Nga Maqedonia do të kërkohet të importojë 18 lloje të mbeturinave, të deklaruara në listën e mbeturinave jo të rrezikshme nga vendet e Bashkimit Evropian. Metalet dhe mbetjet nga metalet me ngjyra dhe pa ngjyra, kallaji, hekuri, zinku, çeliku, plumbi, alumini, si dhe yndyrat dhe vaji i gatimit, letra, kartona dhe qelq janë në listën e publikuar nga Ministria e Mjedisit, e cila do t’i dorëzohet Komisionit Evropian. Më pas KE duhet të vendosë nëse vendi ka kapacitetin për të menaxhuar mbetje të tilla në një mënyrë të shëndoshë mjedisore, shkruan Meta, përcjell Nistori.
Sipas rregulloreve të reja të Bashkimit Evropian për importin, eksportin dhe transitin e mbetjeve, të cilat janë në fuqi që nga viti 2024 dhe do të fillojnë të zbatohen nga viti 2027, po vendosen kushte më të rrepta për eksportin e mbetjeve të listës së gjelbër nga BE-ja drejt vendeve jashtë BE. Qëllimi i rregullores së re është të parandalohet eksporti i paligjshëm i mbeturinave nga vendet anëtare të BE-së në vendet e treta që nuk janë anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OBEZh), grupit të cilit i përket Maqedonia.
“Duke filluar nga data 21 maj 2027, Bashkimi Evropian prezanton rregulla më të rrepta për eksportin e mbetjeve jo të rrezikshme. Eksporti i mbetjeve jo të rrezikshme nga “lista e gjelbër” në përgjithësi do të ndalohet në vendet që nuk janë anëtare të OBEZh. Përjashtim nga ky rregull do të bënin vendet që kanë mjedise të shëndosha për përpunimin e këtyre mbetjeve. Të gjitha vendet që dëshirojnë të importojnë mbetje jo të rrezikshme nga BE-ja u kërkohet të njoftojnë Komisionin Evropian për gatishmërinë e tyre dhe të konfirmojnë aftësinë e tyre për të menaxhuar mbetjet në një mënyrë të shëndoshë mjedisore në përputhje me rregullat e legjislacionit të BE-së”, tha ministria.
Ata bëjnë të ditur se për të mundësuar importimin e mbetjeve nga BE-ja, Ministria e Mjedisit ka plotësuar një kërkesë, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Drejtorinë e Doganës dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, e cila me procedurë qeveritare do t’i dorëzohet Komisionit Evropian jo më vonë se 20 shkurt 2025. Në bazë të kësaj kërkese, Komisioni Evropian do të vendos nëse vendi i plotëson kërkesat për menaxhimin e mbetjeve dhe në varësi të kësaj do të vendos nëse vendi do të jetë pjesë e Listës së vendeve që do të mund të importojnë mbetje nga BE.
Gjithashtu, sipas rregullores së re, nga nëntori 2026 deri në maj 2029 do të ndalohet plotësisht eksporti i mbetjeve plastike, përfshirë ato të plastikës jo të rrezikshme. Pas kësaj periudhe, Maqedonia dhe vendet jo anëtare të OBEZh, të interesuara për importimin e mbeturinave plastike do të duhet të demonstrojnë kapacitetin e tyre për të menaxhuar mbetjet e tilla në mënyrë të shëndoshë mjedisore në mënyrë që të përfshihen në listën e vendeve që mund të eksportojnë këto mbetje nga BE-ja. /Nistori/