Liria e fjalës nën sulm — ShGM dënon fushatën e njollosjes dhe kërcënimet ndaj gazetarëve

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM) dënojnë ashpër fushatën e vazhdueshme të njollosjes, e cila është e drejtuar kundër mediave të pavarura dhe kritike. Kjo fushatë, e përforcuar edhe më tej në rrjetet sociale, ka për qëllim diskreditimin e mediave dhe gazetarëve që zbulojnë korrupsionin, keqpërdorimin e pushtetit dhe çështje të tjera me interes publik, përcjell Nistori.

    Narrativi i rremë se këto media kanë marrë fonde nga USAID për të minuar demokracinë është një përpjekje për të delegjitimuar punën e tyre, ndonëse raportimet e tyre kanë çuar në reforma ligjore, hetime penale dhe sanksione ndaj përgjegjësve për abuzime të ndryshme. Fushatat e tilla të njollosjes synojnë vetëm të heshtin gazetarinë e pavarur dhe kritike dhe të dëmtojnë besimin e qytetarëve te mediat.

    Fushata e njollosjes është intensifikuar sidomos në rrjetet sociale, ku nxit urrejtje ndaj gazetarëve, duke përfshirë sulme mizogjine dhe kërcënime ndaj gazetareve. Kjo retorikë jo vetëm që rrezikon sigurinë e individëve, por krijon një klimë frike, duke dekurajuar drejtpërdrejt gazetarinë e lirë dhe profesionale.

    Standardet ligjore ndërkombëtare, përfshirë ato të Këshillit të Evropës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përcaktojnë qartë se sulmet ndaj gazetarëve janë një kërcënim për demokracinë dhe lirinë e medias. Kujtojmë se me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, gazetarët në Maqedoninë e Veriut kanë statusin e personave zyrtarë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.

    SHGM dhe SPGPM u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të sigurojnë mbrojtje për gazetarët nga ngacmimet dhe kërcënimet dhe i ftojnë qytetarët të refuzojnë dezinformatat dhe të mbështesin punën e pavarur mediatike, e cila është thelbësore për demokracinë dhe llogaridhënien e institucioneve dhe politikanëve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Vrau gruan e tij në Shtip, Fadil Zejnellov dënohet me burgim të përjetshëm

    Lajmi i rradhës

    Policia e Tetovës godet hajnat – dy të arrestuar në operacionin e fundit!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë