Në shkollën e fshatit Podgorcë vazhdojnë lojërat politike!

    Shkollën fillore në fshatin Podgorcë të Strugës ende e udhëheq u.d drejtori, i cili u emërua nga Ministria e Arsimit, pasi ministrja Vesna Janevska ia hoqi kompetencat kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko.

    Por, këshilli i shkollës akuzon ministren se ka emëruar kandidat që nuk i plotëson kushtet profesionale dhe ligjore për këtë pozitë.

    “Nuk e ka dhënë certifikatën e njohjes së gjuhës angleze dhe nuk e ka dhënë provimin për drejtor. Ky akt është jo vetëm shkelje e standardeve ligjore dhe etike, por edhe fyerje për mësuesit dhe shkollën, të cilët kërkojnë drejtësi”, tha Merlin Ajdaroski- Kryetar i Këshillit shkollor.

    Edhe pse janë respektuar të gjitha normat ligjore nga Këshilli i shkollës, ministrja Janevska e ndërpreu konkursin për zgjedhjen e drejtorit të ri, pa arsyetim përkatës, thotë Ajdaroski. Ai pretendon se Inspektorati i Arsimit në inspektimin e shkollës ka konstatuar se të gjitha procedurat e përzgjedhjes kanë qenë të ligjshme.

    “Prej ditës së djeshme kemi marrë informacione shqetësuese se mësuesit, të cilët prej katër vitesh janë të punësuar me kontratë në shkollën tonë, do të largohen nga puna për t’u zëvendësuar me persona nga jashtë. Paralajmërojmë ministrinë se me këtë tentativë për të shkelur të drejtat e këtyre mësuesve do të përballen me masa të rënda ligjore dhe mobilizim të fortë nga ana jonë”, u shpreh Merlin Ajdaroski- Kryetar i Këshillit shkollor.

    Alsat pyeti Ministrinë e Arsimit për të gjitha këto akuza, por nuk morëm përgjigje. Në fillim të dhjetorit thanë se zgjedhja e drejtorit të ri nuk është bërë për shkak të parregullsive.

    “Për shkak të ankesës së pranuar për parregullsi të pretenduara gjatë zbatimit të procedurës për zgjedhjen e drejtorit në shkollën në Podgorcë të Strugës nga ana e komisionit të shkollës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk e ka përzgjedhur kandidatin e propozuar për drejtor ndaj të cilit është paraqitur edhe ankesë për verifikimin e besueshmërisë së dokumentacionit të bashkangjitur. Pas përfundimit të mbikëqyrjes nga institucionet dhe organet kompetente për veprim sipas ankesave të pranuara, do t’ju informojmë për rezultatin dhe hapat e mëtejshëm”, thonw nga Ministria e Arsimit.

    Në fillim të dhjetorit, prindërit kërkuan që ministria ta respektojë sovranitetin e këshillit të shkollës dhe ta konfirmojë emërimin e drejtorit në përputhje me procedurat ligjore, për të shmangur vonesat dhe bllokimet e qëllimshme, të cilat, siç thanë, ishin rezultat i lojërave politike. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Çka ndikoi që shitësit në Shuto Orizare të mos kenë punë!

    Lajmi i rradhës

    Belgjika, shteti i parë i BE-së që ndalon shitjen e cigareve elektronike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë