Ndërsa VLEN pyet nëse Artan Grubi është autor i skenarit që BDI t’i bojkotojë zgjedhjet lokale, BDI sot përmes një kumtese akuzoi koalicionin shqiptar se janë të përfshirë në skandale korruptive, shkruan Nistori.
“Pas skandaleve ku zyrtarët e tyre u kapën në flagrancë për korrupsion, VLEN ka humbur kontrollin dhe po sillet si një anije pa busull. Në vend që të japin përgjigje për aferat ku janë përfshirë, tani shpikin teori absurde për të larguar vëmendjen nga skandalet e tyre. Një parti që ka zyrtarë të akuzuar për korrupsion dhe të përfshirë në afera të rënda nuk mund të flasë për të tjerët. Shqiptarët e shohin qartë se kush po punon për ta dhe kush po tenton të shpëtojë nga ndëshkimi. VLEN nuk ka më as ide, as vizion, vetëm panik dhe shpifje”, thonë nga BDI.
VLEN sot akuzoi se Artan Grubi është prapa idesë që BDI të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme lokale.
“BDI e di se ka vetëm një mënyrë për të shmangur humbjen: të bojkotojë zgjedhjet dhe të provokojë tensione në ditën e votimit! Kjo është karta e tyre e fundit, sepse e dinë që shqiptarët nuk u besojnë më dhe nuk i duan më në pushtet. Ali Ahmeti vetë e pranoi nga Likova: BDI po përgatit bojkotin e zgjedhjeve lokale! Çfarë tregon kjo? Që BDI nuk ka as ide, as program, as njerëz të rinj – por vetëm frikën nga shantazhi. Kjo parti, e cila për dy dekada i ka mbajtur shqiptarët peng me gënjeshtra dhe manipulime politike, sot është e kapur nga një klikë e zhytur në korrupsion dhe panik. Tani nuk vendos më as anëtarësia e saj dhe as votuesit – BDI komandohet me telekomandë nga i arratisuri Artan Grubi. Ata që dikur mburreshin se nuk i trembeshin as bombave të 2001-shit, sot janë katandisur sa t’u dridhen gjunjët nga bombat politike të Artan Grubit! A është Artan Grubi autor i skenarit për bojkotin e zgjedhjeve lokale? Me çfarë po e mban peng Artan Grubi këtë kryesi të BDI-së? Shqiptarët duhet ta dinë të vërtetën! Koha e BDI-së ka mbaruar – askush nuk do t’i shpëtojë nga ndëshkimi i popullit!”, shtojnë nga VLEN.
Ndryshe, opozita shqiptare vazhdon të bëjë thirrje deri te koalicioni qeveritar VLEN që t’i braktisë institucionet dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. /Nistori/