Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale të Shkupit ka vendosur të heqë masën e paraburgimit ndaj ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i pandehuri i parë në rastin e njohur si “Lotaria”, duke pranuar një garanci në pasuri të paluajtshme me vlerë prej 1.140.781 eurosh, përcjell Nistori.
Vendimi mori formë të prerë sot, pasi prokurori publik kompetent dhe palët e tjera në procedurë hoqën dorë nga e drejta e ankimimit.
Siç njoftoi Gjykata Themelore Penale e Shkupit, vendimi u mor pas shqyrtimit të propozimit të mbrojtjes, të paraqitur më 14 tetor 2026, për zëvendësimin e masës së paraburgimit me garanci pasurore.
“Duke vepruar sipas propozimit të mbrojtjes së P. B., të pandehurit të parë në çështjen penale K.br.1494/26, e njohur në publik si ‘Lotaria’, të paraqitur më 14 tetor 2026, Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale të Shkupit miratoi propozimin, hoqi masën e paraburgimit dhe pranoi garancinë në pasuri të paluajtshme, në vlerë prej 1.140.781 eurosh”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Përveç garancisë pasurore, ndaj Bajramit janë caktuar edhe masa shtesë kujdesi, me qëllim sigurimin e pranisë së tij gjatë zhvillimit të mëtejshëm të procesit gjyqësor.
“Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, Këshilli pranoi garancinë e ofruar dhe, për të siguruar praninë e të pandehurit gjatë procedurës gjyqësore, caktoi edhe masa shtesë kujdesi, përkatësisht: marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit, ndalimin e lëshimit të një dokumenti të ri për kalimin e kufirit shtetëror, si dhe detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në gjykatë”, njoftoi Gjykata Penale.
Gjykata sqaroi se më 13 gusht 2026, Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ngriti aktakuzë kundër Bajramit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, për të cilën parashikohet dënim me burgim deri në pesë vjet.
Masa e paraburgimit ndaj tij ishte caktuar për shkak se më parë kishte qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes penale. Ajo filloi të zbatohej pas paraqitjes së tij pranë autoriteteve kompetente.
Sipas dispozitave të Ligjit për Procedurën Penale, kohëzgjatja e paraburgimit për këtë vepër penale nuk mund të tejkalojë 60 ditë.
Më 9 shtator 2026, Bajrami u paraqit vullnetarisht në institucionin korrektues në Shkup për të filluar vuajtjen e masës së paraburgimit. Sipas përllogaritjes së gjykatës, afati maksimal ligjor i paraburgimit përfundon më 8 nëntor 2026.
Bajrami do të lirohet nga institucioni korrektues në Shkup menjëherë pas përfundimit të procedurave administrative për regjistrimin e hipotekës mbi pasurinë e paluajtshme të ofruar si garanci në Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme.




