Në emër të lirisë…

    LUÇIANO BOÇI

    Protesta e së shtunës legjitimoi pretendimin e opozitës se njerëzit e kanë marrë tashmë vendimin për të ardhmen e Edi Ramës; nëse opozita nuk pranon më që ai të bëjë politikë, publiku pret që ai të dënohet Mjafton dosja McGonigal për të thënë se ka mjaftueshëm prova penale kundër Edi Ramës dhe korrupsionit të tij mafioz dhe politik.

    Vetë kreu i qeverisë në ikje u soll sot me një “qetësi” të përzishme; kjo do të thotë se ai ka ndër mend të rezistojë derisa qytetarëve t’u soset durimi. Çdo prishje e rendit dhe e qetësisë publike në fakt do të punonte në favorin e tij.

    Sikur Shqipëria të kishte një sistem të drejtësisë, ndoshta një fjalë e prokurorisë do t’i qetësonte gjakrat shumë më tepër se çdo premtim politik. Por Edi Rama mburret se e ka marrë peng edhe këtë sistem të pavarur. “Aktiv1sti” dëshmoi se prokurorët dhe gjykatësit janë po aq patronazhistë sa ata që i kontrollojnë.

    Si një pengmarrës profesionist – tashmë i kapur në grackën e së vërtetës – Edi Rama ka marrë peng dhe mban me “armën” në tëmtha Drejtësinë, Ekzekutivin, thuajse të gjitha Mediat, pjesën më të madhe të shoqërisë civile dhe një pjesë të rëndësishme të opozitës, ndërsa po synon të marrë peng edhe Parlamentarizmin. Në mënyrën e tij mafioze, ai beson se çdo gjë që nuk flet dot – nuk do të dëgjohet kurrë.

    Ai e ka gabim!

    Të parët që do e shesin Edi Ramën janë ata që ai beson se po i mban peng lumturisht. Një pjesë – sepse duan më shumë nga ndarja e plaçkës. Të gjithë ata që ai ka frustruar tash sa vjet gjithsesi do t’ja kthejnë kusurin. Dhe mosmirënjohja e tij meriton të shpaguhet me mosmirënjohje.

    Opozita ka nisur ndërkohë një aksion kombëtar që pritet të kulmojë me 14 Maj. Deri atë ditë ajo duhet të ndërtojë një proces, i cili legjitimon edhe më tej pozitat e saj politike për një rotacion të afërt, i cili nis me pushtetin vendor.

    Edi Rama është i gatshëm që ta ashpërsojë situatën për ta bërë opozitën që të humbë durimin dhe zgjedhë rrugën më të vështirë. Ai është i lumtur ta shohë opozitën që braktis zgjedhjet. Ai është i lumtur që të përdorë gjykatën dhe KQZ kundër opozitës për të mos ta regjistruar atë në zgjedhje dhe për ta detyruar të radikalizohet. Në fund të fundit, ashtu si në skandalin me McGonigal, vullneti politik i kryeministrit në ikje mbetet i njëjti: ta lërë vendin pa opozitë! Të ndërtojë një regjim absolutist, ku liritë dhe të drejtat blihen cash në zyrën e krye-mafiozit kryeministër!

    Për këtë arsye çdo prishje e premisave të komunikimit publik do të ishte sot në dëm të opozitës. Çdo cënim i rendit dhe i qetësisë publike ia ngushton opozitës hapësirat normale për të bindur mjedisin kombëtar mbi nevojën e një ndryshimi, që duhet të jetë rrënjësor – jo veç një ndryshim emrash!

    Shqipëria po hyn në fazën më delikate të zhvillimit të saj. Publikut në këto muaj do t’i duhet të ndajë qartazi të mirën nga e keqja, të largohet nga krimi dhe ekonomia e krimit, të distancohet nga modeli që Rama ka konsoliduar përmes patronazhistësh dhe formash të tjera të marrjes peng të shpirtrave njerëzore.

    Edhe pse ka vite që jeton në kushtet e mungesës së lirisë (hiq lirinë për të ikur nga vendi), publiku do të duhet të zgjedhë mes të drejtës natyrore për të jetuar i lirë dhe nënshtrimit skllavërues “bukë në shkëmbim të prangave”.

    Ky vendim, së pari është moral.

    Opozita duhet të frymëzojë rrugët e çlirimit të njerëzve nga hijet e rënda të së shkuarës së afërt.

    Pas protestës së ditës së shtunë, mund të thuhet me bindje se Rama ka ikur! Fantazma politike e tij duhet larguar me çdo mjet demokratik! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Sunday Express: Valë e re rekrutimesh nga krimi shqiptar

    Lajmi i rradhës

    Anti Korrupsioni konstaton shkeljen e Kodit Etik nga ana e ministrit Osmani

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë