Demokracia dhe feja: si shqiptarët ruajnë balancën ndërmjet besimit dhe shtetit modern

    Sead Zimeri
    Filozof

    Zgjedhjet janë shpesh mënyra më e mirë për të kuptuar klimën e përgjithshme të një vendi—jo vetëm në aspektin politik, por edhe kulturor, ekonomik dhe fetar. Brenda disa muajve të fushatës, ne mund të mësojmë më tepër për një shoqëri sesa do të mësonim gjatë një viti të tërë duke ndjekur trende e analiza. Arsyeja është e thjeshtë: gjatë zgjedhjeve, qytetarët nxjerrin në pah shqetësimet e tyre më të mëdha, duke i bërë ato pjesë të debatit publik me shpresën se do të marrin zgjidhje.

    Kjo është edhe fuqia e vërtetë e demokracisë: qytetarët mund të fokusohen te çështjet e vetme që i shqetësojnë realisht. Në shumicën e vendeve perëndimore sot, për shembull, emigracioni, papunësia dhe inflacioni janë kryefjalë e agjendës politike, gjë që e bën të qartë se ku qëndrojnë pikëpyetjet dhe hallkat më të dobëta të atyre shoqërive.

    Në Kosovë, megjithatë, vihet re një ndryshim interesant: Para fushatës elektorale, media e debatet publike duken të mbushura me çështje fetare: disa e sulmojnë fenë, disa të tjerë e mbrojnë. Kjo panoramë mund të lërë përshtypjen se feja është pika kyçe e identitetit shoqëror, se Kosova ka një popullsi thellësisht fetare, ku besimi luan një rol të dorës së parë në jetën e përditshme..

    Mirëpo, sapo fillon fushata zgjedhore, feja sikur zhduket nga debati politik. Nuk dëgjon thirrje për përfshirje të sheriatit në Kushtetutë apo në sistemin gjyqësor. Nuk sheh lëvizje politike që kërkojnë të drejta fetare të veçanta, as forca politike që mbajnë platforma të bazuara kryekëput në parimet islame. Në praktikë, debati publik i fushatës kufizohet kryesisht tek çështjet e tjera—si siguria shtetërore, sovtaniteti i shtetit, ekonomia, papunësia apo politikat sociale—duke e lënë fenë në prapavijë.

    Nga kjo mungesë e fesë në diskursin elektoral, mund të nxjerrim një të vërtetë të thjeshtë: shoqëria kosovare, me gjithë karakterin e saj të larmishëm fetar, është në thelb laike. Domethënë, qytetarët tashmë e kanë përvetësuar idenë se besimi është çështje personale a komunitare, jo shtetërore. Ndaj, në kuptimin politik të fjalës, nuk ekziston ndonjë “problem fetar” në Kosovë apo, më gjerë, në hapësirën ku jetojnë shqiptarët.

    Kjo nuk përjashton faktin se shumë kosovarë mund të jenë njerëz të devotshëm dhe me bindje konservatore fetare. Në jetën e përditshme, shqiptarët shpesh i referohen fesë për të justifikuar vlera tradicionale, sidomos kur diskutohet për familjen. Këto vlera me bazë fetare janë të pranishme në shoqëri, por mbeten kryesisht në rrafshin civil, jo në atë shtetëror. Qëndrime të tilla ekzistojnë edhe në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut, kudo ku ka komunitete shqiptare. Pra, religjioziteti është i pranishëm dhe ndonjëherë goxha konservator, por funksionon brenda kufijve të shoqërisë civile dhe nuk synon të rishkruajë ligjin apo politikat shtetërore.

    Kjo na bën të kuptojmë se alarmet për ndonjë “Islam politik” që kërkon të marrë frenat e shtetit janë, me gjasë, më tepër sajesa ose keqinterpretime. Patjetër që ekzistojnë grupe më radikale në interpretimin e fesë—dhe zakonisht, vetë besimtarët myslimanë nuk janë gjithmonë dakord me këto forma ekstreme—por është po aq e vërtetë që këto grupe, kur vjen puna për të kërkuar ndikim politik, qëndrojnë krejtësisht në hije. Mbase janë aktivë në rrafshin civil (siç ndodh shpesh në debatet për çështjet gjinore ose çështjet LGBTQ+), por nuk shfaqin pretendime për ta shndërruar fenë në doktrinë zyrtare shtetërore. Pra, nuk i hyjnë fare procesit elektoral për të kërkuar pushtet apo reforma ligjore me bazë fetare.

    Nga ana tjetër, disa grupe konservatore kanë dalë kundër ligjeve që garantojnë të drejta të barabarta për komunitetin LGBTQ+, veçanërisht kur bëhet fjalë për martesat. Por ky qëndrim është i ngjashëm me prirjet konservatore në shumë vende të tjera, duke përfshirë edhe shoqëritë perëndimore që ende rezistojnë ndaj ndryshimit të përkufizimit të martesës. Kjo nuk është ndonjë shenjë e ndonjë teokracie së afërmi—është thjesht një shenjë e natyrshme e ekzistencës së rrymave konservatore, të cilat hasen kudo.

    Ky fenomen na tregon se shoqëritë shqiptare tashmë funksionojnë me një frymë moderne dhe laike, edhe nëse ndonjëherë nuk e pranojnë haptazi. Pra, çdo përpjekje për të ushqyer paranojë se myslimanët shqiptarë synojnë të rrëzojnë laicitetin e shtetit bie ndesh me faktin e qartë se debatet fetare mbeten kryesisht në sferën private ose në shoqërinë civile. Ndërkohë, debatet janë pjesë normale e jetës civile, dhe në fakt do të dëshiroja që Kosova të ketë edhe më shumë hapësirë demokratike për diskutime të tilla. Sepse vetëm në këtë mënyrë, gjatë zgjedhjeve, kuptohet qartë se cilat çështje i shqetësojnë me të vërtetë qytetarët dhe cilat mbeten thjesht “zëra në sfond.

    Përfundimisht, kur vijmë te momenti vendimtar i zgjedhjeve—qoftë në Kosovë, qoftë kudo tjetër—fenë asnjëherë nuk e shohim si agjendë politikisht domethënëse. Ajo mbetet besim personal, nganjëherë konzervator, por bashkëjeton paqësisht me një rend laiko-demokratik. Kjo është shenjë pjekurie politike: fenë, sado e rëndësishme në planin individual a familjar, shqiptarët e mbajnë jashtë fushës së shtetit, dhe në këtë kuptim shoqëritë shqiptate janë shoqëri moderne.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    A po harrojmë mirëqenien e fëmijëve?!

    Lajmi i rradhës

    Aktivistë të PDK-së hedhin fishekzjarre dhe brohorasin kundër Kurtit në tubimin në Skenderaj

    Lajme tjera

    Lufta në PD mbaroi

    BLENDI KAJSIU Kuvendi i 18 dhjetorit dhe protesta e fundit e organizuar nga Berisha kundër nismës Open Ballkan…
    Më tepër

    AMERIKA DHE TRUMP

    Ramadan Ramadani Inaugurimi i kryetarit të ShBA-së më përkujtoi se me rastin e zgjedhjes së Obamës në vjeshtën…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë