Integrimi i RMV, 20 vite në status quo

    “Është koha që të vazhdojmë drejt BE-së, jemi të përgatitur për dialog me vullnet të mirë”. Këtë porosi, ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski ua tha ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në vend, gjatë një takimi pune. Mucunski i përkujtoi ambasadorët se Maqedonia e Veriut ka statusin kandidat që nga viti 2005. Që prej atëherë, Mucunski tha se vendi ka qenë i angazhuar në reforma rrënjësore të cilat janë kërkuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa për tu bërë pjesë e Unionit, vendi ka qenë i detyruar të bëjë edhe kompromise të rënda, si ndërrimi i emrit kushtetues të shtetit.

    “Procesi qasës në Bashkimin Europian duhet të mbetet kredibil, i bazuar në merita dhe të sigurojë para-shikueshmëri. Përparimin që e kemi bërë duhet të njihet, kurse mbështetja nga ju vendet anëtare të BE-së është kyçe për të ruajtur besimin në perspektivën evropiane. Këtë vit, fatkeqësisht shënojmë një jubile famëkeq, 20 vjetorin e marrjes së statusit të vendit kandidat. Saktësisht, dy dekada ku kemi sjellur një seri të vendimeve të mëdha, ku kemi bërë kompromise të dhimbshme në emër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, theksoi Mucunski para ambasadorëve të vendeve të BE-së në Shkup.

    Ai vlerësoi se është koha që Unioni të sjell strategji të qartë në lidhje me atë se si do të veprohet më tej me Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimit, duke thënë se është e nevojshme të merren vendime që më tepër do të ndikojnë në perceptimin pozitiv të qytetarëve në drejtim të Bashkimit Europian.

    Euroambasadori Mihalis Rokas nga ana tjetër u shpreh optimist për vitin 2025, , pasi sipas tij, filloi me prerjen e shiritave për dy projekte shumë të rëndësishme nga Korridori 8 dhe Korridori 10. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e agjendës së miratuar reformuese, ndërsa shpreson që më në fund vendi të arrijë të bëjë progres në aspekt të euro-integrimeve.

    “Kur bëjmë përpjekje për të dhënë rezultate, dëshmojmë se gjithçka është e mundur. Shpresoj që ky vit të mos lidhet vetëm me prerjen e shiritave, por edhe me përparimin në procesin e integrimit. Ne kemi një platformë të shkëlqyer për të punuar, agjenda reformuese është një dokument i shkëlqyer, por gjithashtu përmban disa pika të rëndësishme që duhet të përmbushen gjatë vitit 2025”. Rokas kujtoi se udhëheqja e re në BE e ka rigjallëruar procesin e zgjerimit dhe e ka vënë atë në fokusin e agjendës së Unionit.

    BRUKSELI ME POROSI: MIRATONI NDRYSHIMET KUSHTETUESE

    Megjithatë porosit e fundit nga Brukseli mbeten të qarta, vendi të miratojë ndryshimet kushtetuese. Këtë e ka përsëritur së fundmi edhe komisionerja e re evropiane për zgjerim, Marta Kos. Para komisionit të jashtëm të Parlamentit Evropian, Marta Kos tha se shpreson që Maqedonia e Veriut do të zbatojë ndryshimet kushtetuese të nevojshme për përparimin në integrimet evropiane, duke bërë të ditur kështu se përmbushja e detyrimeve është kyçe për vazhdimin e procesit.

    “Ne shpresojmë që Maqedonia e Veriut do të ndryshojë Kushtetutën e saj”, vuri në dukje Kos, duke shtuar se të njëjtat parime vlejnë për të gjitha vendet kandidate. Si shembull, ajo vuri në dukje Serbinë, e cila nuk arriti të përmbushte kriteret për hapjen e klasterit “Konkurenca” në dhjetor. Kos njoftoi se gjatë presidencës polake pret përparim të dukshëm në negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe hapjen e grupeve të negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë.

