Urim Hasipi
Evropa nuk ka nevojë për Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut ka nevojë për Evropën. Ky mendoj se është narrativi që është ndërtuar për mënyrën pragmatike dhe logjike të të menduarit, kur bëhet fjalë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Kështu, Evropa mund të vëndojë kushte, kurse shteti kandidat më pas vendos nëse i pranon ose jo ato kushte.
Sipas disa informacioneve, Evropa pa Rusinë dhe Turqinë ka rreth 700 milionë banorë dhe një buxhet i cili për vitin 2025 sillet rreth 200 miliardë euro. Paramendoj, një shtet me rreth 2 milionë banorë, me një buxhet fiktiv dhe të fryrë rreth 4 miliardë euro, siç është Maqedonia e Veriut, si mund të vendos kushte karshi këtyre shifrave. Për mua është guxim, goxha guxim është që një shtet me kapacitete të vogla, aspak prodhuese, që kryesisht varet prej kredive nga jashtë, varet pikërisht nga fondet evropiane, të ketë retorikë të pakuptimtë kundrejt integrimit. Evropa në apsektin politik dhe strategjik është e qartë se ka interesa edhe ndaj shteteve jo të rëndësishme apo të vogla, por kjo nuk duhet të nënkutohet si dobësi e tyre. Përkundrazi, qasja e Evropës duhet të nënkuptohet si dashamirësi, për të qenë krah tyre, për të pasur zhvillim, barazi, ekonomi të shëndoshë, qytetarë të lirë e kështu me radhë.
Në aspektin e shembujve apo praktikave, ka shumë mënyra dhe interpretime që për mentalitetin Ballkanik nuk janë të kuptueshme. Për shembull, Kosovës i është kërkuar të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj kundrejt Malit të Zi, i është kërkuar normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, i është kërkuar themelimi i Gjykatës Speciale e kështu me radhë. Por, edhe pas këtyre le të themi plotësim të kushteve nga Bashkimi Evropian, Kosova ende nuk ka hapur bisedimet. Sipas mentalitetit Ballkanik, në këtë rast të krerëve të shtetit të Maqedonisë së Veriut, të padrejta janë edhe kushtet e vendosura për këtë shtet, respektivisht ndryshimet kushtetuese dhe hyrja e bullgarëve në kushtetutë. Është e drejtë ose e padrejtë kjo, mbetet shumë hapësirë për interpretime, qoftë politike, qoftë strategjike, qoftë edhe si kërkesë reale. Por, ajo që është qesharake, është qasje e krerëve të shtetit ndaj kësaj kërkese të Bashkimit Evropian, të cilët thonë se i bëjnë ndryshimet kushtetuese, por mos të ketë kushte tjera.
Ky lloj interpretimi është kushtëzim. Prandaj, ajo që më bie ndërmend është thënia popullore: “Dhi e zgjebosur, bishtin përpjetë”. Një shtet me shumë probleme serioze ekonomike, probleme në gjyqësor, në apektin e mos respektimit të kushtetutës nga vet politikbërësit shtetërorë, probleme etnike, kulturore, mos respektim i dallimeve fetare dhe kombëtare, shëndetësi të shkatërruar, nuk mund të pretendojë të mbajë bishtin përpjetë. Aq më pak, kur direkt është i varur nga fondet ndërkombëtare. Pra, nuk mund të jesh edhe dhi e zgjebosur, por edhe të mbash bishtin përpjetë.
Deri më tani, asnjë shtet që është pjesë e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nuk ka humbur as identitet, as krenari, as territor. Me një fjalë, këta shtete të Bashkimit Evropian, nuk kanë konteste, as historike, as territoriale, as fetare, as me fqinjët, as brenda për brenda konfirgurimit etnik dhe shtetëror. Maqedonia e Veriut, në këtë aspekt ka shumë më shumë probleme se sa në realitet. Përveç kontestit të papërfunduar me Greqinë, problem në vete është edhe problemi me Bullgarinë, ndërsa sa i përket brendisë, problemet janë më të mëdha, në raport me të drejtat kolektive dhe etnike të shqiptarëve.
Nuk mundet me tërë këtë bagazh problemesh, të bëhesh anëtare e Bashkimit Evropian, sepse në rrugëtimin e sipër drejt integrimit, çfarë garance ka Bashkimi Evropian se Maqedonia e Veriut t’u përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara. Shembuj se nuk respektohen nga pala maqedonase marrëveshjet e nënshkruara madje edhe me përfaqësues ndërkombëtarë, ka plot.
Nuk është respektuar Marrëveshja e Ohrit, e cila përveç nënshkrimeve të faktorëve politikë vendor poashtu ka edhe nënshkrimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë, por shpeshherë është devijuar, është anashkaluar, nuk është respektuar. Edhe Marrëveshja e Prespës nuk është respektuar nga pala maqedonase edhe pse ka garanca ndërkombëtare. Edhe marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë nuk është respektuar, prandaj kushtëzimet nuk kanë sqarim logjik.
Evropa mund të kushtëzohet kur shteti funksionon pa probleme të brendshme, respekton marrëveshjet ndërkombëtare, respekton të drejtat dhe liritë e njeriut në mënyrë të barabartë, nuk ka dallime etnike, ka zhvillim ekonomik superior dhe lirimisht mund t`i vendos kushte cilit shtet apo aleancë që dëshiron. Në këtë drejtim, për sa kohë dhia mund ta mbajë bishtin përpjetë, ajo do të mbetet e zgjebosur.
*Urim Hasipi është kolumnist i rregullt i Nistori.com. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistorin. Të drejtat e botimit i kanë Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.