Brezi i ri ka “shijen” e rrezikut

    Xhemazije Rizvani, gazetare, publiciste

    Xhemazije Rizvani

    Rebelimi i adoleshentëve dhe bulevardi i ëndrrave të thyera

    Ishte një kohë kur djemtë dëgjonin Green Day ” Bulevard of broken dreams”, ndërsa vajzat Reamon ” Supergirls” dhe qanin me kokën mbuluar me jorgan. Vajzat mbanin ditare dhe shkruanin nga një poezi, vizatonin zemra e iniciale, ndërsa djemtë guxonin të ktheheshin vonë në shtëpi, të vishnin xhinse të grisura dhe të pinin duhan si shenjë rebelimi. Kishte që guxonin më shumë, se guximit nuk ia ka nxjerr fundin askush. Guximi ka evoluar aq shumë, sa këto gjëra që përmendëm sipër tani tingëllojnë si shaka. Secila kohë i ka të marrët e vetë. Gjithsesi, të gjithë po kalonim atë që quhej adoleshencë, faza kur kërkojmë veten ose e humbasim plotësisht atë. Më me fat ishin ata që nuk kishin njerëz përreth që tentonin t’i ndihmonin, se nganjëherë arrinin efektin e kundërt duke mos ditur si.

    Adoleshenca në epokën e algoritmit është në luftë të drejtpërdrejtë me nevojën për miratim, ndryshe nga e jona kur më e shumta kërkonim t’u pëlqenim atyre që ne i pëlqenim, ndërsa sot adoleshentët duan t’i pëlqejnë gjithkujt dhe të vërshohen me “llajka”. Për të qenë të pranueshëm, zgjedhin paraprakisht një model që e ka kaluar testin, zgjedhin një veprim që ka marrë shumë shikime, klikime, pa marrë në konsideratë pasojat. Të tilla janë një mori sfidash të rrezikshme, e ditëve të fundit “sfida e paracetamolit”.

    Kur s’kishte TikTok, ishte një lloj sfide e diazepamit që sa herë kontrollonim çantat e nxënësve gjenim nga disa pako. Tani, sfidat janë bërë publike si kjo e paracetamolit (në TikTok) dhe përhapja është më e madhe. Të rrezikshme pa fund, në doza të mëdha fatale. Më shumë e pranishme te shkollat e mesme, tek ata që kanë humbur kontaktin me realitetin, janë zhgënjyer ose nuk kanë vullnet të vazhdojnë më tej.

    Të rinjtë nuk është se nuk e duan jetën, por nuk mund ta pranojnë të tillë siç është ose ua keni bërë ju me dëshirën për kontroll, ndaj shpallin luftë, shpesh ndihen të humbur, të pashpresë ose të shtyrë nga presioni social dhe ndikimi i rrjeteve sociale drejt këtyre sjelljeve të rrezikshme. Këto “sfida” nuk vijnë nga një dëshirë për të shkatërruar veten, por shpesh nga kurioziteti, dëshira për pranueshmëri dhe rebelimi ndaj çdo lloj kufizimi.

    Ka një mori librash e këshillash se çka duhet të bëjnë prindërit e çka profesorët. Kur isha në arsim, nga dëshira e madhe për t’i kuptuar nxënësit kam konsultuar goxha literaturë mbi paraadoleshncën dhe adoleshencën dhe të gjithë teoritë e këshillimet të ngjanin të bukura për t’i lexuar, por realiteti ishte ndryshe: sa ka adoleshentë aq ka realitete, universe paralele, aq libra do duhej të shkruheshin për t’i kuptuar se çka në të vërtetë duan.

    Ndoshta këshilla më e mirë për prindërit do të ishte: “zmbrapsuni nga rruga e tyre dhe lutuni për ta “, ndërsa për profesorët, ua ka dhënë Pink Floyd moti:  “Hey! Teacher! Leave them kids alone!

    E kujtoj njëherë një dialog të shkurtër me një nxënës të shkëlqyeshëm i cili kur u bë maturant e kapi kriza ekzistenciale aq keq sa humbi interesin për mësimin, kishte telashe të mëdha pasi në shkollë e suspenduan dhe në shtëpi e kishte ferr shkaku i shkollës. Më pyeti një pasdite, derisa dilte nga mësimi, ulur te shkallët ku prisnim furgonin të dy :

    – profesoreshë, a do bëhet më mirë ?

    – Jo çuni, shumë më keq do bëhet – i thash dhe ia plasëm gazit të dy.

    Më erdhi keq që derisa ai kishte krizat e tij, iu bë barë shkolla dhe shtëpia. Kjo është mosha e bulevardit të ëndrrave të thyera. Shyqyr që unë e kisha kaluar dhe kisha frikë edhe nga ëndrrat kur më zhvendosnin në atë kohë.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Kandidati i Listës serbe thyen heshtjen — udhëzon votuesit për numrat të cilët duhet të votojnë

    Lajmi i rradhës

    “Kafeneja, alkooli dhe vetura nuk shkojnë bashkë”, drejtësi për Frosinën duhet të ketë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë