Kompania “Sabubermacher” është përgjigjur në lidhje me pagesën dhe dërgimin e pagesës së detyrueshme në noter. Shpjegimi që e japin ata është se procedura iniciohet me kërkesë të avokatit të autorizuar nga ta deri te noteri. Te noteri, përpilohet vendim për pagesë të borxhit për shërbimet komunale si dhe shpenzimet e avokatit dhe noterit.
Nëse edhe pas vendimit të noterit në afatin e paraparë përsëri nuk paguhet borxhi ose nuk dorëzohet parashtresë, sipas kompanisë, vendimi bëhet i plotfuqishëm dhe dërgohet në përmbarues lokal. “Sabubermacher” ankohet se që kur ka nisur me punë, para mbi një viti, vetëm 25% e qytetarëve kanë paguar për mbeturinat.
“Për muajin e fundit (janar 2025) për të cilin afati i pagesës ka skaduar më 14 shkurt, vetëm ¼ e qytetarëve kanë paguar faturën (rreth 25%). Procedurë për arkëtim të detyruar është iniciuar për të gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve komunale te cilët nuk kanë paguar faturat e lëshuara gjatë periudhës shkurt-gusht 2024”, tha kompania Saubermacher.
E nga ana tjetër, nga ndërmarrja komunale e Tetovës “Sharri”, të pyetur se sa është duke u realizuar pagesa tek ta dhe nëse i kanë dërguar qytetarët në noter, na thanë se “jo” – nuk i kanë dërguar në noter, pasi deri më tani qytetarët kanë pasur vetëm vërritje, ndërsa pagesa tek ta realizohet 65%.
“Sa i parket pjesës së dërgesës së qytetarëve shërbime noteriale ajo i përket periudhës kur kemi qenë bashkë me Saubermacher dhe i kanë dërguar ata qytetarët që nuk i kanë kryer obligimet i kanë pasur ndaj ndërmarrjes Saubermacher dhe “Sharri”, dhe ne kemi lëshuar vetëm vërejtje dhe akoma nuk kemi lëshuar padi nga periudha që kur jemi ndarë dhe përqindja e pagesës tek na ka arritur diku tek 65%”, tha Valon Zeqiri.
Qytetarë të Tetovës u ankuan para kamerës së TV21 se janë dërguar në noter pa mos u ardhur vërejtje në shtëpi, ndërsa shtojnë se edhe pse ata nuk marrin fatura të rregullta në kohë, janë detyruar të paguajnë për faturat që nuk i kanë pranuar.