Dy dekadat e fundit, fshatrat e Dibrës thuajse u boshatisën tërësisht nga banorët e saj. Veçmas fshatrat kufitarë ngelën të zbrazëta ngaqë banorët e tyre u larguan. Disa nga ata morën rrugën e migrimit drejt Amerikës ose shteteve të Bashkimit Evropian, por një pjesë e mirë edhe në qytet. Kjo shpërngulje e banorëve të fshatrave ndikoi negativisht në furnizimin e dibranëve me prodhime bujqësore, të cilët ata e furnizonin tregun e gjelbër të qytetit për nevojat e konsumatorëve dibran.
Tanimë disa vite me rrallë bujqit dibran në pjesën dërmuese të tyre po kthehen në konsumatorë. Migrimi nga rrethet drejt Dibrës, por edhe drejt SHBA-ve dhe shteteve evropiane po cenon garantimin e furnizimit me ushqime bujqësore, që para disa dekadash, ata bujq furnizonin me prodhime bujqësore tërë tregun e qytetit duke filluar nga fasulja, patate, specat, domatet, preshi e shumë e shumë prodhime të tjera bujqësore. Por tani në tregun e Dibrës s’mund të shohësh prodhime bujqësore nga bujqit dibran ose ata që kanë ngelë – numërohen me gishta.
Prodhimet bujqësore tani në tregun e Dibrës vijnë nga buqit e qyteteve tjera. Në lidhje me këtë situate biseduam me banorë të fshatrave që dikur kanë qenë bujq shumë të suksesshëm e tani ata janë kthye në konsumator të prodhimeve bujqësore dhe i kanë braktisur fshatrat. Ajrulla. F. 65-vjeç ka disa vite që nga fshati i Konjarës jeton në qytetin e Dibrës. Ai ka qenë bujk i suksesshëm dhe të cilin, dikur – çdo të shtune e takonim në tregun e qytetit duke shitur prodhime bujqësore të një kualiteti të lart.
“Për 30 vite kam shitur në treg prodhime bujqësore si patate, speca, domate, shalqi, misër, kastravecë e shumë prodhime të tjera. Isha i kënaqur nga fitimet që merrja. Me ato të ardhura i shkollova fëmijët, por edhe ndërtova shtëpi në qytet”, thotë bashkëbiseduesi jonë.
|
Ai shton se me ardhjen në qytet, fëmijët i janë larguar në Gjermani dhe tash ka ngel vetëm me bashkëshorten dhe që s’kanë mundësi si të punojnë tokat pa ndihmën e fëmijëve. Si rasti i Ajrullaut janë pothuajse shumica e ish banorëve të fshatrave që kanë qenë bujq, por që tani janë kthyer në konsumator. Shumë toka bujqësore kanë përfunduar në djerrinë të papunuara e të braktisura. Kjo situatë ka rënduar furnizimin me prodhime bujqësore të dibranëve nga prodhimet vendase. Edhe në tregun e qytetit – ditën e tregut, rrallë mund të shihet ndonjë bujk me prodhime bujqësore që prodhohen në fushën e Dibrës dhe fshatrave përreth. Ata tani më disa vite janë zëvendësuar me prodhimet e bujqve nga Tetova, Gostivari e disa qytete të tjera. Kjo situatë flet qartë për cenimin e furnizimit vendas dhe rrisin varësinë nga importi dhe për fatin e keq – bujqit po tkurren.
“Migrimi i brendshëm, veç krizës demografike, ka bërë të kemi më pak fermerë e më shumë qytetarë duke realizuar kështu për fatin e keq ciklin ‘nga prodhues në konsumatorë’. Kjo situatë ka ardhur nga shumë faktorë, duke përfshirë këtu edhe largimin çdo ditë e më shumë të të rinjve”, thanë nga Oda ekonomike që vepron në Dibër.
Sipas tyre, kjo situatë ka prodhuar “krizë për punonjës” dhe pakësim të prodhimeve bujqësore vendase.
Largimi i të rinjve nga njëra anë ulë konsumin e nga tjetra zhyt në krizë prodhimin. Largimi i të rinjve, por edhe i bujqve që ikën nga fshatrat është një fenomen që na ka përfshirë prej vitesh. E pasojat po i ndjejmë çdo ditë e më shumë meqë fazën e parandalimit e kemi kaluar, thonë dibranët. /Koha/