Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate njofton se Ministrisë së Mjedisit të udhëhequr nga Izet Mexhiti, i janë marrë kompetencat, pasi inspektorati ka konstatuar keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e Mexhitit dhe kabinetit të tij.
“Në bazë të vendimit të Inspektoratit Administrativ me numër 11-1653/2024, të datës 17.01.2025, Izet Mexhiti është zhveshur nga të gjitha kompetencat e tij, të cilat janë transferuar në Drejtorinë e Mjedisit. Ky institucion, që deri në mandatin e BDI-së udhëhiqej nga një kuadër shqiptar, tani është vënë nën kontrollin e një drejtori të emëruar nga VMRO-DPMNE-së. Me këtë vendim, Drejtori i ri është urdhëruar që të mos dërgojë për nënshkrim në kabinetin e Mexhitit asnjë dokument nga sektorët kryesorë të ministrisë, përfshirë Sektorin e Natyrës, Ujërave, Mbeturinave, Mjedisit dhe Ndotjes Industriale. Këta sektorë përbëjnë mbi 70% të kompetencave të Ministrisë së Mjedisit, duke e bërë këtë akt një zhvillim të paprecedentë. Ky veprim ka ardhur si pasojë e ankesave dhe denoncimeve të shumta nga qytetarë dhe kompani, të cilët janë kushtëzuar nga kabineti i Mexhitit për të dhënë ryshfet në këmbim të shërbimeve administrative”, thonë nga BDI.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka reaguar ndaj deklaratës së BDI-së, të cilët thanë se kësaj ministrie të udhëhequr nga Izet Mexhiti, i janë marrë kompetencat. Nga Ministria thonë se BDI nuk mund të pajtohet me faktin që janë opozitë.
“BDI nuk mund të pajtohet me faktin se Izet Mexhiti për 6 muaj qeverisje po realizon projekte të cilat ata për 22 vite as që i kanë paramenduar. Bashkimi Demokratik për Integrim për 22 vjet nuk ka kuptuar se organet qeveritare siç janë ministritë, nuk udhëhiqen nga letrat e arkivuara, por nga ligjet dhe Kushtetuta. Këtë nuk e kanë mësuar për 22 vjet në pushtet, por tani në opozitë e kanë mundësinë për të mësuar se si udhëhiqet shteti. Ne do të vazhdojmë mandatin me sanimin e politikave të gabuara 22 vjeçare të BDI-së, që kanë lënë shenja plage në të gjitha instutucionet në nivel lokal dhe qëndror. Kompetenca e vetme që i ka ngelur BDI-së opozitare, është ajo se personat nga Lista e Zezë amerikane edhe më tej ua kontrollojnë kanalet e komunikit me publikun”, kundërshtojnë nga MMJPH. /Nistori/