Më 8 gusht të vitit të kaluar, gjatë përurimit të çerdhes së re “Bambi”, kreu i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, deklaroi se brenda pak muajve do të niste ndërtimi i dy objekteve të reja për çerdhet “Vesëza” në Çair dhe “Borëbardha” në Fushë Tophanë, për të zëvendësuar barakat e vjetra komuniste. Për ndërtimin e objekteve të reja, Mexhiti tha se Qeverisa kishte ndarë mbi 3.5 milionë euro. Ky premtim ka mbetur vetëm deklarativ.
“Janë nda nga Qeveria edhe mbi 3.5 milionë euro për ndërtimin kështu të njejtë, për të shkuar në histori barakat dhe ndërtesat e vjetra komuniste në Çair që ishin me kushte jo të mira për fëmijët, për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme. Kështu njejtë, shumë shpejtë duam t’i fillojmë, muajve në vijim, çerdhen “Vesëza” dhe çerdhen “Borëbardha”…Pra do të jenë edhe dy çerdhe me këto përmasa dhe po aq atraktive që do të krijojnë kushte shumë të mira për fëmijët tanë”. – Izet Mexhiti, kryetar i Komunës Çair.
Por, sot më shumë se një vit pas këtij premtimi gjendja në terren mbetet e paprekur. Qytetarët e Çairit thonë se objektet janë mjaft të vjetra dhe se premtimet e dhëna nuk po realizohen.
“Nga jashtë është e vjetër, duhet të rikonstruohet i gjithë objekti. Gjithçka që është premtuar nuk është realizuar”. – Qytetar.
“Duhet të ndërtohet objekt i ri sepse fëmijët hyn brenda oborrit dhe hedhin fishekzjarre, nuk mund të bëjnë gjumë njerëzit”. – Qytetar.
“Kushtet brenda janë shumë të mira, por megjithatë nga jashtë duam të duket më e bukur dhe më e madhe, natyrisht”. – Qytetare.
“Shumë është e vjetër, duhet të rregullohet, duhet të ndërtohet e re”. – Qytetar.
Lidhur me vonesat, nga Komuna e Çairit përmes një përgjigje me shkrim thanë se pengesa kryesore mbetet te procedurat administrative me nivelin qëndror.
“Ju informojmë se projektet për ndërtimin e objekteve të reja të çerdheve “Vesëza” dhe “Borëbardha” janë përgatitur. Aktualisht po punohet në përmbylljen e procedurave të nevojshme administrative, në bashkëpunim me ministrinë kompetente, me qëllim që sa më shpejt të krijohen kushtet për fillimin e fazës së realizimit të projekteve”. – Komuna Çair.
Mbetet të shihet nëse muajt e ardhshëm do të zgjidhet pengesa dhe do të hidhet gurthemeli për çerdhet “Vesëza” dhe “Borëbardha” do të mbeten edhe më tutje vetëm premtim në letër. /Alsat/




