguria e tyre. Si institucion përgjegjës për sigurinë ushqimore, mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe të drejtave të tyre si konsumatorë, AUV u bën apel operatorëve ushqimorë që të jenë të përgjegjshëm dhe të mos tentojnë të manipulojnë konsumatorët, veçanërisht paketat e Vitit të Ri, në ambalazhet kolektive duke vendosur produkte të pasigurta, zakonisht të skaduara. Qytetarët tashmë kanë alarmuar Agjencinë për mospërputhje të tilla”, thonë nga Agjencia.

    Me kontrollet e forcuara te operatorët ushqimorë do të përcaktohet plotësimi i kushteve të përgjithshme dhe të veçanta për sigurinë ushqimore, theksi do të vihet në etiketimin, veçanërisht në qëndrueshmërinë e produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorit nga mashtrimi. Po ashtu Agjencia e apelon qytetarët që të jenë konsumatorë të përgjegjshëm dhe të blejnë ushqime nga objektet e regjistruara që janë nën kontrollin e shërbimeve inspektuese të AUV.

    Çmimi i një pakete varet si nga madhësia, ashtu edhe nga cilësia e produkteve që ka brenda, duke filluar nga çmime që variojnë nga 300 e deri në tre mijë denarë. Të ambalazhuara në paketime atraktive me babagjyshin e vitit të ri të stampuar në to, janë një nga produktet më të kërkuara, si nga individë që ia dhurojnë njëri-tjetrit, ashtu edhe nga kompani që blejnë për punonjësit e tyre. Paketat e Vitit të ri janë dhuratat më të preferuara, sidomos nga fëmijët.

    Çmimet e paketave ushqimore dhe atyre mikse të këtij vitit variojnë nga 500 deri në 1.500 denarë. Përveç produkteve ushqimore, të ëmbla dhe të kripura paketat alternohen edhe me produkte të tjera, lodra, libërtha, fletore, lapsa…, varësisht grupmoshës që i dedikohen. Paketat e Vitit të Ri po ashtu tregtohen përveç marketeve edhe në shitore që tregtojnë lodra, me çmime më të shtrenjta, nga 1000 deri në 3 mijë denarë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Gazeta gjermane, “Për herë të parë, Vuçiç nuk di ç’të bëjë”

    Lajmi i rradhës

    Institucionet në RMV në veprim për zyrtarët nga lista e zezë e ShBA-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë