Një tufë lule, një letër apo një telefon për 7 dhe 8 Mars?

    Xhemazije Rizvani / Fotografia: Suhejl Jonuzi — Suki

    Xhemazije Rizvani
    Publiciste

    Çdo vit, me afrimin e 7 dhe 8 Marsit, vihet re një lloj “perversiteti” në mënyrën se si trajtohen dhuratat për këtë festë. Ajo që dikur ishte një shenjë modeste mirënjohjeje, një tufë lule, një letër e shkruar nga dora e nxënësit, është shndërruar në një garë të pakuptimtë për dhurata sa më luksoze dhe të shtrenjta.

    Në shumë shkolla, prindërit nuk e shohin më të udhës të sjellin një dhuratë simbolike duke parë klasën tjetër dhe duke bërë krahasime. Në vend të kësaj, organizohen grupe, për të blerë dhurata të shtrenjta, që nga bizhuteritë, pajisjet elektronike, vauçerët e deri te zarfi me të holla. Nuk themi se janë shumë për një mësues, përkundrazi, sepse vlera e mësuesit është aq e madhe sa nuk matet me asgjë, por themi se është akt çnderues për figurën e mësuesit, akt diskriminues për atë që nuk ka dhe çedukues për fëmijën që veç thelbin e dhuratës nuk e mëson. Është një lloj presioni social për prindërit, të cilët ndihen të detyruar të kontribuojnë, edhe kur mundësitë ekonomike të tyre nuk e lejojnë dhe kategoria e të vobektëve që bëjnë pozicionimin si inferior në klasë e nesër në shoqëri.

    Disa mësues ndihen keq nga këto ekzagjerime dhe kërkojnë bashkëpunimin gjatë gjithë vitit si një dhuratë më të çmuar. Por ka edhe nga ata që e mirëpresin këtë lloj praktike dhe, në mënyrë të heshtur, e inkurajojnë. Në raste të rralla, madje, janë vetë mësuesit që dërgojnë mesazhe indirekte se çfarë dhurate do të dëshironin.

    Çka u mësojmë ne të rriturit fëmijëve në këtë rast?!

    Nëse një fëmijë mëson që vlerësimi ndaj një mësuesi shprehet përmes dhuratave materiale, atëherë ai rritet me idenë se mirënjohja dhe respekti blihen. A nuk do të ishte më e dobishme që kjo ditë të fokusohej në vlerësimin e vërtetë të mësonjësve nëpërmjet fjalëve të ndjera, përkushtimit dhe një kulture respekti që shtrihet përtej një dite të vetme?

    Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, 7 dhe 8 Marsin duhet ta shpallim ditë parade për dhuratat. Ani pse 7 Marsi s’është fare e mësuesit po e shkollës së parë shqipe dhe 8 Marsi s’ është fare festë, po protestë.

    Për fund, nëse aq shumë do kishim dashur të shpërblehen mësonjësit, kauzat e tyre do ishin tonat dhe para se ata të kalonin disa herë në grevë, ne do duhej të kishim ngritur zërin paraprakisht në një protestë masovike që ta motivojmë autoritetin më të rëndësishëm të fëmijës – mësuesin, duke kërkuar nga shteti t’u japin hiç më pak e hiç më shumë se: atë që meritojnë. Kështu, ju kishit vënë dinjitetin e mësuesit në vend, duke dëshmuar se bashkëndjeni me ta dhe e dini që rrogat i kanë qesharake në raport me përkushtimin që japin.

    Përndryshe, ta themi troç, jemi ne që u mësojmë fëmijëve korrupsionin, u mësojmë se mund ta blejmë trajtimin më të mirë dhe kjo gjë bëhet shqetësuese vonë, kur na kërkojnë aq sa s’kemi, se tash ne vetë i mësojmë të korruptohen me aq sa kemi. Prej te një gjë kaq e thjeshtë duket një shoqëri dhe kulturë e kalbur, që mendon se gjithçka ka një çmim dhe gjithçka shitet e blihet, madje edhe mirënjohja.

    Janë dhe do arsye humane pse nuk duhet dhurata të jetë në formë grupore, pasi ia mohoni përjetimim e veçantë fëmijës që të shpreh mirënjohje individualisht, sepse dhurata e gëzon më shumë atë që e jep me dorën e vet, sesa atë që e merr. Akt i dhurimit të luleve, të vizatimit ose letrës me fjalë mirënjohjeje duhet të jetë individual, kreativ dhe modest. Gjithçka më shumë se kaq është në ndeshje me ligjin dhe nuk quhet më dhuratë, por është një forme e mitëmarrjes.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    EShS: rajoni i Pellagonisë ka shkallën më të lartë të vendeve të lira të punës

    Lajmi i rradhës

    Festojmë pa gëzim: një botë e mbushur me festa, por pa lumturi

    Lajme tjera

    FILANICA

    SHËNIME NGA TETOVA Kujtim Shabani Më 1937 doli romani “Për minjtë dhe njerëzit” i shkrimtarit amerikan Xhon Stainbek.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë