Në vend që të ishte një objekt historik i hapur dhe mirëmbajtur për vizitorët, Kalaja e Tetovës, është kthyer në një deponi apo një pallat që rënohet dita ditës. Dhëmbi i kohës nuk ka kursyer asgjë, por nuk kanë kursyer asgjë as edhe disa njerëz të pandërgjegjshëm, të cilët, paramendoni, në këtë pjesë që është e një rëndësie të madhe historike, madje mbajnë edhe kuajt.
Pushteti lokal, por edhe pushteti qendror, gjatë fushatës premtuan se do rregullojnë Kalanë e Tetovës dhe e njëjta do kthehet në atraksion turistik, por këto premtime, përfunduan me ditën e shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve.
Banorët thonë se në Kalanë e Tetovës nuk është parë ndonjëherë të pastrojë dikush, e lere më të kujdeset për rrugën apo investimet në këtë hapësirë.
“Duhet normal të mirëmbahet, komuna duhet pak të mendoj se për këtë gjë ka njerëz që kemi votuar”, tha një banor.
“Kalaja në hall është duhet të punohet aty. Duhet kreu i komunës të merr masa për kalanë për rrugën deri në Kala, ka kuaj lopë, për çdo ditë përballemi me këto probleme”, shtoi një tjetër.
“Duhet të mbahet më pastër të rregullohet siç duhet. Deri më sot askush ska punu aty askush”, u shpreh një tjetër banor.
Komuna e Tetovës fajin e adreson te Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë kulturore.
“Është e nevojshme që të kemi miratimin dhe bashkëpunimin e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Kjo drejtori ka për detyrë të kujdeset për mirëmbajtjen dhe restaurimin e objekteve me rëndësi të veçantë historike, por deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret në këtë drejtim. Ministria e Kulturës dhe Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore duhet të ndërmarrin masa të shpejta dhe konkrete për rregullimin dhe mirëmbajtjen e Kalasë së Tetovës”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Historiani Gazmend Arifi thekson se është e rëndësishme mirëmbajtja e Kalasë, për shkak të rëndësisë historike.
“Kalaja e Tetovës ka rëndësi të madhe historike e kulturore për Tetovarët sepse shumë ngjarje janë krijuar aty. Është monument kulturor i shkallës së parë edhe pse ne me kalimin e kohës e kemi lënë në shkatërrim e sipër. Me shkatërrimin e Kalasë, Tetovarët humbin një pjesë të historisë së shkëlqyeshme të qytetit”, u shpreh Gazmend Arifi. Historian.
Kalaja e Tetovës, e ndërtuar në vitin 1820 është rinovuar vetëm njëherë, edhe atë në kohën e ish Jugosllavisë. /Alsat/