Presidenti Biden dhe vaksina “antikorrupsion”

    VALBONA ZENELI

    JOSEPH VANN

    Presidenti Joe Biden ka dërguar një sinjal shumë të fortë me nënshkrimin e Memorandumit Presidencial që vendos luftën kundër korrupsionit ndërkombëtar si një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ekspertët tradicionalë të politikave të sigurisë kombëtare në përgjithësi kanë tendencën ta shohin sigurinë përmes lenteve të fuqisë kombëtare dhe shumë shpesh në terma krahasuese të forcave ushtarake, flotave detare, forcave ajrore dhe luftërave kinetike. Pa dyshim, fuqia ushtarake është me siguri edhe fuqia më e rëndësishme kur vlerësohen shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare. Sidoqoftë, nëse hedhim një vështrim historik në përdorimin e fuqisë ushtarake, në shumë raste ngjarjet pararendëse kanë përfshirë pushtete dhe qeverisje të korruptuar.

    HISTORIA PËRSËRITET

    Vërejmë një paralele me konceptin se nëse i vetmi mjet që keni ne dispozicion është një çekiç, atëherë gjithçka do të trajtohet si një gozhdë dhe kjo çon në rrezikun e trajtimit të simptomave të qeverive të korruptuara me çekanët e veprimit ushtarak në vend të trajtimit të faktorëve bazë. Nga një perspektivë amerikane, rastet studimore dhe mësimet e nxjerra janë shumë të qarta. Pamundësia për t’u marrë me regjimin e korruptuar të Kuomintang në luftën e tij kundër komunistëve kinezë gjatë Luftës Civile Kineze, korrupsioni i përhapur dhe korroziv i udhëheqjes së Vietnamit të Jugut që minoi përpjekjen luftarake së SHBA-së, mbështetja e udhëheqësve të korruptuar nga Filipinet në Liban, Irak, Afganistan apo gjetkë janë vetëm disa shembuj. Gjithmonë ka përfunduar keq. Rezultatet nuk janë më pak negative edhe për fuqitë e tjera perëndimore. Vendosja e korrupsionit në qendër të sferës së kërcënimeve të sigurisë kombëtare është në kohën e duhur për Administratën e Presidentit Biden – madje e vonuar për administratat e mëparshme amerikane.

    Nëse shqyrtojmë me kujdes veprimet ushtarake në Siri, në Irak apo në Afganistan, atëherë nuk mund të mos kuptojmë peshën negative të korrupsionit sistemik në këto vende si një faktor kryesor për konfliktet, paqëndrueshmërisë dhe parandalimin e zgjidhjes së sfidave te shumta. Edhe në vende te tjera, korrupsioni ka çuar në paqëndrueshmëri, konflikt dhe dhunë. Nivelet e larta të korrupsionit dhe mungesa e përgjegjësisë dhe transparencës janë kryesisht pasoja të dështimit të qeverisjes dhe sundimit të dobët të ligjit. Në botën e globalizuar, qeverisja e keqe kthehet në disavantanzh. Vendet me qeverisje të dobët krijojnë vakume pushteti të shfrytëzuara lehtësisht nga trafikantët, kriminelët dhe terroristët. Nëse kthehemi në kohë për të shqyrtuar ngjarjet në Ukrainë, është një shembull i qartë se si korrupsioni vlues, i injoruar për një kohë shumë të gjatë, solli në shpërthime populllore me pasoja katastrofike që ende ndihen jo vetëm në Ukrainë, por në të gjithë Europën.

    Refuzimi i korrupsionit ishte edhe tema themelore gjatë protestave në Rusi në vitet 2011–2012, protestat që mund të kenë tronditur ne Presidentin rus, Vladimir Putin, deri në pikën që çuan në reagimet e tij ndaj ngjarjeve të mëvonshme në Ukrainë. Lista është e gjatë. Në ato vite, por edhe në vazhdim, kemi parë protesta serioze dhe pakënaqësi publike për korrupsionin në Hungari, Rumani, Bullgari, Slloveni, në Ballkanin Perëndimor dhe gjetkë në Europën Qendrore. Një studim nga Carnegie Endowment for International Peace demonstron një korrelacion të dukshëm midis indekseve të dhunës, paqëndrueshmërisë (instabilitetit) dhe korrupsionit, duke treguar se vendet e karakterizuara nga korrupsioni i shfrenuar priren të vuajnë nga konflikti dhe dështimet qeverisëse (state failure).

    Bazuar në studime, dymbëdhjetë nga pesëmbëdhjetë vendet me renditjen më të ulët në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International në vitin 2013 kanë vuajtur nga ekstremizmi i dhunshëm, terrorizmi, kryengritjet ose kërcënime të tjetër të ngjashme për sigurinë ndërkombëtare. Vende të tilla si Libia, Siria, Afganistani, Sudani, Iraku dhe Jemeni bëjnë pjesë në këtë kategori.

    DIAGNOZA

    Çfarë është korrupsioni? Ndërsa nuk ekziston një përkufizim i vetëm i pranuar botërisht për korrupsionin, ka një pranim të gjerë të përkufizimit të dhënë nga Transparency International që e përcakton si “abuzimi i fuqisë së besuar për përfitime private”. Ekonomikisht, korrupsioni është një krim mundësie, që kriminelët janë të etur të shfrytëzojnë kur fitimet janë më të mëdha se pasojat e mundshme negative.

    Ndodh kudo në botë, por lulëzon atje ku sundimi i ligjit është i dobët dhe ku monopoli i pushtetit mbi alokimin e burimeve (publike dhe private) është i kombinuar me diskrecionin individual dhe mungesën e përgjegjësisë dhe transparencës. Që korrupsioni të lulëzojë, vlera e të ardhurave të nxjerra duhet të jetë mjaftueshmërisht e lartë për të kompensuar ndëshkimet që lidhen me akte të tilla. Nivelet e përhapura të korrupsionit krijojnë shtete të brishta, duke kufizuar qeverisjen efektive demokratike. Sundimi i ligjit dështon kur ligjet dhe rregullat anashkalohen nga ryshfete, menaxhimi publik minohet nga para të paligjshme dhe media e lirë hesht përmes kontrollit politik. Ne mund të shohim shumë raste kur vendet e korruptuara bllokohen në një spirale të egër negative që çon në “institucionalizimin” e korrupsionit. Pabarazia sociale dhe ekonomike shkakton humbjen e besimit tek institucionet publike, duke rezultuar shpesh në trazira politike dhe paqëndrueshmëri sociale.

    Për këdo që kujton Pranverën Arabe, ishte indinjata e publikut ndaj zyrtarëve të korruptuar qeveritarë shkaku kryesor i protestave. Ndërsa Pranvera Arabe tërhoqi vëmendjen e medias në të gjithë Afrikën apo Hemisferën Perëndimore, veçanërisht Meksikën, Amerikën Qendrore dhe Jugore dhe pjesën më të madhe të Azisë, ndikimi i korrupsionit nuk ka qenë më pak i ashpër, duke shkaktuar protesta dhe rrëzime qeverish. Situata është po aq e rëndë në Meksikë dhe vende të tjera të Amerikës Latine, saqë është kthyer vërtet në shqetësuese. Zyrtarët e korruptuar vazhdojnë t’ua vënë përgjegjësinë për këtë situatë organizatave kriminale transnacionale dhe karteleve e drogës, ndërsa ata vazhdojnë të pranojnë fitime që mundësojnë vetë këto aktivitete kriminale. Duke parë Azinë, gjejmë të njëjtin problem.

    Në çdo situatë dhe vend, shkon në dëm të sigurisë së shtetit dhe shoqërisë civile. Përqendrimi te facilituesit E thënë thjesht, korrupsioni sistematik çon në paqëndrueshmëri politike. Ashtu si një pandemi sociale, ai shkatërron vlerën ekonomike, pengon zhvillimin, viktimizon njerëzit e thjeshtë dhe bizneset etike, dëmton politikat shtetërore dhe minon demokracinë. Në një epokë të konkurrencës së fuqive të mëdha, është e rëndësishme të kuptohen pasojat multivektoriale të korrupsionit në mënyrën qe ndikon për demokracinë, ekonominë dhe marrëdhëniet gjeopolitike.

    Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një periudhe korrupsioni të përhapur dhe shumë pak përgjegjshmërie të vërtetë. Shoqëritë civile vazhdojnë të vuajnë kostot ndërsa elitat e korruptuara lëvizin të ardhura të paligjshme në të gjithë botën. Të korruptuarit, duke përdorur një larmi teknikash moderne nga ofruesit e shërbimeve të korporatave qe fshehin provësinë e vërtetë përfituese përmes kompanive guaskë dhe juridiksioneve sekrete, lëvizin dhe konsolidojnë fitimet e tyre të paligjshme, derisa të mund t’i investojnë në mënyrë të sigurt në kryeqytete të zhvilluara perëndimore ku si përfundim paratë e paligjshme të mbrohen nga shteti ligjor dhe institucione të forta.

    Ky cikël fillon në vendet me ligje të dobëta dhe me keqqeverisje dhe zhvillohet përmes këshilltarë financiarë joetikë dhe institucioneve bankare që rrallë mbahen përgjegjës. Sidomos në tridhjetë vitet e fundit, shpejtësia e jashtëzakonshme e globalizimit ka ekspozuar dhe përshpejtuar korrupsionin në shkallë të gjerë, si edhe ka zvogëluar autoritetin e qeverive përmes zgjerimit të tregtisë së lirë, kufijve të hapur, lëvizjes së lirë të mallrave dhe teknologjive të reja. Shtytja për globalizim dhe liberalizim në fillim të viteve 1990 krijoi një mekanizëm të ri për burokratët në vendet ish-komuniste për të shfrytëzuar rregulloret dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga procesi i gjere i privatizimit.

    Kombinuar me zgjerimin e shpejtë të qendrave financiare dhe parajsave fiskale brenda sistemit bankar global, lehtësia e lëvizjes së parave ndërkombëtarisht ka bërë që lufta kundër korrupsionit shumë e vështirë, siç zbulohet nga raportet “Sekreti për shitje” i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë Sekretiteti për Shitje, Panama Papers, Paradise Papers si edhe FinCEN Files Ekzistojne shumë juridiksione të fshehta apo parajsa fiskale e taksave, të cilat promovojnë paqartësi tregtare dhe mungesë bashkëpunimi me subjektet e huaja hetimore. Studimet tregojnë se depozitat në parajsat fiskale arrijnë në 12 trilionë dollarë në mbarë botën, që është edhe 14 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto global. Siç theksohet edhe në Memorandumin e Shtëpisë së Bardhë, kostot e korrupsionit janë marramendëse, por korrupsioni krijon dëme shumë më të rënda në vendet e varfra dhe sjell paqëndrueshmëri, emigrim dhe konflikte. Forumi Ekonomik Botëror llogarit që kostoja globale e korrupsionit është të paktën 2.6 trilionë dollarë, ose 5 për qind e Prodhimit të Brendshme Bruto global. Sipas Bankës Botërore, bizneset dhe individët paguajnë më shumë se 1 trilion dollarë ryshfete çdo vit.

    Çdo strategji antikorrupsion duhet të përqendrohet në burimin e parave. Pasuria dhe pushteti janë objektivat kryesorë të korrupsionit. Qeveritë e korruptuara kërkojnë të kontrollojnë flukset e të ardhurave të vendit për përfitimin personale të elitave të korruptuara. Identifikimi dhe vlerësimi i flukseve dhe burimeve të të ardhurave është thelbësor për një luftë gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit. Ndërsa burimet e fitimeve të paligjshme ndryshojnë nga vendi në vend, ndikimi i tyre përfundimtar mbetet i njëjtë. Lidhja e fortë midis krimit të organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionit është gjithashtu shumë e qartë.

    Pa korrupsion, lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar do të ishte e menaxhueshme. Me mbështetjen e autoriteteve të korruptuar, krimi i organizuar ndërkombëtar lulëzon. Kjo është veçanërisht e vërtetë për vendet tranzite të tilla si ato në Afrikën Perëndimore, Amerikën Latine, Azinë Qendrore dhe Ballkan. Raporte të Forumit Ekonomik Botëror për Tregtinë e Paligjshme vlerësojnë se ekonomia informale kriminale përben më shumë sa 2 trilionë dollarë në vit. Lidhjet midis grupeve të organizuara kriminale dhe korrupsionit madhor shërbejnë si një destabilizues kritik për qeveritë e këtyre vendeve.

    Ndërsa asnjë vend nuk është i imunizuar nga korrupsioni, ka vende që janë të suksesshme në luftimin e korrupsionit. Ngjashmëritë midis vendeve që priren të jenë më pak të korruptuara janë të dukshme. Shkallë më e lartë e vlerave shoqërore dhe të korporatave, sundim më i fortë i ligjit, qeverisje e mirë dhe institucione të forta. Vendet që ecin keq janë karakteristikisht të dobëta në sa më sipër. Vendet me sistem gjyqësor të dobët, sundim të dobët të ligjit dhe institucione të dobëta bëhen sheshi i preferuar i lojërave për të korruptuarit.

    Kur udhëheqësit e korruptuar dhe oligarkët janë në gjendje të grumbullojnë sasi masive pasurish të pashpjegueshme pa ndonjë proces transparence apo përgjegjshmërie, vendi paguan çmimin sepse qytetarët vuajnë pasojat e të ardhurave të reduktuara shtetërore për të ofruar shërbimet e duhura. Shumë shpesh shprehja “krim dhe korrupsion” përplaset sikur korrupsioni është një praktikë më e vogël, e shkëputur nga krimi. Në realitet, e kundërta është e vërtetë në atë që korrupsioni është substrati që lejon dhe mundëson burimet e aktiviteteve kriminale. Ndërsa asnjë vend në botë nuk është i imunizuar nga korrupsioni, ka shumë vende që kanë struktura dhe instrumente ligjore që faktikisht lehtësojnë veprimtaritë korruptuese, duke lejuar të korruptuarit të investojnë dhe të pastrojnë paratë e tyre. SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe lista e gjatë e juridiksioneve të fshehtësisë në të gjithë botën kanë përgjegjësinë e tyre në këtë drejtim.