    “Nëse vendet kandidate mbeten të përkushtuara ndaj reformave, ne mund të arrijmë më shumë përparim nën presidencën polake sesa në dhjetë vitet e fundit” tha Kos, duke vënë në dukje se deri në dhjetë konferenca ndërqeveritare janë të mundshme. Kos ritheksoi nevojën për dialog ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke theksuar se pa zgjidhjen e çështjeve dypalëshe nuk do të jetë i mundur përparimi në integrimet evropiane.

    BULLGARIA NË PRITJE TË QEVERISË SË RE

    Ndërkohë, në Bullgari pritet që së shpejti të formohet qeveria e re. Presidenti bullgar Rumen Radev do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë kandidatit për kryeministër, Rosen Zheljaskov, i cili është propozuar nga grupi më i madh parlamentar në Asamblenë e 51-të Kombëtare-GERB-SDS. Rrugën për formimin e qeverisë së re në Sofje e ka hapur edhe mbështetja e partisë “Demokraci, të Drejta dhe Liri” i udhëhequr nga Ahmet Dogan, e cila vendosi mbrëmë gjatë votimit në Kuvendin Kombëtar të mbështesë kabinetin e GERB-SDS, BSP-E majta e bashkuar dhe “Ka një popull të tillë”, duke hapur kështu rrugën për formimin e një qeverie të re bullgare.

    “Demokracia, të Drejtat dhe Liritë” do ta shprehë mbështetjen e saj edhe përmes nënshkrimit të një Aneksi si pjesë e Marrëveshjes për shumicën parlamentare për realizimin e programit qeveritar ndërmjet partive politike GERB-SDS, BSP-E Majta e Bashkuar dhe Ka Një Popull të Tillë,” thuhet në njoftimin e mbrëmshëm të partisë”

    Me këtë pritet të përfundojë pasiguria e gjatë politike në Bullgari, ku nga viti 2021 deri vitin e kaluar u mbajtën shtatë zgjedhje parlamentare, nga të cilat dy cikle zgjedhore u zhvilluan vitin e kaluar. Me disa përjashtime të vogla dhe të përkohshme, asnjë forcë politike nuk arriti të mbajë pushtetin për një kohë të gjatë në Bullgari, dhe vendi për një periudhë të gjatë kohore ishte udhëhequr nga qeveri teknike. Çështja se Bullgaria së shpejti mund të ketë një qeveri politike ndiqet me interes në Maqedoni për shkak të pritshmërive që qeveria maqedonase të ketë një bashkëbisedues me legjitimitet të plotë politik për bisedime rreth zhbllokimit të procesit të integrimit të vendit.

    “Paralajmërimet janë që atje së shpejti do të ketë një qeveri politike, dhe kjo është diçka që ne e kemi pritur për një kohë të gjatë”, ka theksuar ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski.

    Megjithatë, asnjë parti politike në Bullgari deri tani nuk ka shprehur ndonjë qëndrim më të butë sa I përket kontestit me Maqedoninë e Veriut.

    Përndryshe marrëdhëniet maqedono-bullgare mbeten të tensionuara për shkak të mosmarrëveshjes për gjuhën maqedonase, historinë dhe të drejtat e pakicës bullgare. Edhe pse Bullgaria ka tërhequr veton e saj për fillimin e negociatave në vitin 2022, kushtëzimi i amendamenteve kushtetuese për të përfshirë popullin bullgar si pjesë përbërëse të Kushtetutës së Maqedonisë ende bllokon konferencën e dytë ndërqeveritare me BE-në. Komisionerja evropiane u shpreh optimiste, por theksoi se nuk mund të japë garanci për shmangien e bllokimeve të ardhshme, duke ia lënë përgjegjësinë shteteve anëtare dhe aktorëve politikë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Numri i ulët i rasteve, por virusi mbetet aktiv në RMV

    Lajmi i rradhës

    Dauti u dorëhoq nga Komisioni për Politikë Sociale: po zgjedh të veproj e lirë, e pa kushtëzuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë