Ekrem Asanin e takuam duke qëruar qepë në tezgën e tij në Bitpazar të Shkupit.
Sipas tij, shitja e fruta – perimeve neper markete të vendit, ka ulur ndjeshëm punën e shitësve në treg. Dhe kjo ka detyruar Ekremin që të gjeje alternative tjetër të shitjes, të qëroje qepë për restorantet dhe bizneset e gastronomisë ndërkohë që pret të vijnë blerës tek tezga e tij.
Me trego perse i qëron qepët?
“Lype fatin. Kjo është. Që të del 10 apo 5 denarë më shumë nga shitja dhe të plotësoje ditën.
Ku i shet kështu të qëruara?
Këto i marrin restorantet më shumë.
Që të kesh shitje je detyruar t’i qërosh?
Po, me këtë që bëj jam i kënaqur se shitja në tezgë është ulur ndjeshëm për shkak të marketeve. Marketet na e kanë bllokuar punën, jo vetëm këtu në Bit Pazar por në gjithë Shkupin”, tha Ekrem Asanin – Shitësi i Qepëve.
Përveç Ekremit që ankohet për mungesë të blerësve, ankohet edhe një tjetër shitës për konkurrencën e marketeve.
”Është e kotë, nuk ka asgjë. Nuk ka as njerëz dhe nuk ka as vlerë më. Të shitet 120 denarë ky spec është mëkat.
Blerësit ankohen se çmimet janë të larta?
Jo, nuk janë të larta, edhe verës e kishin këtë çmim specat, le të ankohen nëpër markete e jo në pazarë.
Kush e bën problemin?
Marketet më shumë sepse shesin edhe fruta – perime dhe kështu tezgat do të mbyllen”, tha një shitës tjetër.
Përderisa shitësit ankohen se ka rënë ndjeshëm shitja, ankohen edhe blerësit për çmimet e larta të produkteve në treg.
“Shtrenjtë janë. Të themi të drejtën shtrenjtë janë. 140 – 150 denarë speci e çfarë të flasim tjetër më.
Çfarë ke dalë të blesh në pazar?
Dola të blej ndonjë gjë por shtrenjtë.
A ishin më lirë para festave?
Jo, gati 4 apo 5 muaj që shkojnë lartë e më lartë, Zoti na ndihmoftë sepse me pension 16,000 denarë s’mund t’ia dalim”, tha një qytetar.
“Shtrenjtë ishin. Pasi shkojnë lartë më nuk ulën çmimet.
Cilat produkte ishin më të shtrenjta?
Shiko, njëherë spinaqi që gati një muaj është 70 denarë apo 80 denarë për kilogram, por edhe tjerat janë njëjtë”, tha një qytetar.
Çmimet në treg sipas shitësve ishin të njëjta si para ashtu edhe pas festave ndërsa sipas blerësve çmimet e produkteve shkojnë në rritje gjithnjë e më shumë dhe sipas tyre me standardin dhe të ardhurat që marrin nuk mund të mbulojnë shpenzimet e një muaji. /Alsat/