Përballë reflektimit të elektoratit

    LEONIDHA MËRTIRI

    Në qendrat kryesore urbane të Kosovës, pushteti i Lëvizjes Vetëvendosja mbeti i largët, i ngujuar vetëm në premtimet dhe euforinë e kreut të saj, Albin Kurti, sipas të cilave do të fitohej në 24 komuna. Por votuesit u dhanë përfaqësuesve të kësaj Lëvizje vetëm katër komuna, gjashtë herë më pak. Me sa duket, besimi ndaj Kurtit dhe partisë së tij ka pësuar krisje të dukshme. Kërkesa e votuesve: për një drejtim ndryshe, me njerëz të rinj, që ato çka u thoshin ballazi, të trupëzoheshin në realizime konkrete.

    Elektorati ishte zhgënjyer jo pak me partitë e tjera, Lidhjen Demokratike të Kosovës, por dhe me Partinë Demokratike, parti kryesore të opozitës aktuale. Mbetej në provë Vetëvendosja, së cilës në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti iu besua qeverisja e vendit, por që në këto nëntë muaj, nuk do të ishte ajo që ëndërruan mbi pesëdhjetë për qind e votuesve. Tjetër gjë ndodhi me partitë më të zëshme në opozitë, LDK-në dhe PDK-në. Vota që iu dha atyre në zgjedhjet e përgjithshme nuk u pa si mallkim, por se duhej reflektuar seriozisht në shkaqet e këtij ndëshkimi. U nis kështu nga kreu i tyre. Të dyja partitë sollën në drejtimin e tyre figura të reja, të besueshëm, të pakomprometuara, emra të rinj me background të admirueshëm.

    Lumir Abdixhiku u vu në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në zgjedhjet e dy viteve më parë, ai radhitej në dhjetëshen e politikanëve më të votuar. Në kabinetin e parë qeveritar jetëshkurtër të Albin Kurtit, Abdixhiku mbajti për pesë muaj postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Mjedisit. Në krye të partisë tjetër, Partisë Demokratike, erdhi Memli Krasniqi, ish-gazetar dhe që më vonë do të kryente disa detyra të rëndësishme. Edhe ai, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, u rizgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës, si dhe në postin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Katër muaj e gjysmë më parë, kryetar i PDK-së.

    Në marrëdhëniet brenda partive të tyre, por dhe me partitë e tjera, ata kanë ruajtur deri tani një figurë të respektuar, të hapur, sikurse dhe me zgjedhësit e vetë, larg mllefeve, gjuhës së rëndomtë dhe me ekuivokë, larg paragjykimeve të çdo natyre qofshin ato. Krekosja e liderëve të vjetër apo e atyre komandantëve a shefave të luftës iu la së djeshmes, por dhe respektit ndaj atyre që nuk i tradhtuan realisht idealet e asaj lufte, të bashkëluftëtarëve të tyre.

    Njerëzit, duke e dëshiruar këtë lloj performance, alternativë ndryshe, do të ishin më pranë tyre. Ndaj dhe Partia Demokratike e Kosovës mori nëntë komuna, kurse Lidhja Demokratike shtatë komuna. Lëvizja Vetëvendosja, me vetëm katër komuna të fituara, nuk mund të mos jetë e ndërgjegjshme për çka ndodhi në këto zgjedhje me të. Të mos harrojmë. Ajo drejtonte pushtetin në komuna të rëndësishme, si Prishtina dhe Prizreni, të cilat i humbi të dyja.

    Ky reflektim nga ana e elektoratit duhet të jetë një impakt i fortë për Albin Kurtin dhe Lëvizjen e tij. Nuk mund të zëvendësohet ky me vlerësimin e thatë, të sapobërë nga ai, menjëherë pas këtyre zgjedhjeve, se kjo situatë erdhi “pas disa defekteve të brendshme” dhe se “gjithë partitë e tjera u bashkuan kundër Vetëvendosjes”. Vështirë të të mbushin mendjen këto. Dhe po aq e vështirë të përballohen sfidat e nesërme nga kjo mënyrë qeverisjeje. Tani, pas zgjedhjeve lokale, Kryeministri Kurti do të përballet edhe me kryetarë komunash, jo të partisë së tij, por që gëzojnë besimin e zgjedhësve.

    Nëse autoritarizmi i tij i njohur, mungesa e besimit te të porsazgjedhurit në komuna apo më keq, hakmarrja, do të ushqehen më tej, fundi i karrierës së tij nuk do të jetë i lumtur dhe aspak i largët. Sepse zhgënjimi i njerëzve do të mahiset më shumë. Ndërkohë, këta të fundit nuk mund të mashtrohen më tej, me premtimet e bujshme dhe boshe të një Kryeministri apo të një partie, tashmë me portret disi të zbehtë, që i mungon ai shkëlqim, me të cilin iu shfaq qytetarëve në fillim. Ajo që e pëson më shumë është Kosova, janë njerëzit e saj. Kohë për të humbur nuk mund të ketë. Ndëshkimi i dhënë në këto zgjedhje kërkon jo fjalë, por reflektim real nga ana e Vetëvendosjes e kreut të saj dhe Kryeministër Albin Kurti./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Këto janë prioritetet e Bilall Kasamit brenda 100 ditëshit të parë (Lista)

    Lajmi i rradhës

    Hague: Historia ka treguar shumë herë se ne i shpërfillim rreziqet në Ballkanin Perëndimor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë