Mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian mbetet në nivelin 62 për qind, megjithatë vërehet një rënie e optimizmit te qytetarët e vendit lidhur me gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të pranuar vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtarë deri në vitin 2030. Ndërkaq, perceptimi për ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka pësuar një rënie të rëndësishme tek qytetarët tanë prej 20 përqindësh krahasuar me vitin e kaluar, tregojnë rezultatet e analizës së opinionit publik për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian për vitin 2024, bazuar në një anketë të realizuar nga tetori deri në dhjetor të vitit të kaluar, nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” dhe fondacioni “Konrad Adenauer”.
Ky hulumtim megjithatë tregon një pabarazi të konsiderueshme në mbështetjen për anëtarësim midis dy grupeve më të mëdha etnike në Maqedoninë e Veriut – shqiptarëve dhe maqedonasve.
Konkretisht, përderisa 82% e të anketuarve që janë shqiptarë etnikë mbështesin aspiratat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, kjo përqindje është dukshëm më e vogël te popullata maqedonase, edhe atë 56% e të anketuarve që janë maqedonas etnikë mbështesin aspiratat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Po thuajse 60% e të anketuarve që mbështesin anëtarësimin në BE janë të motivuar nga pritshmëritë materiale, megjithatë 60% e popullsisë nuk beson se përfitimet nga anëtarësimi në BE do të jenë të mjaftueshme për të parandaluar largimin e të rinjve nga vendi. Qytetarët mbeten të ndarë në qëndrimet e tyre për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit evropian. Vetëm 20% e qytetarëve mendojnë se ndryshimet kushtetuese duhet të jenë hapi i domosdoshëm i radhës, ndërsa 21% besojnë se procesi duhet të ndalet. (nga 50% në vitin 2023 në 33% në vitin 2024.
SHTETI TË GJEJ METODA PA NDRYSHIMIN E KORNIZËS NEGOCIUESE
Duke komentuar të dhënat e anketës kryetari i Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, Marko Troshanovski ndau informacionin se në anketën e këtij viti është vërejtur një rritje e mbështetjes për BE-në te përkrahësit e Qeverisë, përkatësisht te mbështetësit e VMRO-DPMNE-së. “Ajo që është e dukshme te VMRO-DPMNE është se ka një rritje të konsiderueshme të përkrahësve të BE-së, megjithëse kjo mbështetje është pak më shumë se gjysma e mbështetësve të VMRO-DPMNE-së. Të tjerët janë neutralë ose ndoshta kërkojnë alternativa të tjera”, shtoi Troshanovski.
Lidhur me rënien e ndjeshme prej 20% krahasuar me vitin e kaluar në perceptimin për ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai vlerëson se kjo është rezultat i një ripozicionimi të opinionit publik përballë tendencave globale, ku SHBA-ja gradualisht po e braktis rajonin dhe po zhvendoset në fronte të tjera gjeopolitike. I pyetur se cilat janë pritshmëritë për këtë perceptim në të ardhmen, duke pasur parasysh se ky hulumtim është realizuar para ndryshimit të administratës në SHBA, ai u përgjigj se ky perceptim skeptik do të vazhdojë të rritet.
“Prioriteti ynë strategjik duhet të mbetet Bashkimi Evropian, duke kultivuar njëkohësisht marrëdhëniet më të mira të mundshme me SHBA-në dhe duke gjetur një ekuilibër. Megjithatë, duhet të kemi një qasje shumë më pro-aktive si shtet, duke kërkuar modele që do të zhbllokojnë procesin e zgjerimit, bazuar në parime më objektive që nuk kërkojnë ndryshimin e kornizës negociuese. Përkundrazi, ato kërkojnë përcaktimin e standardeve nga Bashkimi Evropian për fazat e ardhshme të negociatave, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për vendet e tjera kandidate,” deklaroi Troshanovski para prezantimit të gjetjeve të anketës, duke vlerësuar se ndryshimet kushtetuese me afat të prolonguar nuk janë zgjidhje e duhur që do ta ndihmonte vendit.
Sipas Daniell Braun, drejtor i zyres së fondacionit “Konrad Adenauer” në Shkup prezentimi I hulumtimit është bërë në kohë të duhur dhe në kontekstin e konferencës aktuale të sigurisë në Mynih dhe mbi të gjitha në lidhje me partneritetet transatlantike të cilat tani janë përsëri nën pikëpyetje.
