Drejtorët e teatrove shqiptare: buxheti na kufizon aktivitetet kulturore, kemi kërkuar mjete shtesë

    Drejtorët e institucioneve kulturore shqiptare kanë reaguar ndaj buxhetit të ndarë nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, duke shprehur shqetësimin se fondet e alokuara nuk janë të mjaftueshme për nevojat e tyre. Sipas drejtorëve të teatrove dhe qendrave kulturore, buxheti i caktuar është i pamjaftueshëm, veçanërisht për teatrin e Tetovës dhe teatrin shqiptar në Shkup që festojnë vitin jubilar. Ata theksuan se financimet nuk mjaftojnë për realizimin e aktiviteteve të shumta dhe mbështetje për përgatitjen e eventeve të veçanta që kërkojnë burime shtesë. Kjo situatë ka ngjallur debate mbi nevojën për një rishikim të buxhetit për sektorin e kulturës në vend, shkruan Nistori.

    Drejtori i Teatrit të Tetovës, Hasim Memishi (Sopi) për Nistorin thotë se buxheti për këtë vit është pak më i mirë se ai i vitit të kaluar, por megjithatë nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha nevojat, duke marrë parasysh rëndësinë e jubileut të 10-vjetorit të festivalit të Teatrit.

    “Buxheti për këtë vit është pak më i mirë se vitin e kaluar, mirëpo nuk është i mjaftueshëm, duke marrë parasysh edhe jubileun e festivalit të Teatrit që e kemi këtë vit. Këtë vit është 10 vjetori i festivalit dhe është dashur që të kemi më shumë buxhet për këtë gjë. Buxheti është i miratuar dhe nuk besoj se ndryshon, por ne do të kërkojmë mjete shtesë ditëve në vijim, që besoj se do e marrin parasysh kërkesën tonë”, thotë Memishi.

    Sipas Ismet Ramadanit, Teatri Shqiptar në Shkup është ankuar për buxhetin dhe ka kërkuar mjete shtesë për jubileun – 75 vjetorin e teatrit.

    Ramadani ka shprehur shqetësimin e tij për ndarjen e buxhetit për këtë vit, duke e cilësuar të pamjaftueshëm për realizimin e projekteve të planifikuara. Sipas tij, buxheti prej 5 milionë denarëve nuk është i mjaftueshëm, veçanërisht duke marrë parasysh jubileun e 75 vjetorit të teatrit, ku planifikohen një monografi dhe një mbrëmje solemne.

    “Kuptohet që nuk jam i kënaqur nga ndarja e buxhetit dedikuar Teatrit Shqiptar, pasi neve na është ndarë buxhet i deleguar prej 5 milionë denarëve. Ndërsa për këtë vit ne kishim plan të realizojmë 5 projekte dhe shkaku që kemi 75 vjetorin e teatrit, duhet të përgatisim monografi dhe një mbremje solemne. Festivali ‘Moisiu’ nuk është marrë paraysh fare. Në mbledhjen e dorëzimit të buxheteve të deleguara, unë si udhëheqës i këtij institucioni e kundërshtova ministrin dhe u bind që ka gabuar dhe se duhet të lëshohen mjete shtesë”, deklaron Ramadani.

    Drejtori i Teatrit të Gostivarit, Sulejman Rushit njofton krijimin e një grupi pune me drejtorët e institucioneve të tjera publike për hartimin e një strategjie të përbashkët, e cila do të ofrojë zgjidhje afatgjate për problemet e prapambetura të teatrit dhe institucioneve kulturore. Strategjia, e cila ka si qëllim zgjidhjen e sfidave të teatrit dhe sektorëve të tjerë, do t’u dorëzohet qeveritarëve dhe do të shërbejë si një manual për zgjidhjen e problemeve me hapa konkret.

    “Edhe pse Teatri i Gostivarit ka më shumë buxhet se vitin e kaluar, konsiderojmë se nuk është i mjaftueshëm për ta përmbushur nevojën e popullatës së këtij rrethi me shfaqje të programit tonë. Meqë Teatri i Gostivarit nuk e ka vetëm problemin e buxhetit, por edhe të mungesës së hapësirës dhe më e keqja, hapësira që e përdorim nuk i plotëson as për së afërmi kushtet as për zyra, prova leximi, prova mizanskene, etj. Kujtojmë që mungesa e nxjemjes së hapësirave e pamundëson mbajtjen e një repertori normal me çka do të kishim krijuar spektatorin tonë të përhershëm”, pergjigjet Rushiti.

    Ylber Nuredini, drejtor i Qendrës për Kulturë në Dibër, ka njoftuar se buxheti për projektet artistike, bibliotekën dhe shpenzimet materiale të Qendrës është 1.350.000 denarë. Ndërkohë, festivali “Teatri Shqiptar në Maqedoni” – Dibër, edicioni i 24, ka një buxhet prej 1 milionë e 560 mijë denarë. Nuredini theksoi se ende nuk ka një vendim përfundimtar nga Ministria, por kërkesa për më shumë buxhet do të dorëzohet në vijim, pa bërë ankesë.

    Ndryshe, teatri dramatik në Shkup, Teatri Kombëtar i Maqedonisë, Teatri i Manastirit dhe Qendra për Kulturë në Veles kanë buxhet më të madh se institucionet kulturore ku udhëheqin drejtorët shqiptarë dhe frekuentohen nga vizitorë shqiptarë.

    Tetova, Gostivari dhe Dibra përballen me mungesën e një objekti të ri për teatër, duke e bërë të pamundur zhvillimin e shfaqeve, kështu duke e kufizuar mundësinë për zhvillimin e artit dhe kulturës.

    Financimet për kulturën: Teatri i Tetovës mbetet pas, Manastiri dhe Velesi me buxhet të avancuar

    Teatri Kombëtar Maqedonas i Shkupit: 6.300.000 denarë

    Teatri dramatik i Shkupit: 5.900.000 denarë dhe 1.500.000 denarë për festival. Gjithsej: 7.400.000 denarë

    Teatri i Gostivarit; Gjithsej: 2.685.000 denarë

    Teatri Kombëtar i Manastirit: 4.800.000 denarë dhe 800.000 denarë për festival. Gjithsej: 5.600.000 denarë

    Qendra për Kulturë “Jordan H.K. Xhinot” nga Velesi: 4.000.000 denarë dhe 800 mijë denarë per festivali8n. Gjithsej: 4.800.000 denarë

    Teatri “Komedia” i Shkupit: 2.400.000 denarë

    Teatri për Fëmijë dhe të Rinj i Shkupit: 2.500.000 denarë

    Teatri Shqiptar i Shkupit: 5.155.000 denarë

    Teatri shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj i Shkupit: 1.800.000 denarë

    Teatri Turk i Shkupit: 2.500.000 denarë

    Teatri i Tetovës: 3.200.000 denarë dhe 800.000 denarë për festival. Gjithsej: 4.000.000 denarë

    Lajmi Paraprak

    “Saubermacher” ankohet se vetëm 25% e tetovarëve paguajnë faturat!

    Lajmi i rradhës

    Faturat e larta të rrymës, ministria thotë: ankohuni!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë