Deputeti Bekim Qoku në Daily Click në TV21 tha se në zgjedhjet lokale në Strugë do të mbështes “çdo kandidat që ka ka konsensusin e VLEN-it, pra jo të partive të veçanta politike”. Qoku megjithatë tha se është i shqetësuar për veprimet e VLEN-it si opozitë në këtë komunë, përcjell Nistori.
“Nuk ka opozitarizëm ndaj komunës, ndaj kryetarit të komunës aktual Ramiz Merko, fare pra nuk ekziston. Edhe me keqardhje e them se gabimi që po bëjnë opozita, është që e nxjerrin kandidatin muajin e fundit, edhe ai kandidat e ka gjithmonë të vështirë për të organizuar elektoratin, për të organizuar shtabin e kështu me radhë, por që nuk ka opozitarizëm ndaj Ramiz Merkos, kjo është për të ardhur keq”, tha mes tjerash Qoku.
Ai adresoi disa kritika edhe ndaj koalicionit VLEN, edhe pse është deputet i grupit parlamentar të këtij koalicioni.
“Nuk ka ende përgjegjësi për dy këshilltarët komunal në Strugë, që janë të opozitës, mendoj të opozitës të Ramiz Merkos, që e votuan buxhetin, këtu pra i ndihmuan Ramiz Merkos, ishin vendimtar në votimin e buxhetit të komunës së Strugës. Janë dy këshilltarë nga radhët e VLEN-it, dhe nuk kemi ende përgjegjësi për këta dy këshilltarë, pse e votuan dhe a ka masa ndëshkuese apo sanksionoese ndaj këtyre dyve”, tha mes tjerash Qoku, duke shtuar se “flirtimi me Ramiz Merkon është i dëmshëm për çdo subjekt politik”.
Qoku: Kurti nuk tha që gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoni
Qoku në Daily Click në TV21 komentoi deklaratën për gjuhën shqipe që e bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Qoku tha se, nuk mund të manipulohet me deklaratën e tij pasi siç thotë ai, Kurti deklaroi se “Nuk ekziston ligj për gjuhën shqipe” dhe jo që gjuha shqipe nuk është zyrtare.
“Edhe një herë po e përsërisë, është mire të dihet se kryeministri Kurti nuk tha, nuk deklaroi se gjuha shqipe nuk është zyrtare. Për hire të saktësisë së deklaratës, interpretimin e bëjnë të tjerët por verbalisht, deklarativisht, kryeministri Kurti tha se nuk ekziston ligj për gjuhën shqipe. Po e citoj Kurtin, “Nuk ekziston ligj për gjuhën shqipe”, që është fakt, nuk mund të manipulohet me këtë deklaratë. Ekziston ligj për gjuhët, i cili përfshinë të gjithë gjuhët tjera që janë të ndryshme nga maqedonishtja”, tha Qoku.