    Ndërsa fshehtësia financiare e korporatave dhe ajo personale është një kërkesë krejtësisht e kuptueshme, shumë prej ligjeve dhe praktikave mund të shtrëngohen për të kufizuar veprimtaritë kriminale, pa cenuar nevojat e ligjshme të korporatave. Duke shtuar në listën e ligjeve të nevojshme ato për të kufizuar aftësinë e investitorëve tË korruptuar për të “pastruar paratë”, një diligjencë më e lartë është e nevojshme për të hetuar paratë kriminale. Ka nevojë për vëmendje urgjente dhe ligje të reja që vënë para përgjegjësisë, jo vetëm të korruptuarit, por edhe ndihmësit dhe facilituesit e menaxhimit të të ardhurave kriminale, nga zyrtarët financiarë te zyrtarët e korporatave apo avokatët që merren me pastrimin e të ardhurave të tyre të paligjshme.

    FITORJA ËSHTË OPSIONI MË I MIRË

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë gjithnjë në krye të adresimit të korrupsionit ndërkombëtar. Akti i Praktikave të Korrupsionit të Huaj (Foreign Corrupt Practice Act) ka qenë legjislacioni i parë në botë që prej vitit 1977 që bëri të jashtëligjshëm ryshfetet e biznesit të paguar në tregun ndërkombëtar. Njëzet vjet më vonë, në 1997, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) miratoi Konventën për Luftimin e Ryshfetit të Zyrtarëve Publikë të Huaj në transaksionet e biznesit ndërkombëtar, duke prezantuar një konventë ligjërisht të detyrueshme kundër ryshfetit, nënshkruar nga tridhjetë e katër vendet anëtare dhe pesë joanëtare. Në vitin 2003, Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, e cila hyri në fuqi në 2005, është nismave kryesore ndërkombëtare antikorrupsion.

    Ajo përfshin akte shumë të rëndësishme që luftojnë ryshfetin e huaj, lehtësojnë ekstradimin e zyrtarëve të korruptuar, inkurajojnë ndihmën e ndërsjellë ligjore dhe ndihmojnë në rikuperimin dhe kthimin e pasurive të vjedhura. Megjithatë, rezultatet e arritura ne bazë të kësaj konvente ende nuk janë të kënaqshme në përmirësimin e dukshëm të veprimtarive korruptive. Globalisht, institucione të tilla si Bashkimi Europian, Këshilli i Europës, Organizata e Shteteve Amerikane, Transparency International, Banka Botërore dhe G-20 (grupi i vendeve që përbëejnë 85% të ekonomisë botërore), e kanë njohur korrupsionin si problem global. Sidoqoftë, politikat globale antikorrupsion janë po aq të forta sa vullneti politik për t’i zbatuar ato. Lajmi i mirë është se qytetarët në të gjithë botën janë gjithnjë e më të gatshëm t’i mbajnë qeveritë e tyre përgjegjëse.

    Teknologjia, gazetaria investigative, media sociale dhe përpjekjet ndërkombëtare kanë luajtur rol kyçe në rritjen e ndërgjegjësimit rreth fatkeqësisë së korrupsionit. Në fund të ditës, një fushë loje e barabartë e pa korrupsion është nxitësi më i mirë për aktivitetin ekonomik. Programet serioze antikorrupsion të mbështetura nga një shtet i fortë i ligjit, qeverisja e mirë dhe institucionet e forta shërbejnë për të promovuar sigurinë dhe sipërmarrjen ekonomike. Tani është koha që liderët në të gjithë botën të futen në fushën e lojës, të demonstrojnë vullnet politik dhe të marrin vendime të vështira që do të ndryshojnë për mirë fatet e vendeve të tyre.

    Dr. Valbona Zeneli është Drejtore e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë, George C. Marshall (Marshall Center).

    Joseph Vann është Drejtor i Programit për Luftën Kundër Krimit të Organizuar Transnacional në Qendren Europiane të Studimeve të Sigurisë, George C. Marshall (Marshall Center).

    Artikulli është botuar në “The National Interest”/Panorama/


    Lajmi Paraprak

    Koha e Ramës për politikë të re të jashtme të Shqipërisë

    Lajmi i rradhës

    Historiani: Shqipëria ka humbur 69% të sipërfaqes, si u zmadhuan Greqia dhe Serbia

    Lajme tjera

    Sahat për patriota

    Daut Dauti U qunë peshë dje ni milet:‘Kqyrni, kqyrni çka kanë prodhu zvicrantë’. Bile, edhe prefesori i universitetit.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë