Aleina Arsllani
“Sa më shumë që kemi, aq më pak duket se gëzojmë.” Kjo thënie e Sokratit duket se përshkruan më së miri realitetin e sotëm, ku festojmë gjithçka, por gëzimi i vërtetë mbetet i paarritshëm. Në çdo cep të botës, njerëzit organizojnë festa për çdo moment të jetës: “gender reveal” me fishekzjarre, ceremoni për daljen e dhëmbit të parë, festime madhështore për kalimin e provimit të patentës së shoferit, përvjetore të panumërta të marrëdhënieve dhe deri te darkat luksoze për promovimin e një posti të ri pune. Duket sikur çdo hap i jetës duhet të shënohet me një festë të bujshme, por paradoksi është i qartë: ndërkohë festojmë më shumë se kurrë, shpirti ynë ndihet bosh.
Festat e sotme janë shpesh të mbushura me dekorime të kuruara deri në detaje, me kamera që regjistrojnë çdo moment dhe me sytë e të gjithëve drejtuar drejt ekraneve, në vend që të shikojnë njëri-tjetrin në sy. Njerëzit janë të shqetësuar për mënyrën se si do të duken në rrjetet sociale, në vend që të ndiejnë atmosferën e vërtetë të festës. “Bëjmë gjithçka për sy e faqe”, do të thoshte Fishta, duke u bazuar në kritikat e tij ndaj hipokrizisë dhe mendësisë sipërfaqësore të shoqërisë, të cilën e shpreh në veprat e tij dhe kjo duket më e vërtetë se kurrë. Në përpjekjen për të krijuar përshtypjen e një jete plot gëzim, kemi harruar se çfarë do të thotë të jesh vërtet i lumtur.
Dikur, njerëzit nuk kishin asgjë nga këto, por ndienin gjithçka. Ata nuk kishin festa të shtrenjta, por e festonin jetën çdo ditë. Një darkë e përbashkët me familjen kishte më shumë vlerë sesa një festë madhështore me njerëz të panjohur. Dikur, një martesë nuk kishte nevojë për një dasmë luksoze me dhjetëra mijëra euro, por vetëm për dy zemra që donin të kalonin jetën së bashku. Gëzimi nuk vinte nga madhështia e festës, por nga thjeshtësia e ndjenjave.
Sot, edhe festat tradicionale nuk kanë më të njëjtin shpirt.Fëmijët mezi presin dhuratat, por jo atmosferën familjare. Të rriturit harxhojnë ditë të tëra përgatitjesh, por nuk gjejnë kohë të shijojnë momentin me më të dashurit e tyre. Siç thoshte Tolstoi, “të gjithë mendojnë të ndryshojnë botën, por askush nuk mendon të ndryshojë veten.”
Nëse ndalojmë të mësojmë për një moment, të vlerësonim gjërat e vogla dhe të ndienim më shumë se sa të tregonim, atëherë ndoshta do të kuptonim se lumturia nuk qëndron në madhështinë e festave, por në thellësinë e ndjenjave. Qëllimi i jetës është të jesh i lumtur dhe ajo është në paqen e një zemre të qetë.
Në këtë muaj të shenjtë, uroj të gëzoni përzemërsisht e jo sipërfaqësisht. Uroj në vetëdijësimin tonë dhe në vlerësimin e asaj, e cila me të vërtetë ka rëndësi!
Nëse ka një kohë që vërtet duhet festuar me zemër dhe jo sa për sy e faqe, ajo është muaji i shenjtë i Ramazanit. Ramazani për besimtarët myslimanë nuk është thjesht një periudhë agjërimi, por një mundësi për reflektim, për të forcuar shpirtin dhe për t’u afruar me Zotin. Dikur, në këtë muaj, njerëzit gjenin paqen në thjeshtësinë e një iftari të përbashkët, në lutjet e natës dhe në dorën e shtrirë për nevojtarët. Bajrami, nga ana tjetër, nuk njihej nga bollëku i ushqimit apo veshjet e reja, por nga buzëqeshjet e sinqerta dhe përqafimet e zemrës. Sot, shumë prej këtyre vlerave duket se po humbasin mes konsumizmit dhe nevojës për t’u treguar të tjerëve sa “mirë” po e kalojmë festën.
Për në fund dua të theksoj se lumturia e vërtetë nuk vjen nga madhështia e festimeve, por nga pastërtia e zemrës. Profeti Muhamed (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Nuk është i pasur ai që ka shumë pasuri, por ai që ka një zemër të kënaqur.” Të ndalemi, të reflektojmë dhe të kuptojmë se festat e vërteta nuk janë ato që i organizojmë, por ato që ndiejmë. Le të agjërojmë e ndihmojmë pa ekspozuar, pa marrë në qafë dikë me më shumë me shpirt. Duke gjetur gëzimin aty ku ka qenë gjithmonë, në mirënjohjen për atë që kemi, në dashurinë për njëri-tjetrin dhe në paqen që vjen nga afërsia me Zotin. Ky muaj le të jetë ushtrim shpirtëror në kultivimin e virtyteve njerëzore dhe të bëhemi më të mirë. Të festojmë në fund ngaqe i ke dëshmur vetes që je njeri i lirë dhe që mund të bësh jetë parimore.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.