Është çështje kohe kur të arratisurit nga drejtësia do të kthehen, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar fletarrestet për ish funksionarët Artan Grubi dhe Vasko Kovaçevski. Në lidhje me atë se në çka e bazon këtë optimizëm, kryeministri u përgjigj:
“Në përvojën që thotë se drejtësia është e ngadalshme por çdoherë vjen, herët ose vonë. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë përjashtim edhe në këtë rast, kam ndjenjë të tillë, le të shohim nëse më gënjen ose jo kjo ndjenjë”, thotë Hristijan Mickoski.
Në lidhje me mungesën e Grubit, Mickoski para pak ditëve apeloi që Prokurorët ta thirrin në bisedë liderin e BDI-së, Ali Ahmetin. Kjo vijoi pasi që Ahmeti tha se Grubi është në territorin shqiptar, por më pas i pari i BDI-së për TV21 e shpjegoi deklaratën e tij.
“Personalisht, nuk kam kontakt me Artan Grubin dhe nuk kam informacione të detajuara mbi vendndodhjen e tij aktuale. Komenti im u bazua në atë që është deklaruar publikisht nga zyrtarë të qeverisë, si dhe në faktin se ai ka kaluar kufirin në mënyrë të ligjshme. Besoj fuqimisht se çdo qytetar, përfshirë edhe z. Grubi, meriton një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, larg çdo aplikimi selektiv të drejtësisë”, deklaroi Ali Ahmeti.
Përndryshe Mickoski foli edhe për kritikat për jopërditësim të prokurorëve. Tha se ka vendosur që të mos e komentojë Prokurorinë, por megjithatë ka përjashtime.
“Kur do e shoh që Prokuroria bën kalikulime atëherë do t’ia lejoj vetes të komentoj. Herën e fundit që e bëri këtë ministri për punë të brendshme për pyetjen – Pse nuk ka fletarrest për Vasko Kovaçevskin – e pash se pas një apo dy ditëve u korrigjua Prokuroria. D.m.th. se komentet tona kanë rol pozitiv”, tha Mickoski.
Për Grubin dhe ish drejtorin e Lotarisë shtetërore, Përparim Bajrami, tashmë është lëshuar fletarrest ndërkombëtar për shkak se dyshohen për përvetësim të 8 milion eurove. Sa i përket ish drejtorit të EMV-së, Vasko Kovaçevski, ai është ndër të dyshuarit për përvetësim për furnizimin e aditivit për REC Manastir. Që dje ai është në listën e personave që kërkohen me fletarrest ndërkombëtarë me urdhër të Prokurorisë. /TV21/