PËRPLASJET POLITIKE / Krimi dhe korrupsioni në qendër të debatit

    Krimi, korrupsioni, (pa)drejtësia vazhdojnë të mbeten në qendër të përplasjeve politike. Partitë opozitare, faktin se ministrit për Politikë Sociale, Fatmir Limanit i është refuzuar viza e konsiderojnë si skandal. Sipas LSDM-së, kjo hap pyetje serioze për kredibilitetin e përfaqësuesve qeveritarë dhe për politikën që ndjek Mickoski.

    “Nëse ai me të vërtetë gëzon mbështetjen e administratës amerikane, siç pretendon shpesh, tani është momenti ta dëshmojë këtë me hapa konkretë. Përndryshe, heshtja e tij vetëm sa do të konfirmojë se në Qeveri tolerohen persona kontroversë. Opinioni publik ka të drejtë të dijë: cilat janë arsyet pse Limani është shpallur person i padëshiruar në SHBA? A do të thotë kjo se ai është i përfshirë në një skandal që rrezikon reputacionin ndërkombëtar të vendit?”, theksojnë nga LSDM.

    Social-demokratët theksojnë se kryeministri Mickoski nuk mund të hesht në këtë situatë.

    “Nëse është vërtet i përkushtuar për transparencë dhe partneritet me SHBA-në, duhet të shkarkojë menjëherë ministrin Limani. Çdo vonesë do të tregojë vetëm se kryeministri po e vë besnikërinë partiake përpara interesave shtetërore”, thonë nga LSDM.

    Edhe Aleanca për Shqiptarët, pjesë e Frontit Europian e quan këtë një dështim të rëndë për qeverinë dhe kërkon përgjegjësi politike.

    “Kjo është një goditje e rëndë për imazhin e shtetit, një turp për institucionet dhe një tregues alarmant i diskreditimit ndërkombëtar të kësaj qeverie. Në vend që të jepte sqarime të qarta dhe të merrte përgjegjësi, ministri Limani vonoi reagimin dhe në mbrëmje pranoi në rrjetet sociale se ka “lëvizje të kufizuara” për shkak të të kaluarës së tij politike, duke fajësuar kinse angazhimin e tij të dikurshëm. Ky është një manipulim i pastër! Fakti i vetëm i rëndësishëm është se një ministër i qeverisë i është ndaluar hyrja në SHBA – një vend aleat strategjik dhe partner kyç i Maqedonisë së Veriut”, theksojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

    Nga partia e Ziadin Selës kërkojnë dorëheqje të ministrit Limani dhe përgjegjësi nga qeveria.

    “Kjo nuk mund të kalojë pa pasoja! Kërkojmë menjëherë dorëheqjen ose shkarkimin e Fatmir Limanit! Ky nuk është vetëm një dështim personal i tij, por një njollë e zezë për gjithë qeverinë. Heshtja e kryeministrit dhe partnerëve të tij tregon ose paaftësi për të menaxhuar këtë krizë, ose frikë për të thënë të vërtetën.

    Ndërkohë, partitë në pushtet duke komentuar votimin e interpelancave, kanë plasuar kundër-akuza në drejtim të partive opozitare. Sipas VMRO-DPMNE-së, fakti që LSDM dhe BDI nuk votuan për interpelancat ndaj Këshillit Gjyqësor është dëshmi se kujt i përkasin këta pesë anëtarë të Këshillit Republikan të Gjyqësorit: Vesna Dameva, Pavlina Crvenkovska, Selim Ademi, Miljazim Mustafa dhe donatorja e LSDM-së, Tanja Çaçarova.

    “Kë duhet të mbrojnë këto struktura të instaluara në sistemin gjyqësor, u pa qartë dje në rastin e rëndë prej 168 milionë eurosh për pastrim parash përmes mazutit kancerogjen. Edhe pse në këtë mega-skandal ka një të dyshuar në arrati (Vasko Kovaçevski, LSDM), djali i një deputeti të BDI-së, i cili është një nga dy aktorët kryesorë në rastin e “mazutit kancerogjen”, kaloi vetëm me arrest shtëpiak, pasi prokurori, me urdhër të dikujt, në momentin e fundit ndryshoi propozimin”, vlerësojnë nga VMRO-DPMNE.

    Nga partia në pushtet theksojnë se ish-qeveria LSDM-BDI po tenton me çdo kusht të mbrojë njerëzit e vet të instaluar në gjyqësor.

    “Një ditë më parë, strukturat e LSDM-së dhe BDI-së në Këshillin Gjyqësor vendosën që zgjedhja më e mirë për ushtrues detyre të kryetarit të Gjykatës së Lartë të jetë Xhemali Saiti – një gjyqtar me lidhje të ngushta me udhëheqësinë e BDI-së. Kjo tregon se beteja për reforma në gjyqësor do të jetë e vështirë dhe se strukturat e instaluara nga LSDM dhe BDI do të bëjnë gjithçka për të ruajtur status quo-në”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.

    Edhe nga VLEN thonë se këto gjykatës e kanë mbajtur peng drejtësinë.

    “Këshilli Gjyqësor dhe i gjithë ai grup, që është ende në pozicionet e tij, e kanë shkatërruar besimin në drejtësi, duke e ulur atë në vetëm 2%! Selim Ademi, i përfshirë në skandale si ‘Target-Fortesa’, ndërsa miku i tij Enver Bexheti shpëtoi Sasho Mijallkovin, përfundoi në listën e zezë të SHBA-ve, bashkë me Artan Grubin, e sot Mijallkovi shëtit me Ferrari në Monte Karlo, ndërsa shqiptarët presin drejtësi!”, theksojnë nga VLEN.

    Sipas këtij koalicioni MPB ka zbuluar se klani i Ali Ahmetit, në ortakllëk me njerëzit e Gruevskit dhe Mijallkovit, ka pompuar 10 miliardë denarë përmes mafias së naftës! “Mazut dhe vaj toksik që ata fusnin në treg duke helmuar qytetarët, ndërsa paratë e pista i ndanë mes tyre! Dhe tani, kur fundi po u vjen, shpikin kërcënime për krizë politike dhe bojkot!”, thonë nga VLEN. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Për një vit, 433 fëmijë në RMV në konflikt me ligjin!

    Lajmi i rradhës

    Këshilli Gjyqësor ka hapur procedurë të re ndaj Enver Bexhetit, pasi ShBA-ja e vendosi në listën e zezë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë