Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka takuar presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, dhe i ka dhuruar një vepër arti të piktorit tetovar, Bilgaip Kocista. Vepra, një pikturë akrilike në pëlhurë me dimension të mesëm, paraqet Xhaminë e Larme në Tetovë dhe është realizuar gjatë vitit 2024, shkruan Nistori.
Piktura, e titulluar “Bukuroshja e Tetovës” nga vetë autori, është një kujdes për këtë objekt fetar të rëndësishëm, e cila është pjesë e trashëgimisë kulturore të qytetit. Piktori Kocista për Nistorin thekson se krijimi i kësaj veprimi erdhi si rezultat i frikës për shkatërrimin e kësaj ndërtese të vjetër dhe përpjekjes për ta ruajtur atë nëpërmjet artit. Ai ka theksuar se Xhamia e Larme është një simbol i gërshetimit të kulturave të ndryshme dhe një dëshmi e pasurisë arkitektonike dhe kulturore të Tetovës.
“Piktura me motive nga Xhamia e Larme është pikturuar gjatë vitit 2024, akril në pëlhurë me dimension të mesëm. Pikturën e Xhamisë së Larme apo siç e quaj ‘Bukuroshja e Tetovës”, e realizova nga frika se ndoshta mos e shkatërrojmë, siç po ndodh kohëve të fundit me objektet e vjetra. Dhe më lindi ideja që ta rianimoj në një farë mënyre dhe e pash të arsyshme që të hedh ngjyrat për këtë objekt të vjetër fetar, për faktin se e kam në konsideratë çfarëdo lloj trashëgimie kulturore. Nga kujdesi, së paku dua t’i transferoj në pëlhurë këto thesare, si gjurmë e së kaluarës, por edhe si dëshmi se kemi edhe me çfarë të krenohemi për arkiteturën dhe artin që kanë realizuar njerëzit para nesh. Ky objekt është gërshetim kulturash të ndryshme përgjatë historisë, ka bërë që të jemi interesant për Lindjen dhe Perëndimin, sepse ishim ndërmjet dy civilizimeve”, shprehet Bige.
Si arriti piktura deri te presidenti Erdogan? Kocista ka shpjeguar se ka marrë një telefonatë nga disa miq të tij, të cilët kërkonin një vepër me motive nga Tetova e vjetër. Pasi dërgoi disa foto të pikturës dhe veprave të tjera, ai nuk dinte se ku do të përfundonte vepra, por më vonë mori lajmin se piktura ishte dorëzuar në qeveri dhe ishte blerë për t’iu dhuruar presidentit Erdogan.
Kocista është i lumtur që vepra e tij do të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet dy shteteve mike dhe që arti i tij respektohet në një vend si Turqia. Ai theksoi se kjo është një arritje e jashtëzakonshme për karrierën e tij dhe për Tetovën, qytetin që ai e ka si frymëzim të artit të tij. /Nistori/