“Megjithatë, Evropa duhet të njohë të fortat e saj, por edhe kufizimet e saj. Politika e zgjerimit do të jetë natyrisht më e vështirë për shkak të rrethanave që po ndodhin, por, megjithatë, përgjegjësia e BE-së është që të ulet në tryezë, ashtu siç po bëjnë SHBA dhe Rusia në momentin kur janë duke u zhvilluar bisedimet për Ukrainën,” shtoi drejtori i Zyrës së Fondacionit “Konrad Adenauer” në Shkup.
MILLOSHOVSKI: BE NUK KA VIZION PËR TË ARDHMEN E ZGJERIMIT
Nga ana tjetër nënkryetari i Parlamentit, njëherësh deputet i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski vlerëson se zhgënjimi ndaj BE-së është i justifikuar. Sipas tij, do të ishte naive, siç tha ai, të bëheshin ndryshime kushtetuese vetëm që të përballemi me një tjetër premtim të pa përmbushur.
“Maqedonia disa herë ka bërë ndryshime kushtetuese dhe BE-ja ka premtuar se ato do ta afronin Maqedoninë drejt negociatave për anëtarësim, por është e qartë se nuk i ka përmbushur premtimet e saj. Mendoj se ndryshimet kushtetuese me afat të prolonguar janë një argument racional, i cili mund të jetë një shtysë për Maqedoninë të integrohet, Bullgaria të mos bllokojë dhe BE-ja ta menaxhojë atë proces deri në arritjen e qëllimit përfundimtar”, theksoi Milloshovski.
Ai më tej theksoi se BE-ja në dhjetë vitet e fundit nuk ka një vizion serioz për zgjerimin. Sipas tij, kjo është bërë një frazë që përsëritet shpesh, por në praktikë nuk ka vendime serioze gjeopolitike që do të nënkuptonin zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke kujtuar deklaratën e komisioneres evropiane për zgjerim, Marta Kos, lidhur me forcimin e procesit të zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, Milloshoski shtoi: “Nëse e shihni me kujdes deklaratën e saj, ajo përmendi se një, dy ose tre vende mund t’i përfundojnë negociatat, por nuk tha se ato mund të bëhen anëtare të plota të BE-së, gjë që është një tregues se brenda vetë BE-së nuk ka konsensus nëse, kur dhe në çfarë niveli do të ndodhë zgjerimi i ardhshëm dhe nëse do të ketë fare anëtarë të rinj të plotë”, tha Milloshovki.
Përndryshe, komisionerja për zgjerim Marta Kos gjatë një panel diskutimi në Konferencën e Sigurisë në Mynih së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe atë shqiptarë Edi Rama tha se “ka dallime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por gjatë mandatit tonë duam të përmbyllim negociatat e anëtarësimit me dy ose tre shtete, që do të thotë mbyllje e të gjitha kapitujve negociues”, e pyetur nga moderatorja se cilat janë dy vendet me të cilat BE-ja mund të zgjerohet dhe në çfarë periudhe kohore, komisionerja evropiane Kos u përgjigj: “Duke u bazuar në sistemin e meritës deri tani, Mali i Zi dhe Shqipëria janë përpara, por nëse ka përparim me Maqedoninë e Veriut, edhe Maqedonia e Veriut mund të ecë shpejt përpara”.
Deklaratës së Kos iu përgjigj kryeministri Hristijan Mickoski. Ai kujtoi premtimet e BE-së për anëtarësim të shpejtë të vendit pas ndryshimit të emrit.
Ndërkohë, gjatë konferencës së Mynihut presidenti bullgar Rumen Radev edhe një herë përsëriti qëndrimin e Bullgarisë se vendi i tij nuk pranon ndryshime në marrëveshjen me Maqedoninë. Gjatë një bisede me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Kosta, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Radev theksoi se Maqedonia duhet të zbatojë konsensusin evropian të vitit 2022 dhe se Bullgaria nuk po vendos kërkesa të reja, por në të njëjtën kohë nuk pranon ndryshime në marrëveshjet e arritura. /Koha/