Reformat në sistemin e drejtësisë nuk janë zgjidhje të shpejta. Duhet të komunikohet me qytetarët se, nëse realizohet kjo reformë, do të nevojitet kohë për të parë rezultatet. Rezultatet e reformave nuk janë të dukshme menjëherë. Publiku duhet të informohet sinqerisht për atë që do të ndodhë, sa kohë do të marrë dhe cilat rezultate priten. Po ashtu, nëse vendosni të realizoni veting në sistemin e drejtësisë, duhet të jeni të përgatitur për mungesë gjyqtarësh dhe prokurorësh, ashtu siç ndodhi në Shqipëri, tha në një intervistë për AIM ekspertja ndërkombëtare për gjyqësor dhe antikorrupsion Helena Papa.
“Aty krijuam Këshillin e Lartë Gjyqësor me kompetenca më të gjera dhe më shumë pavarësi. Përbërja e Këshillit të Lartë Gjyqësor u ndryshua, dhe ministri i Drejtësisë dhe kreu i shtetit u përjashtuan nga përbërja e tij, me qëllim që ky trup të ndikohet më pak nga politika. Në Shqipëri u krijua një trup i ri – Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili nuk ekzistonte më parë. Për më tepër, u formua një tjetër institucion i pavarur – Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, i cili ka detyrën të kryejë hetime për shkelje disiplinore. Të gjitha këto masa, së bashku me vetingun, si dhe rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, pas reformave gjyqësore dhe vetingut, gjyqtarët që kishin paga dyfish ose treefish më të larta në krahasim me më parë, u angazhuan për të krijuar një sistem drejtësie më të pavarur, me burime njerëzore dhe financiare të përshtatshme, dhe që po bëhet më efikas”, theksoi Papa për AIM.
Papa thekson se është e informuar me ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2023 dhe shqetësimet e lidhura me uljen e dënimeve për disa vepra penale.
“Efekti i këtyre ndryshimeve dhe shqetësimi lidhet me faktin se, në momentin kur ulet dënimi, kur ulet afati i vjetërsimit, i cili është direkt i lidhur me hetimin e prokurorisë, kjo do të thotë që prokuroria ka më pak kohë për të hetuar korrupsionin ose veprat penale të lidhura me krimin financiar dhe ekonomik. E dimë se është e vështirë të hetohen këto vepra penale, se kërkohet kohë, staf i specializuar, dhe ulja e kohës që ata kanë për të vepruar kërcënon cilësinë e punës së prokurorive dhe hetuesve”, theksoi Papa.
Sa i përket integrimit të vendit në BE dhe mundësisë që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet deri në vitin 2030, Papa thekson se disa vende të Ballkanit Perëndimor e kanë përcaktuar anëtarësimin në BE deri në vitin 2030 si një objektiv dhe se, ndonëse është një projekt ambicioz, nuk do të thotë se është i paarritshëm. Ajo thekson se ka një momentum gjeopolitik që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë, pasi mund të ketë një vullnet nga anëtarët e BE-së.
“Nuk duhet të harrojmë se procesi është i ndërlikuar dhe se vendet anëtare kanë nevojë për konsensus për atë se cilat shtete do të hyjnë në BE. Nuk kam shumë për të thënë për faktin që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë ndarë në rrugën e tyre drejt BE-së, por besoj se ndoshta është më mirë, sepse çdo shtet do të vlerësohet sipas meritës të tij. Ndoshta Shqipëria është pak më përpara tani, duke marrë parasysh që ka hapur Klasterin 1, por kjo nuk do të thotë se pas gjashtë muajsh Maqedonia e Veriut nuk do ta arrijë atë fazë dhe madje do të ecë më tej. Gjithçka varet nga vullneti i institucioneve publike në Maqedoninë e Veriut, nga elita politike, dhe dëshira për përparim në lidhje me sundimin e ligjit dhe vlerat thelbësore”, tha Papa.